​Infermierët kërkojnë nga Zemaj plotësimin e kërkesave të tyre

loading...


Sindikata e Infermierëve të Kosovës, vazhdon të kërkojë rritjen e pagesës së ndërrimeve të natës, pagesë të orëve shtesë dhe punës gjatë vikendeve, si dhe pagesë të rrezikshmërisë në punë.

Këto kërkesa kjo sindikatë i adresoi përsëri te ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, nga i cili u pritën në takim mëngjesin e së mërkurës.

Kryetari i kësaj sindikate, Fitim Havolli, pas takimi tha për KosovaPress se kërkesat e tyre janë urgjente dhe pret që të mbështeten nga MSh-ja dhe ShSKUK-ja.

“Është duke i trajtuar kërkesat tona të dorëzuara edhe me shkrim, por ne sot morëm pjesë edhe në takim direkt me të dhe vullneti është i jashtëzakonshëm, prioritetet mbi bazën e kërkesave tona që i kemi dorëzuar me kohë tashmë do të fillojnë brenda ditësh me ShSKUK-në për të ardhur deri tek konkretizimi direkt i tyre…kërkesat tona që janë me prioritet janë ndërrimet e natës të cilat janë mjerisht të paguara për komunitetin infermieror i cili nga 12 orë kujdestari 11 orë është pranë pacientit. Po ashtu, një vërejtje ka qenë për ndarjen e shtesave, mirëpo të shohim në të ardhmen se si do të përmirësojmë këtë gabim që ka ndodhur, do të thotë të ndahet infermieri dhe mjeku përderisa punojnë në të njëjtin ambient dhe me të njëjtit pacientë”, tha ai.

Ai tha se s’ ka asnjë arsye që këto kërkesa themelore të infermierëve të mos realizohen.

“Jam shumë i bindur që mbi bazën e vullnetit të Ministrit të Shëndetësisë dhe mbi bazën e asaj që do ta gjejmë bashkë me ShSKUK-në që këto kërkesa meqenëqë s’ ka arsye që të mos realizohen meqenëqë janë jashtëzakonisht jetike për këtë komunitet dhe për punën dhe angazhimin që e kanë ata sidomos në këtë kohë të pandemisë”, tha ai.

The post ​Infermierët kërkojnë nga Zemaj plotësimin e kërkesave të tyre appeared first on Insajderi.

Related posts