100 milionë amerikanë plotësisht të vaksinuar



Shtëpia e Bardhë tha të premten se 100 milionë amerikanë tani janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19, gati dyfishi i 55 milionë vaksinimeve që ishin realizuar deri një muaj më parë.

Koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për pandeminë e COVID-19, Jeff Zients e quajti “moment historik” arritjen e këtij numri në një konferencë shtypi të premten.

“Njëqind milionë amerikanë tani janë me një ndjenjë lehtësimi dhe qetësie shpirtërore, duke ditur që pas një viti të gjatë dhe të vështirë, ata janë të mbrojtur nga virusi”, tha zoti Zients.

Çdo amerikan mbi 16 vjeç tani kualifikohet për të bërë vaksinën dhe Presidenti Joe Biden ka premtuar se do të ketë doza të mjaftueshme për çdo amerikan të rritur deri në fund të majit.

Situata në Shtetet e Bashkuara është në kontrast të plotë me atë në Indi, ku pandemia e koronavirusit po del jashtë kontrollit. Sipas ministrisë së shëndetësisë të Indisë, vetëm 2% e popullsisë së vendit është vaksinuar plotësisht, bazuar në të dhënat e marra deri ditën e enjte. Të premten, ministria e shëndetësisë raportoi 386.452 infeksione të reja.

Shih edhe:  Shkatërrohet ura prej xhami, turisti mbetet i varur në lartësinë 100 metra

Në bazë të shifrave zyrtare, në India janë shënuar mbi 300,000 raste të reja në ditë për nëntë ditë rresht, por mediat indiane njoftojnë se disa ekspertë të shëndetit publik besojnë se numri aktual i infeksioneve të reja mund të jetë të paktën pesë herë më i lartë.

Ndihma nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera arriti në Indi të premten. Ndihma amerikane përfshin furnizime me oksigjen, teste të shpejta diagnostikuese dhe materiale për prodhimin e vaksinave.

Vala e dytë e koronavirusit ka mbingarkuar sistemin e kujdesit shëndetësor të Indisë, ku disa spitale tashmë po funksionojnë me kapacitet të plotë dhe ka një mungesë akute të oksigjenit që e ka përkeqësuar gjendjen tashmë të rëndë. Shumë parqe dhe vend-parkime të makinave janë shndërruar në krematorë të improvizuar që po punojnë ditë e natë për të djegur trupat e pajetë.

Shih edhe:  ​Vdekja e tre familjarëve nga Gjilani në Shqipëri, flet mjeku që iu dha ndihmën e parë

specialistët indianë të shëndetit publik kanë fajësuar variantet më ngjitëse të virusit për përhapjen e tij të shpejtë dhe lehtësimin e kufizimeve për grumbullimet e turmave të mëdha që hyri në fuqi në fillim të viti, kur mendohej se pandemia ishte vënë nën kontroll.

Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë më shumë raste të raportuara të infeksioneve me Covid-19 se India. Sipas shifrave të publikuara nga Universiteti Johns Hopkins, në Shtetet e Bashkuara deri më tani janë raportuar më shumë se 32 milionë infeksione, ndërsa në Indi 18.3 milionë.

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të premten se të gjithë të rriturit francezë do të kualifikohen për të bërë vaksinën duke filluar nga 15 qershori. Aktualisht, vetëm personat me sëmundje kronike mund të bëjnë vaksinën.

Më shumë se një e katërta e punonjësve të kujdesit shëndetësor britanik thonë se kanë rezerva për vaksinën ndaj COVID-19. Arsyet e ngurrimit të tyre përfshinin disa teori konspiracioni dhe mungesën e njerëzve me ngjyrë në provat klinike për vaksinat.

Shih edhe:  Në ShSKUK po trajtohen 409 pacientë me koronavirus

Agjencia e lajmeve Reuters tha të ejten se kompania Pfizer ka filluar eksportimin jashtë vendit të dozave të vaksinave të prodhuara në një nga fabrikat e saj në Shtetet e Bashkuara. Dërgesa e parë u eksportua në Meksikë.

Ndërkohë, kreu i agjencisë rregullatore të ilaçeve në Australi tha të enjten se s’ ka prova se vaksina AstraZeneca ishte përgjegjëse për vdekjet e dy personave menjëherë pas imunizimit të tyre.

Dy burra në shtetin New South Wales, përfshirë një në të 70-at, vdiqën disa ditë pasi bënë vaksinën.

Vaksina AstraZeneca është ndeshur me probleme në fushatën e vaksinimit në të tërë botën. Shumë vende kanë pezulluar përdorimin e saj pas njoftimeve të para për efekte anësore si mpiksja e gjakut dhe tromboza tek një numër personash që kishin bërë vaksinën, duke përfshirë një numër të vogël vdekjesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *