Pandemia në Kosovë filloi me dy rastet e para më 13 mars, një në komunën e Klinës dhe një në komunën e Vitisë.
Dr.Fadil Zuka, specialist i mjekësisë familjare, ishte mjeku i parë nga Vitia që humbi luftën me COVID-19 dhe shënoi rastin e parë të vdekjes së një mjeku nga koronavirusi. Në kohët më të vështira Zuka kishte shërbyer në Ambulantën e Shoqatës Humanitare Nënë Tereza në Viti, e pastaj edhe në Pozheran.
Ai humbi betejën me koronavirus në moshën 62-vjeçare, derisa ishte duke punuar aktivisht në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti.

Kirurgu Ali Tolaj, humbi jetën nga COVID-19 në moshën 59 vjeçare. Ai kishte specializuar në vitin 1995, ndërsa kishte shërbyer si mjek në Spitalin e Gjakovës në fund të viteve të 90-ta, duke ndihmuar UÇK-në.

Internisti-Reumatologu po ashtu professor, Sylejman Rexhepi ishte mjeku i tretë që u bë viktimë e koronavirusit në moshën 67-vjeçare. Rexhepi njihet si bartës i projektit shkencor mbi ethet reumatike në Kosovë në vitet 1987-89.

ndërsa në moshën 56-vjeçare ka humbur jetën Dr.Lulzim Kolgjeraj. I ndjeri ka shërbyer në mjekësinë primare në Prizren për rreth tri dekada.

Dr.Kujtim Zarari ishte një prej mjekëve që humbi jetën nga koronavirusi në moshën më të re, 51 vjeçar. Ai ishte Drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.

Një tjetër mjek që ndërroi jetën nga komuna e Vitisë është doktor Feti Hetemi. Internisti dhe nefrologu ka humbur jetën më 19 gusht në Qendrën Klinike Universitare ku po trajtohej nga kolegët e tij, të cilët fatkeqësisht humbën betejën me koronavirus.

Doktor Burim Krasniqi ose siç njihej ndryshe Dr. Buki, gjinekologu i njohur s’ mundi ta mposhtë koronavirusin. Po ashtu edhe Doktor Burim Krasniqi, ishte humbje shumë e madhe e stafit mjekësor në Kosovë.

Doktor Minafir Beshiri, është mjeku nga komuna e Dragashit i cili humbi jetën nga koronavirusi. I ndjeri kishte shërbyer në mjekësinë familjare në Dragash. Ai ishte njëri ndër mjekët e dekoruar nga presidentja.

Me 31 tetor ndërroi jetë Safet Idrizi. I ndjeri shërbeu si specialist i mjekësisë familjare në Vushtrri. Ai vdiq në moshën 63-vjeçare. Gjatë përvojës së tij si mjek, Idrizi kishte udhëhequr edhe Qendrën Kryesore të Mjeksisë Familjare në Vushtrri. Idrizi po ashtu kishte kontribuar si mjek gjatë luftës në Kosovë duke ndihmuar UÇK-në.

Specialisti i fizatrisë nga Suhareka ka humbur jetën më tetë nëntor. Sedat Hoti shërbeu në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit si shef i shërbimeve të terapisë fizikale. Ai u nderua nga presidentja me medaljen e meritave, si një nga mjekët që humbën jetën nga koronavirusi derisa ishte aktiv duke punuar në spital.

Doktor Gëzim Berisha, specialist i pediatrisë ka humbur jetën më 5 dhjetor. Ai ka shërbyer në spitalin e përgjithshëm në Pejë ku ishte infektuar duke punuar me pacientë të sëmurë me koronavirus. Berisha ka kontribuar edhe si mjek në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dentisi Kujtim Macula nga Mitrovica është një nga të dekoruarit nga presidentja Osmani për kontributin gjatë pandemisë. Medaljen e ka pranuar vajza e tij ,Diellza, e cila e ka falënderuar Osmanin për vlerësimin e kontributit të babait të saj.

Një tjetër mjek që e humbëm gjatë kësaj jave, është specialisti i dermatologjisë Nijazi Ahmeti. I ndjeri është trajtuar nga kolegët e tij në QKUK për disa ditë, por fatkeqësisht s’ arriti t’i mbijetojë “monstrumit” Covid-19, siç e kishte quajtur vet ai gjatë kohës sa ishte i shtrirë në spital.

Një tjetër mjek s’ ka arritur ta fitojë betejen me koronavirusin. Doktor Nexhip Berisha vdiq dje, i konfirmuar pozitiv me COVID-19. Doktor Nexhip Berisha kishte shërbyer në Spitalin e Prizrenit për shumë vite me radhë ka qenë në shërbim të pacientëve, ai po ashtu ishte Drejtor Komunal i Shendetësisë në Prizren.

Nga fillimi i pandemisë në Kosovë deri më sot kanë humbur jetën nga koronavirusi mbi 20 punëtorë shëndetësorë, shumica prej të cilëve kanë qenë aktiv duke punuar në institucionet shëndetësore.
ndërsa, për të nderuar kontributin e tyre, ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani javën e kaluar ka dekoruar 18 prej tyre me medaljen e meritave. /Familjajonë/