20 vite në terr për rastin e vrasjes së Xhemail Mustafës

loading...


Janë bërë 20 vite që nga vrasja e zëdhënësit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe gazetarit Xhemail Mustafa. Ky 20 vjetor akoma gjejnë rastin e pazbardhur dhe askënd të dënuar për këtë vrasje.

Më 23 nëntor 2000, veprimtari politik ishte qëlluar për vdekje nga dy persona të armatosur në hyrjen e banesës së tij në Dardani të Prishtinës, pranë së cilës si kujtim dhe nderim gjendet shkolla fillore e cila mban emrin e tij.

Mustafa kishte vdekur pas plagëve të shumta me armë zjarri në kokë dhe në trup.

Nga viti 1997, deri në kohën e vdekjes së tij, Mustafa ishte këshilltar i lartë për media i ish-presidentit Ibrahim Rugova, pas një periudhe si zëdhënës i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Atëkohë, Assosiated Press(AP) kishte raportuar për vdekjen e Mustafës.

“Mijëra vajtues dolën të premten për të varrosur Xhemail Mustafën, këshilltarin e lartë të politikanit të moderuar të Kosovës Ibrahim Rugova, i cili u vra me armë në shkallët e ndërtesës së tij të banesës në Prishtinë të enjten ” shkruhet në një artikull nga arkiva e AP-së.

LDK-ja e tij kishte fituar në zgjedhjet komunale në 28 tetor, pranë një muaj para vrasjes së Mustafës.

Në kohën para vrasjes së tij, Mustafa shkruante artikuj gazetash duke denoncuar dhunën kriminale në Kosovë që kishte lindur pas ndërprerjes së armiqësive në 1999 në Luftën e Kosovës.

Vrasja e Mustafës ishte vrasja e tretë e tillë në dy muaj, pas vrasjeve, të një arkitekti të shquar shqiptar dhe një gazetari të shquar shqiptar.

Në vitin 2012, u raportua se autoritetet ishin pranë arrestimit të vrasësve të Mustafës, të cilët u identifikuan si një anëtar legjislativ dhe një oficer policie.

Atëkohë, Agjencia e lajmeve Reuters, transmetoi BBC, kishte shkruar se një dëshmitar okular i kishte thënë agjencisë se Xhemail Mustafa u qëllua, ndërsa ai dhe një person tjetër po ngjitnin shkallët në hyrje të bllokut të tij të banesave në rrethin Dardania.

“Më parë, forcat paqeruajtëse të NATO-s mbyllën një rrugë kufitare midis Kosovës dhe një zone të Serbisë gjoja të kontrolluar nga separatistët shqiptarë, në përgjigje të përplasjeve me policinë serbe në fillim të javës” shkruante BBC.

Sipas BBC-së dëshmitarët e të shtënave në Prishtinë thanë se një turmë u mblodh në rrugë pas të shtënave, e cila u zhvillua në një zonë të populluar dendur të qytetit të mbushur me bare, kafene dhe blloqe shumëkatëshe të banesave.

Sipas artikullit, trupat KFOR-it kishin mbyllur zonën ndërsa policia filloi hetimet e tyre.

Veprimtari politik, Xhemail Musatafa kishte shkruar një libër për përjetimet gjatë luftës në Kosovë të quajtur “Një lutje për Prishtinën.”

Në 385 faqet e këtij libri rrëfehen përjetime lufte, frike, ballafaqimi me vdekjen e luftën për mbijetesë.

Faqet e librit përmbajnë 78 net frikë, kurajo, e shpresë të rrëfyera nga banesa e Mustafës së bashku me gruan, djalin dhe vajzën e tij, banesa para së cilës edhe u vra.

Besian Mustafa, i biri i Xhemail Mustafës është ministër i Bujqësisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

E bija e tij, Berianë Mustafa vitin e kaluar ishte shprehur e zhgënjyer nga institucionet e vendit për mos ndriçimin e vrasjes së babit të saj.

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me anë të një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka përkujtuar aktivistin e LDK-së, Xhemail Mustafën, në 20 vjetorin e vrasjes.

Ajo e ka cilësuar Mustafën si një ndër personalitetet më të rëndësishme të lëvizjes politike të viteve ’90 për liri dhe pavarësi.

“Xhema qe i veçantë, siç qe e veçantë urtia dhe sjellja e tij në politikë dhe në jetë. Ai qe guximtar i vendosur, vizionar dhe këmbëngulës në qëndrimet e tij, por i butë në sjellje, ashtu siç qe edhe Presidenti Rugova”, ka shkruar Osmani.



Related posts