Rreth 200 operacione në ditë po anulohen për shkak të grevës së kirurgëve

0





Rreth 200 operacione në ditë, aq sa kryhen brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë duke u anuluar për shkak të grevës së mjekëve kirurgë, që po zgjatë tash e tre javë.



Megjithëkëtë, mjekët kirurgë ishin ata që kishin vendosur ta vazhdojnë grevën. Kërkesa e tyre është rritja e pagës përmes miratimit të Projektligjit për pagat, i cili aktualisht është në procedurë të miratimit.


Arbër Morina, kirurg, i tha Radios Evropa e Lirë se kolegjiumi profesional i kirurgëve ka vendosur që greva të mos ndërpritet. Sipas tij, grevës tashmë i janë bashkuar 157 kirurgë nga gjithë Kosova.
Ndër të tjera, Morina tha se ndonëse është marrë vendimi për ndërprerjen e grevës nga ana e Sindikatës së Shëndetësisë, një gjë e tillë nuk është respektuar nga këta të fundit, pasi që siç thotë ai, kjo sindikatë asnjëherë nuk i ka përfaqësuar denjësisht kirurgët.
“Arsyeja pse kolegjiumet profesionale të kirurgëve jemi në grevë është se Sindikata asnjëherë nuk na ka përfaqësuar denjësisht apo më saktë, asnjëherë nuk e ka çuar deri në fund kërkesën e profesionistëve shëndetësorë, andaj edhe shëndetësia është në gjendjen që është”.
“Ne jemi kolegjium profesional i pa politizuar, pa ngjyrime politike dhe jemi grupi më i madh i intelektualëve të Kosovës. Jemi 157 kirurgë terciarë dhe nuk jemi grup i vogël, dhe nëse quhemi grup i vogël, është për të ardhur keq”, tha Morina.
Sipas Morinës, për këto 20 vjet pas luftës, kirurgët kanë bërë shumë, andaj nënvizon ai, ka ardhur koha që kjo punë të vlerësohet.
“Saktësisht kirurgët po kërkojnë koeficientin 10, nga 5 sa është diskutuar nga ana e Sindikatës, e që aktualisht jemi të ranguar edhe më poshtë”, tha Morina, duke iu referuar koeficientit të pagës.
Ndryshe, për punën që kryejnë mjekët specialistë paguhen me rreth 600 euro në muaj.
Ndërkohë, Arbër Morina thotë se edhe pse janë ndërprerë ndërhyrjet kirurgjike apo operacionet, rastet urgjente po kryhen dhe nuk po cenohet jeta e asnjë pacienti.

“Asnjë rast urgjent nuk ka mbetur pa trajtuar. Janë të ndërprera shërbimet selektive kirurgjike, e që nënkupton që janë ndërprerë 200 operacione ditore në QKUK. Këto operacione nuk janë duke u kryer dhe kjo është pamundësuar për shkak të neglizhencës që po na bëhet”, tha Morina.