Gjinekologu Ahmeti u shënjestrua pa të drejt për rastin e të dhunuarës në Drenas

0
Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve ka reaguar lidhur me rastin e vajzës nga Drenasi , e cila pas keqtrajtimit seksual nga hetuesi policor Vesel Veseli kishte mbetur shtatzënë, ndërsa kishte kryer abort në klinikën private të gjinekologut Fehmi Ahmeti.
Sipas kësaj shoqate, gjinekologu Ahmeti është shënjestruar pa të drejtë, pasi që nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore në këtë rast.
“Ju informojmë se bazuar në Ligjin për Ndërprerjen e Shtatzënisë Nr. 03/L-110 të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës: Çdo grua mbi 18 vjeç ka të drejtë të vendosë lirshëm për ndërprerjen e shtatzënisë sipas kritereve të këtij ligji. Ndërprerja e shtatzënisë mund të bëhet deri në fund të javës së dhjetë të shtatzënisë duke llogaritur nga dita e parë e ciklit menstrual. Ndërprerja e shtatzënisë bëhet në institucionet shëndetësore nga mjeku specialist obstetër/gjinekolog i licencuar. Termini për ndërprerjen e shtatzënisë caktohet së paku dy ditë pas vizitës së pare”, citon ShOGJK nenet ligjore.
“Ju kujtojmë se është brenda detyrave profesionale që mjeku obstetër/gjinekolog të kryejë diagnostikimin dhe trajtimin e çështjeve e problemeve shëndetësore të pacienteve. Duke u bazuar në sa u tha më sipër konsiderojmë se anëtari i ShOGjK Dr. Fehmi Ahmeti është shënjestruar pa të drejtë, por kërkojmë nga organet kompetente që sa më parë ta sqarojnë rastin dhe të ndërpritet njollosja profesionale dhe personale e cilido prej nesh”, thuhet në fund të reagimit