Të jesh a të mos jesh mjek

0

Shkruan: MYFTAR BARBULLUSHI – Nefrolog në Pavijonin e sëmundjeve të veshkave e të dializës

Të bëhesh mjek” duket se të shpie në rrugë malore, me dredha e, për
më tepër, në një rrugë jashtëzakonisht të gjatë dhe të vështirë. Kjo zë
fill me jetën studentore, e cila kushtëzohet nga një studim sistematik,
të paktën 4-5 orë në ditë, kur duhen gjetur edhe kocka skeletesh për
studim apo duhet qëndruar me orë përpara kufomave.  Nuk e di pse, por
kjo më ngjan shumë me rrugën e mundimshme të Sizifit e gurin e tij. Nëse
do të më kërkohej ta bëja përsëri, nuk jam i bindur. se do të mund të
gjeja forcën për ta përballuar këtë rrugëtim. Por, nga ana tjetër, nëse
do të më kërkohej të zgjidhja një tjetër rrugë, nuk e di a do të gjeja
sërish atë “drogë”, atë “magji” të veçantë që ofron rruga e formimit të
mjekut.

Më lejoni t’ju ftoj të “udhëtojmë” virtualisht në jetën plot dritë e
hije të një mjeku, nga dita e parë e punës në ditën e parë të pensionit.
Sa ëndrra e legjenda mbushin jetën studentore mbi diagnoza të vëna si me magji në pak sekonda nga mjekë me emër!
– Përse ju nuk thelloheni në elementet diagnostike e laboratorike, por
nxitoheni në vënien e diagnozës? – i thoshte zv.ministrja e Shëndetësisë
në vitet 70’, doktor Theodhosit.
– Keni të drejtë, – u përgjigj mjeshtri plak, – por unë nuk rri dot pa
folur kur në sytë tuaj shoh që ju vuani nga hepatiti, verdhëza.
Dy ditë më pas, kur u bënë të gjitha analizat, ajo i kërkoi falje që e
kishte përzënë nga zyra. Ne, studentët ëndërrimtarë, u mrekulluam.
Ëndrra vazhdoi gjatë, shpesh pa e ditur pse shumë prej këtyre ëndrrave
nuk bëhen kurrë realitet.

Asgjë normale, ose të paktën natyrale, nuk kujtoj kur vura për herë të
parë këmbën në spital: korridore të gjata, të lyera me bojë vaji,
gjithmonë të ndriçuara, rrëmujë bluzash të bardha dhe familjarësh,
pizhame me vija që të kujtonin të burgosurit dhe një përzierje e
çuditshme e erës së ilaçeve me erën e ndenjur të çarçafëve të spitalit.
Kjo panatyrshmëri ishte veçanërisht e dukshme për mua kur i rruar e i
veshur me kujdes, por nervoz dhe i etur për të mësuar, hyra si student i
vitit të tretë të Mjekësisë në ditën time të parë të ciklit të
kirurgjisë. Ndërsa bashkohesha me grupin, një mjek i ri, kapadai në
dukje, apo i krekosur para vajzave të bukura të kursit tim, me këmbët
kryqëzuar mbi tryezë dhe me kafen e natës së mëparshme në dorë, i
thoshte kolegut më të vjetër duke i përshkruar një rast të ndjekur gjatë
rojës së natës: “Ai erdhi me një dhimbje të lehtë barku dhe përfundoi
me infarkt në kardiologji”. Ky përshkrim më tingëlloi asokohe si për të
qeshur. Çuditërisht ai ndjehej shumë komod teksa na shpjegonte ne
simptomat, ndërsa mua më dukej se ora e mësimit s’do të mbaronte kurrë.
Nëse do të përpiqesha të përmblidhja emocionalisht jetën studentore, do
të më mjaftonin refleksionet personale, të paharruara edhe sot, për
përvojën time të parë në spital, të cilat janë sa qesharake, aq dhe
naive, edhe pse në atë kohë mbartnin emocion dhe shumë përgjegjshmëri.
Me dy fjalë, ajo që kujtoj nga ato fillime është sa qesharake, aq edhe
tronditëse. Kam parë foshnjë 24-orëshe të vdesë. Kam parë njerëz të
zhveshur në lakuriqësi e të veshur me siklet. Kujtoj autopsinë e një
gruaje të re të vetëhelmuar nga një dështim në dashuri. Kam pritur një
bebe vetëm fare, pasi mjeku roje po flinte.

Kanë kaluar shumë vite dhe rrëmuja nëpër korridore më duket se është
qetësuar shumë, edhe era e  barnave dhe e plaçkave të spitalit më është
bërë shumë familjare, madje as vijat e pizhameve nuk ma tërheqin më
vëmendjen, në mos qofshin të grisura. Por, përtej këtij familjarizimi,
kontakti i parë i mjekut të ri me të sëmurin është si të të zhysin me
kokë në ujë. Hyn në një botë të huaj, për të cilën, jo rrallë, kanë
vendosur prindërit e tu dhe jo ti vetë, ku përballesh me vështirësi dhe
përvoja të jashtëzakonshme, ku fatkeqësisht rregullat që përcaktojnë
reagimet ndaj këtyre përvojave janë të paqarta. Hyn në një botë ku
sëmundja dhe vdekja rrinë këmbëkryq së bashku, pavarësist nga dëshira
jote donkishotiane për t’i “ndarë”.

Gjithsesi, përtej traumës së rëndë që shkaktojnë humbjet e jetës së
pacientëve, përvoja e forcon mjekun dhe ai së bashku me punonjësit e
tjerë të spitalit zhvillon një sërë mekanizmash mbrojtëse apo disa
mënyra përshtatjeje. Transformimi i së jashtëzakonshmes në diçka të
rëndomtë, e ngjashme me mësimin e notit, është pasojë e paevitueshme në
jetën e një mjeku, si një formë mbijetese. Pasioni, puna shkencore dhe
ajo klinike, eksperiencat pozitive dhe negative, ndarja me mjekët më të
vjetër e mendimeve dhe emocioneve personale i fuqizojnë ata që jo vetëm
të marrin në kontroll këtë transformim, por ta përdorin atë në rritjen e
kujdesit ndaj të sëmurit me profesionalizëm e dhembshuri.

Gjithsesi, i vetëdijshëm për vështirësitë e komplikuara e sfidat e
mrekullueshme që përcaktojnë jetët e mjekëve, sidomos të atyre që sapo
janë zhytur në detin e pafund të profesionit, përvoja shumëvjeçare më ka
shtyrë jo vetëm që ta ushqej këtë vetëdije esenciale, por edhe  t’u
përcjell kolegëve, tashmë të rinj, një mesazh, ma do mendja të dobishëm,
për vitet e mia të rinisë profesionale. Thjesht duke i parë ata në sy,
më pas duke vështruar përreth: “Ky është uji, koleg, zhytu. Nëse nuk do
të guxoni, ju kurrë nuk do të mësoni të notoni” .

Kalojnë vitet e rritet përgjegjësia, angazhimi, shtohen detyrimet dhe më
e vështira, komplikohen raportet njerëzore. Marrëdhënia me të sëmurët,
që fatkeqësisht kanë humbur shpresën për të jetuar, mbart dhimbje dhe
përgjegjësi. Barra më e madhe që jeta i vë përpara mjekut janë probleme
të etikës, të moralit. Nuk është e lehtë të jesh njeri i etikës.
Gjithsesi, krenaria për të bërë, për të hapur rrugë të reja, me tharmin e
sfidës brenda saj, është më e fortë se çdo ndjenjë tjetër. Për fat,
përveç se sfidë, të jesh mjek do të thotë edhe privilegj, pasi sfida në
vetvete mbart dhe privilegjin. Në jetën e një mjeku  asnjë ditë nuk i
ngjan tjetrës. Progresi i shpejtë i saj është ilaçi më i mirë për të
mbajtur mendjen të freskët dhe aktive. Fatkeqësisht, jo rrallë,
intensiteti emocional prodhon stres, i cili i hap rrugën depresionit.

Kalojnë vitet dhe herë pas here t’i kthen kokën pas e tenton të bësh
ndonjë bilanc, të paktën moral, për zgjedhjen tënde apo të prindërve të
tu. E kam të pamundur të them që ky bilanc më rezulton pozitiv apo
negativ. Pikërisht këtu fillon dilema. Në momente kritike të shëndetit
mjekët kthehen në Zot dhe ne i falemi hyjnisë së tyre duke u ofruar
trupat dhe shpirtrat tanë, pa ditur kostot që ata paguajnë për këtë
privilegj që u bëjmë. Pikërisht ky pushtet, së bashku me magjinë e
vënies së diagnozës, janë “droga” që në rini të nxit të zgjedhësh këtë
profesion. E prapë se prapë, paradoksalisht, ata janë qeniet më të
brishta njerëzore. Jetëgjatësia e tyre është më e ulëta, së bashku me
njerëzit e ligjit. Shkalla e vetëvrasjes dhe e varësisë ndaj drogës,
ndër ta, është disa herë më e lartë se mesatarja. Orë e orë pranë
librave, të sëmurëve, në klinikë apo spital, natën apo ditën, do të
mjaftonin për të cenuar integritetin familjar, produktin familjar,
fëmijën. Divorcet dhe problemet e edukimit të fëmijëve të tyre janë një
shqetësim e realitet. Pa harruar kontaktin real me gjakun, urinën,
virozat e, pse jo, tuberkulozin apo SIDA-n. Është kjo arsyeja, që jo më
kot, ata konsiderohen me plot të drejtë si “shëruesit e sëmurë”. A e
përligj këtë sakrificë të tyre, nëpërmjet një trajtimi të veçantë,
shoqëria, e sidomos shoqëria shqiptare?

Kalojnë vitet dhe ti kupton se në këtë botë asnjë nuk mund të vendosë
pikë; ekziston vetëm pikëpresje. Nuk mund të kemi iluzione, duhet t’ia
lëma vendin të tjerëve. “Pasi mora librezën e pensionit në spitalin ku
kisha punuar 40 vjet, – rrëfen një profesor amerikan, – mora rrugën për
në shtëpi. E çuditshme! Pemët, dyqanet, trotuaret, fasadat e pallateve,
kalimtarët, më ofronin aq gjëra të veçanta që unë megjithëse e kisha
bërë këtë rrugë prej 40 vjetësh, i shihja për herë të parë. Siç duket
ishte hera e parë që unë nuk nxitoja, e para herë që ecja pa shqetësimin
e zakonshëm të një mjeku për natën e kaluar nga i sëmuri në gjendje të
rëndë, e para herë që kisha kohë të merresha me gjëra të tjera, të
vogla, por jo të parëndësishme në jetë, e para herë që unë kisha kohë të
mendoja se sa shumë kisha humbur në sakrificën time për jetët e të
tjerëve”. Nuk e di sepse duke shkruar këta rreshta m’u kujtuan disa
profesorë shqiptarë për meritën në edukimin profesional të shumë brezave
dhe për faktin që kishin vdekur në anonimat të plotë, deri dhe nga
qarqet spitalore. E dhimbshme! Asnjë rresht, asnjë fjali në shtypin tonë
të shkruar apo elektronik për idhujt tanë profesionalë si Josif Adhami,
Ilir Gjylbegu apo Ylvi Vehbiu, kur për një pakujdesi të një mjeku bëjnë
gjykime ekstreme edhe përpara njerëzve të ligjit. E shëmtuar. A duhet
të ndjehet më e detyruar karshi një jete në shërbim të jetëve të të
tjerëve, të paktën nëpërmjet një mirënjohjeje, shoqëria jonë?

Për ç’arsye ne i detyrohemi kaq shumë mjekut?
Nuk është se vlera që ai na ka
shitur tejkalon çmimin
Me të cilin ne e kemi blerë, por sepse ai,
ka bërë diçka
Personalisht për ne, duke na dhënë
jo vetëm dijen e tij
Por edhe dhimbsurinë e dashurisë njerëzore
Seneka, “De Beneficiis”, VI, XVI