Drejtori i QKMF-së së Lipjanit, e tregon të vërtetën e videos, ku një e moshuar priste për ndihmë mjekësore



Një qytetar M.S nga Lipjani, dje në llogarinë e tij Facebook ka publikuar një video, me të cilën ai pretendonte se mjekët dhe infermierët e Shtëpisë së Shëndetit nuk po e zbatonin orarin e punës.
Ai kishte shkruar madje, se nënës së tij, të cilën ai e shoqëronte, nuk i ofroi askush ndihmë mjekësore nga personeli, pasi që kishin filluar pauzën gjysmë ore më herët.
Por, drejtori QKMF-së në Lipjani, dr. Agim Krasniqi ka mohuar një gjë të tillë, derisa sipas tij kjo është e vërteta.
‘Mjeku ka qenë në kohën e rregullt të pauzës, (pacientja ka marrë shërbimin mjekësor menjëherë nga një mjek aty.
Qytetari nuk është paraqitur fare në recepcionin e QKMF-së, i cili është obligim i çdo pacienti të paraqitet në sportel dhe pastaj të orientohet te mjeku ku do të marrë shërbimin.
Infermieret kanë qenë në vendin e tyre të punës dhe me mirësjellje dhe pa asnjë paragjykim i kanë ofruar shërbimin e kërkuar shëndetësor, duke e përcjell pacientin deri te ordinanca e mjekut ku ka marrë shërbimin e kërkuar”, ka thënë për IndeksOnlinen Krasniqi.
Ai madje ka thënë se e gjithë kjo është e vërtetuar nga kamerat e sigurisë në institucionin e QKMF-së.
“Punëtorët shëndetësorë fillimisht janë njerëz, familjarë pastaj profesionistë shëndetësorë, por nuk janë hyjnorë as mrekullibërës! Mund të gabojmë si çdo njeri dhe nuk jemi të përsosur, por me këtë rast:
Konsiderojmë se është kryer një veprim i qëllimshëm dhe dashakeq ndaj institucionit dhe personelit shëndetësor nga ztr. Mejda Sopjani dhe si rezultat i këtij veprimi, konsiderojmë se ka kryer shkelje të dinjitetit të punëtorit shëndetësor në vendin e tij të punës dhe institucionit shëndetësor me incizimin dhe publikimin ne rrjete sociale pa lejen e këtyre punëtorëve shëndetësor dhe institucionit”.
Drejtori i QKMF-së në Lipjan gjithashtu ka treguar se kanë nisur procedurat e ankimit në të drejtat e punëtoreve shëndetësore të atakuar në këtë publikim me video dhe komente fyese, me qëllimin e parandalimit të këtij fenomeni dashakeqës ndaj institucioneve dhe punëtorëve shëndetësor, duke konsideruar se ka marrë përmasa shqetësuese si shoqëri dhe komunitet, ku si pasoj ka për qëllim mosbesimin e qytetarit në institucionet vendore dhe shkatërrimin e këtij mirëbesimi me qëllime të përfitimeve individuale dhe keqdashësve të shtetit të Kosovës./Indeksonline

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *