Kontratat me OJQ-të janë shfrytëzuar për të punësuar staf shëndetësor në QKMF

QKMF-Suharekë

QKMF-Suharekë

 

 Ligji për Prokurimin Publik në fuqi i njeh
OJQ-të si operatorë ekonomik, mirëpo në nenin 132/A të këtij ligji, përcaktohet
se Qeveria e Republikës së Kosovës me akt nënligjor përcakton rregullat,
standardet dhe procedurat e kontraktimit të shërbimeve publike për organizatat
e shoqërisë civile.

Në Kosovë nuk ka legjislacion adekuat, i
cili rregullon standardet dhe procedurat për kontraktimin e OJQ-ve për ofrimin
e shërbimeve publike nga ana e komunave, ministrive, agjencive të pavarura.
Në vitin 2017, Ministria e Financave ka miratuar rregulloren MF-NR–04/2017 mbi
Kriteret, Standardet, dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve. Mirëpo, kjo
rregullore nuk e rregullon çështjen e kontraktimit të shërbimeve që ofrohen nga
OJQ-të.

Në kuadër të monitorimit të prokurimit
publik në komuna, INPO ka hasur në katër (4) aktivitete të prokurimit që kanë
rezultuar me lidhjen e kontratave publike për shërbime me OJQ, të cilat kanë të
bëjnë më ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Në asnjërën nga këto aktivitete të
prokurimit nuk është shënuar se kontraktimi i shërbimeve është planifikuar të bëhet
nga OJQ-të.

Konkretisht, INPO ka monitoruar këto kontrata: (i) “Shërbime për
realizimin e vitalizimin e infrastrukturës për funksionalizimin e
projektit shtretërit shtëpiakë” në komunën e Suharekës me vlerë prej
219,725.50€ në kohëzgjatje prej 12 muajsh; (ii) “Kujdesi
SocioShëndetësor shtëpiak dhe ambulantor për qytetarët e komunës së
Prizrenit” në Prizren me vlerë prej 219,725.50€ në kohëzgjatje prej 12
muajsh; (iii) “Shërbime Profesionale për QKMF dhe Administratën
Komunale” në Gjilan me vlerë prej 539,600€ në kohëzgjatje prej 36
muajsh; si dhe në komunën e Shtimes (iv) “Kujdesi shtëpiak paliativ i të
sëmurëve”, për të cilën INPO nuk të dhëna për vlerën reale të kontratës
dhe kohëzgjatjen e saj. INPO ka gjetur se për këto kontrata kishte
vetëm një (1) ofertues, një OJQ, e cila edhe i ka fituar të gjitha këto
kontrata. Nga hulumtimi i këtyre kontratave, rezulton se në dosjet e
tenderit të tri (3) kontratave, 62 specifikimet teknike të detyrueshme
janë identike më njëra tjetrën dhe vetëm sasia është e ndryshme.

Zyra për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka
deklaruar për INPO-n se “Licencat janë një parakusht për të aplikuar për
ofrimin e shërbimeve përkatëse dhe kjo vlen edhe për ofruesit e tjerë
të shërbimeve, përveç ofruesve të shërbimeve shtetërore.”

Të gjeturat tregojnë se OJQ “Caritas Kosova”, fituese e këtyre
kontratave është e licensuar vetëm në ofrimin e shërbimeve sociale dhe
familjare, respektivisht “Ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare për
persona të moshuar, persona me aftësi të kufizuara dhe fëmijë të
margjinalizuar në nivel nacional. Nr. i licencës 30/2018.

Tutje, Komuna e Prizrenit dhe Suharekës, nuk kishte kërkuar listën e
punonjësve shëndetësorë dhe nuk kishin kërkuar dëshmi se punonjësit
shëndetësorë janë të licensuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

INPO vlerëson së komunat respektive gjatë udhëheqjes së procedurave
për të kontraktuar shërbime mjekësore dhe ambulantore nga OJQ-të kanë
vepruar në kundërshtim me bazën ligjore.

Në bazë të hulumtimit, INPO ngritë dyshime se këto kontrata janë
shfrytëzuar për të punësuar staf shëndetësorë në Qendrat e Mjekësisë
Familjare të Komunave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *