50 punëtorë shëndetësorë në Spitalin e Gjilanit të infektuar me COVID-19

loading...


Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se 50 punëtorë shëndetësorë në Gjilan janë të infektuar me COVID-19.

Zemaj ka bërë të ditur se në Spitalin e Gjilanit janë të shtrirë 68 pacientë.

“Gjatë 24 orëve të fundit, për Gjilan u konfirmuan edhe 19 raste të reja pozitive me COVID-19. Në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, numri i pacientëve me virus është 68, ndërsa nga personeli shëndetësor 50 janë pozitivë me COVID-19 dhe në vetizolim janë 8 mjekë”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Ai ka thënë se sonte, gjatë vizitës në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, ka kërkuar që të vazhdohet të bëhet e pamundura, duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet, gjithsecili me detyrën, përgjegjësinë dhe përvojën.

“Pengimi i përhapjes dhe luftimi i virusit në S.P. të Gjilanit po vazhdon, me intensitet dhe vëmendje të shtuar”, ka deklaruar Zemaj.

Ministri ka kërkuar nga qytetarët që të mbajnë maskën dhe distancën.

“Virusi vdekjeprurës do ndalur. Me maskë, distancë dhe higjienë, aktualisht s’kemi rrugë tjetër. Kërkoj nga qytetarët të ndryshojnë sjelljet e deritashme, meqenëqë, duam rezultate tjera”, ka përfunduar Zemaj.

Në 24 orët e fundit 707 persona kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 përderisa 10 të tjerë kanë humbur jetën.



Related posts