9 muaj pandemi dhe masa kufizuese, Kosova akoma s’e ka bërë hapin e parë drejt Rimëkëmbjes Ekonomike

loading...


Që nga marsi kur në Kosovë është lajmëruar rasti i parë me koronavirus, shteti ka bërë shumë pak për t’i riparuar dëmet ekonomike të shkaktuara nga pandemia e virusit COVID-19.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti s’ po arrin kurrësesi t’i sigurojë votat e nevojshme për ta votuar Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike dhe këtu s’ po gjen përkrahje as tek votat e opozitës, shkruan lajmi.net.

Aktualisht, Kosova është nën masa shtërnguese për të parandaluar numrin e madh të rasteve me koronavirus që është më i larti që nga fillimi i pandemisë në Kosovë.

Ora policore, ndalimi i aktiviteteve ekonomike pas orës 19:00 dhe shtërngimet në gastronomi dhe aktivitete ekonomike kanë bërë që në Kosovë të ketë rënie në qarkullimin e të hollave mbi 1 miliardë euro që nga fillimi i pandemisë.

Kosova tani ka mbi 12 mijë raste aktive dhe lirimi i masave s’ është në konsideratë nga autoritetet përkatëse, por në anën tjetër s’ shihet shpresë për votimin e Ligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike.

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka nënshkruar marrëveshje me Bashkimin Evropian që i sjell Kosovës në arkat e saj 26,5 milionë euro për luftimin e pandemisë, por nga BE kanë bërë apel që të votohet Ligji i Rimëkëmbjës.

Këto thirrje të BE-së janë bërë gjatë ditës së djeshme kur Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka pritur në takim shefin e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Tomáš Szunyog

Në këtë takim, dy palët shprehën nevojën urgjente për aprovimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Thirrje për votimin e Ligjit të Rimëkëmbjes ka bërë edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ku i ka bërë thirrje qeverisë t’i sigurojë votat për këtë.

“Lajme te mira! BE-ja vazhdojnë të bëjnë atë që e premtojnë duke mbështetur partnerin tonë të besuar, Kosovën, me kontribute të konsiderueshme financiare në luftën kundër pandemisë. Do të ishte gjithashtu mirë Nëse Qeveria së shpejti do të mblidhte shumicën për të miratuar më në fund Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike”, ka shkruar ambasadori Rohde.

Odat Ekonomike të Kosovës kanë shprehur shqetësime të thella lidhur me mos-votimin e Ligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike që do t’i ndihmonte bizneset dhe disa do t’i shpëtonte nga falimentimi.

Vendimit për masat e reja në Kosovë i ka reaguar para 2 javësh edhe Oda Amerikane e Kosovës ku kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me mbijetesën e sektorit privat.

E nga Oda Ekonomike e Kosovës, kreu i kësaj ode tha se çdo masë izoluese në Kosovë pa masa të Rimëkëmbjes do të ishte fatale për bizneset dhe ekonominë dhe do të rezultonte me shuarjen e shumë bizneseve.

Për mungesën e Ligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike, për lajmi.net specialisti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu kishte thënë se do të jetë vonë kur të votohet dhe se ndihma për bizneset e sektorit privat s’do ta ketë efektin e njëjtë.

“Është koha kur duhet të bëhet më tepër sesa që flitet përderisa vetëm atëherë kur ndihmohet sektori privat, dhe vetëm atëherë mund të merren masa për mbyllje, por kjo lloj mbyllje përveç gjurmëve ekonomike dhe sociale, lë gjurmë negative psikologjike në masë dhe humben shpresat që shteti do t’i mbështesë bizneset. Kosova është në tri ose katër pandemi njëherësh dhe për mua është alarmante pandemia ekonomike që e ka kapluar Kosovën dhe masat e vonuara s’do ta kenë efektin e dëshiruar përderisa në aspektin teknologjik përjetohet ndryshe. Ndihma që do t’u ofrohet bizneseve më vonë s’ do ta ketë efektin e vet përderisa janë rritur kamatat, janë rritur borxhet dhe është prodhuar inflacion e kjo e godit qytetarin dhe biznesin. Dhe besoj së masat kur të merren, do të jetë e vështirë të kenë efektin.”, pati thënë Gërxhaliu ditë më parë për lajmi.net.

Lidhur me masat shtërnguese në Kosovë kanë reaguar shoqatat e bizneseve private të cilat kanë paralajmëruar protesta Nëse shtërngohen masat dhe qeveria s’ e ndihmon këtë sektor.

Aktualisht, në Kosovë flitet se mund të ketë shtërngim të masave, por në anën tjetër qeveria po e ka të pamundur t’i bëjë bashkë votat e nevojshme për votimin e Ligjit të Rimëkëmbjes.

Mbetet të shihet në vazhdim se cili do të jetë epilogu i rritjes së rasteve me koronavirus dhe krizës së madhe ekonomike që e ka kapluar Kosovën.

Vendet e rajonit dhe të Evropës kanë proceduar me hapat e tretë dhe të katërt të Rimëkëmbjës, ndërsa aktualisht në Kosovë akoma s’ është votuar hapi i parë.



Related posts