Mon. Jun 27th, 2022
© Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
Ag Apolloni

Ag Apolloni: Goethe – Haus

Unë erdha në shtëpinë tënde sivjet,
ti në shtëpinë time ke ardhë shekullin e kaluar.

Ishte fund i prillit e unë isha ende fëmijë
kur më more përdore më çove në tavernë.

Atë natë e hapa universin si një pergamenë.

Tash jam rritë,
në tavernë shkoj vetë dhe dehem sa të dua.
Herë qeras unë djallin, herë djalli mua.

Tash ti nuk je, e shtëpinë ta kanë bërë muze.
Nuk më lanë të prek asgjë tënden, as qelq, as letër.
Rojat më panë me bisht të syrit sikur e dinin
që shkrimtari i ri vjedh nga shkrimtari i vjetër.

Sot, n’shtëpinë tënde, nuk më pritën si mik, po si hajn,
këtu në Der Grosser Hirschgraben, në Frankfurt am Mein.

Goethe- Haus, Ag Apolloni

You cannot copy content of this page