Apeli kthen në rigjykim për herë të dytë rastin e vrasjes së Naim Hajrizit

loading...

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim procesin penal maratonik ndaj Gëzim Retkocerit, i akuzuar për vrasjen e Naim Hajrizit në fshatin Llugagji të Lipjanit në vitin 2009.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar familjari i të ndjerit Naim Hajrizi, Fatmir Hajrizi.

Më 21 janar 2020, Gëzim Retkoceri ishte gjetur fajtor për vrasjen e Naim Hajrizit dhe ishte dënuar me 30 vjet burgim.

Po ashtu, me 10 vjet burgim ishte dënuar edhe Osman Spahiu për ndihmën që i kishte dhënë Gëzim Retkocerit.

Prokuroria në aktakuzë theksonte se më 29 prill të vitit 2009, Gëzim Retkoceri së bashku me personin N.N. tani i panjohur për Prokurorinë dhe Gjykatën  e kishin rrëmbyer Naim Hajrizin dhe e kishte mbytur duke e goditur me mjete të forta, e pastaj trupin e pajetë të lidhur në këmbë dhe duar dhe me qese najloni në kokë e kishin dërguar në një vend mes fshatit Smaliushë dhe Debratin dhe me qëllim të fshehjes së gjurmëve e kishin djegur trupin e të ndjerit.

I bashkakuzuar për vrasjen e rëndë të Naim Hajrizit ishte edhe Osman Spahiu.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Osman Spahiu më 30 prill 2009 me kërkesë të Gëzim Retkocerit e kishte thirrur në telefon vëllanë e Naim Hajrizit duke i thënë: “Vëllanë e ke në Shkup, mos e lyp në Polici”, edhe pse kishte njohuri se i akuzuari Gëzim Retkoceri e kishte privuar nga jeta Naim Hajrizin.

Mirëpo rrëfimi i tij para Gjykatës pas 10 viteve se Gëzimi i kishte thënë thirre vëllanë e Naim Hajrizit dhe thuaja se “vëllanë e ke në Shkup, mos e lajmëro Policinë!” e ndryshoi rrjedhën e këtij gjykimi andaj më 10 janar të këtij viti Prokuroria kishte ricilësuar veprën penale nga vrasje e rëndë në dhënien e ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale.

Gjykata e Prishtinës për këtë vrasje më 15 korrik 2015 kishte shpallur fajtorë të akuzuarit Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahiun duke  i dënuar me nga 30 vjet burgim.

Por, Apeli si shkallë e dytë më 4 maj 2016 e kishte kthyer çështjen në rigjykim dhe rivendosje ngaqë gjykata e shkallës së parë kishte shkelur dispozitat e Kodit të procedurës Penale.



loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *