Apeli thotë se së shpejti do të vendosë për ministren e dënuar Meliza Haradinaj- Stublla

loading...

Pasi kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga dënimi që Gjykata e Prishtinës i kishte dhënë Meliza Haradinajt për raportim të rremë të pasurisë,  pritet që për këtë lëndë të vendosë edhe Gjykata e Apelit.

Ndaj vendimit  dënues prej 8 mujash burgim me kusht, ishte paraqitur ankesë nga mbrojtja e tashmë ministres Meliza Haradinaj- Stublla.

Muajin e kaluar KALLXO.com është informuar se lënda e Haradinajt është ndarë për punë ndërsa tani nga Apeli kanë treguar se lënda do të shqyrtohet së shpejti.

“Gjykata e Apelit së shpejti do të merr një vendim lidhur me këtë çështje”, tha Zëdhënësi i Gjykatës , Arbër Jashari.

Meliza Haradinaj – Stublla, e cila tash është Ministre e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ishte dënuar nga Gjykata me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muajve me kusht.

Pas hulumtimit të KALLXO.com në muajin dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtore për  raportim të rremë të pasurisë, Meliza Haradinaj – Stubllën, e cila në atë kohë kishte pozitën e këshilltares politike të kryeministrit, Ramush Haradinaj

Gjykata e ka dënuar Haradinaj – Stubllën me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve, i cili dënim s’ do të ekzekutohet Vetëm po të në periudhën verifikuese prej 1 viti, s’ kryen vepër tjetër penale, si dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro, të cilin do ta paguajë brenda afatit prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Sipas Prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj – Stublla  kishte vepruar në kundërshtim me nenin 5 dhe nenin 6 të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar ku ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në fund të vitit 2018, KALLXO.com kishte gjetur se Meliza Haradinaj – Stublla, këshilltarja politike e kryeministrit Ramush Haradinaj s’ e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion biznesin që e kishte regjistruar në Londër. Ajo s’ kishte deklaruar të ardhura si pronare e kompanisë “IN MIDDLE LTD”, me zyre në “108 Ëoolmead Avenue” në Londër.

“IN MIDDLE LTD” ishte  themeluar në vitin 2015, dhe deri pak ditë para publikimit të hulumtimit kishte vazhduar të figurojë si biznes aktiv në “Companies House” në Britani të Madhe. Companies House ka kompetenca të njëjta me Agjencinë e Regjistrimit.

Si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka ardhur në pushtet në muajin shtator të vitit 2017, Meliza Haradinaj – Stublla ka qenë e obliguar të deklarojë pasurinë si zyrtare e lartë, edhe në vitin 2017 edhe në vitin 2018.

Por në formularin e deklarimit të pasurisë në vitin 2017, Meliza Haradinaj – Stublla, s’ ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Në Agjencinë Kundër Korrupsion, Haradinaj – Stublla ka deklaruar se merr 577 euro si pagë mujore nga Qeveria e Kosovës si dhe  ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka një fitim prej 8500 euro nga biznesi që e ka në Prishtinë.

Por Haradinaj – Stublla s’ ka deklaruar se posedon aksione në shoqëri komerciale apo letra me vlerë.

Edhe në formularin e deklarimit të pasurisë të vitit 2018, Haradinaj – Stublla s’ ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.



loading...