Arma e prezantuar si provë nga prokuroria s’ është imja

loading...

Procesit gjyqësor për një ndër ngjarjet me të bujshme mes familjeve Elshani e Kelmendi, është duke i ardhur fundi.

Një anëtar i familjes Kelmendi nga Peja u plagos më 2 janar të vitit 2010 gjatë një gjuajtje me armë brenda diskotekës që la tre të plagosur dhe një të vdekur.

Për këtë incident po gjykohet Granit Elshani për të dytën herë, nga Gjykata e Pejës. Herën e parë, i akuzuari për vrasje ishte dënuar me 25 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit vendosi që për këtë rast të vendoset sërish.

Sipas Prokurorisë, natën kritike Granit Elshani e kishte shënjestër të vrasjes Valdet Kelmendin, por vrau Besart Shabin që kishte qëlluar pranë tij.

Përpos këtyre dyve, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor Hasan Buqaj.

Granit Elshani gjatë seancës se sotme qëndroi i ulur në ulëset e dëshmitarëve, ku iu përgjigj pyetjeve të avokates së tij, prokurorit e trupi gjykues.

Ai përsëri u deklarua i pafajshëm për veprat penale që i vihen në barrë.

Granit Elshani edhe njëherë deklaroi se arsyeja e ardhjes në Kosovë nga Zvicra në dhjetor të 2009-ës ishte për t’i nxjerrë disa dokumente të udhëtimit të Republikës së Serbisë.

I akuzuari tha se s’ e ka ditur as s’ e di se ku është diskoteka “City Club”, ku edhe ka ndodhur incidenti.

Elshani gjatë mbrojtjes se tij tha se pasditen e 2 janarit të vitit 2010 kishte shkuar tek halla e tij në fshatin Ramun të Pejës.

Ai tha se udhën Ozdrim-Ramun e ka bërë në këmbë përse pas një plagosje që i kishte ndodhur s’ preferon të udhëtoj me veturë, përse e ndien veten me të sigurtë në këmbë.

“Nga Ozdrimi në Ramun mundesh me shku për një orë e gjysmë në këmbë”, tha Elshani.

Elshani rrëfeu se atë natë s’ kishte dalë aspak nga shtëpia, ndërsa tha se djali i hallës së tij, bashkë me bashkëshorten dhe djalin, kishin shkuar tek miqtë e tyre në fshatin Lutogllavë.

Elshani u pyet nga avokatja e tij edhe për momentin kur gjatë asaj nate kishte ardhur Policia për të kryer bastisje.

“Kur rash me fjetë kam dëgjuar zhurma të mëdha, kur i kam qel sytë s’ kam parë mirë se ishte dritë, dhoma e ka derën nga oborri dhe erdhën policia duke bërtitur “BASTISJE-BASTISJE”, u deklarua Granit Elshani duke përshkruar momentet e 2 janarit të vitit 2010.

Granit Elshani tha se nën jastëkun e krevatit të tij është gjetur nga policia një armë e tij.

“Arma ka qenë 7.65 Bereta e zezë, e vogël jo e madhe”, tha Elshani.

Granit Elshani tha se arma e cila ishte prezantuar si provë nga Prokuroria s’ ishte arma e tij, që i është gjetur natën kritike.

“Unë kam kërkuar edhe gjatë gjykimit që ta shikoj atë, dhe e kanë pru një armë por arma që ma kanë marrë mu ka qenë përgjysmë me vogël. Dhe po them përsëri edhe 100 vjet në paqa ymër, armën që ma kanë prezantuar në gjykatë s’ e kam pas kurrë, as s’ e kam parë”, tha ai.

Granit Elshani tha se arma e gjetur nën jastëkun e tij ishte që nga koha e pasluftës dhe është arma e babait të tij.

Prokurori i rastit Afrim Shefkiu e ballafaqoi të akuzuarin me pjesën që lidhet me armën, e që Elshani ishte deklaruar në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Elshani tha se atëherë nga frika e kishte mohuar që arma që ishte gjetur ishte e tij, ndërsa kishte deklaruar se atë e kishte gjetur duke shkuar te halla, në një qese në rrugë.

ndërsa tha se vërtetimin për konfiskim të armës e kishte nënshkruar pa qenë në dijeni se çka është duke nënshkruar.

“Unë e pyeta policin se çka po nënshkruaj, ai më tha nënshkruaje e shko në shtëpi”.

Granit Elshani u pyet nga mbrojtja e tij edhe për anëtarët e familjes Kelmendi.

Ai tha se me Valdet Kelmendin i njohur si ‘Lara’ kanë qenë në të njëjtën shkollë, duke shtuar se disa herë kanë ndenjur bashkë me Valdetin dhe vëllain e tij, Xhevdet Kelmendin.

Elshani tha se ditën e nesërme pas rastit është nisur për në Prishtinë, e prej atje në Serbi, ku pas ca ditësh nga aty ka kaluar në Zvicër.

“Prej atëherë deri në momentin e dorëzimit në polici s’ kam qenë në Kosovë”, shtoi ai.

Pyetje në drejtim të Granit Elshanit pati edhe kryetari i trupit gjykues Sylë Lokaj.

Ndër të tjera ai pyeti të akuzuarin se pse kur ka kuptuar për akuzat që rëndojnë mbi të s’ është dorëzuar menjëherë në polici por ka pritur 6 vite.

“Sa mbaj mend unë, vëllai im ka thënë se kjo është sikur ato tjerat që na kanë bërë, se një therrë me iu fut Kelmendve, ata thonë se ja u ka bërë shpija e Elshanve, vëllai im Deme Elshani më tha se unë e di si është puna, për me m`u hakmarrë mua ta kanë bo ty qeta, dhe ti kurrqysh s’ bon m`u kthy pa u marrë vesh me dikën, ndonjë avokat…” ishte përgjigjja e Elshanit.

Ai tha se në vitin 2016 është kthyer përse s’ ka mundur të mbajë atë barrë më pasi e konsideron veten të pafajshëm.

Të enjten pas fjalës përfundimtare të palëve në procedurë përfundon gjykimi ndaj Granit Elshanit.

Letërnjoftimi i Serbisë si provë, temë në gjykimin e Granit Elshanit



loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *