‘Armatë’ qeveritarësh në delegacionin e Kosovës për takimin e Shtëpisë së Bardhë

loading...

Pa përfaqësues nga jashtë qeverisë, delegacioni i Kosovës në përbërje prej tetë anëtarësh udhëtuan për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për takimin e 4 shtatorit në kuadër të dialogut me Serbinë.

Kosova në këto bisedime do të përfaqësohet me anëtarë të kabinetit qeveritar dhe me koordinatorin nacional për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni.

Veç ministrave dhe zëvendësve të tij, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti s’ do të ketë pas vetës asnjë përfaqësues të Zyrës së Presidentit apo partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Megjithëkëtë, delegacioni kosovar është kritikuar për numrin e lartë të zyrtarëve qeveritar në këtë takim, përfshirë dy zëvendëskryeministrave që do ta shoqërojnë shefin e tyre, kryeministrin Hoti.

ndërkohë shoqëria civile e vlerëson si jo transparente qasjen e qeverisë në procesin e negociatave me Serbinë.

Në lidhje me këto zhvillime, Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë për KALLXO.com se ka qenë e pritshme që opozita do të refuzojë pjesëmarrjen në procesin e dialogut.

Sipas Haxhollit, kjo ka ndodhur meqenëse ekzekutivi deri më tani e ka mbajtur këtë proces shumë të mbyllur duke mos ofruar informacione lidhur me agjendën dhe temat që pritet të diskutohen.

“Natyrisht se kjo ka rritur mungesën e besimit të partive opozitare ndaj ekzekutivit lidhur me procesin e dialogut”, shprehet ajo.

Por sipas Haxhollit, opozita ka mundësinë që të ushtrojë rolin e saj mbikëqyrës në Kuvend përmes mekanizmave parlamentar, për të kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga ekzekutivi, lidhur me dialogun.

“Qeveria është legjitime pasi që ka marrë besimin e Kuvendit sipas procedurave që parashihen me Kushtetutën e Kosovës”, theksoi hulumtuesja nga KDI-ja.

“Po ashtu siç parashohin dispozitat kushtetuese lidhur me politikën e jashtme, te cilat i ka interpretuar edhe Gjykata Kushtetuese, Qeveria dhe Kryeministri në koordinim me Presidentin kanë të gjitha kompetencat kushtetuese për të udhëhequr me politikën e jashtme pjesë e të cilës është edhe procesi i dialogut me Serbinë”, shtoi ajo.

Sa i përket koordinimit të qeverisë me presidencën, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Zyrën e Presidentit Thaçi, por deri në publikimin e këtij artikulli s’ ka pranuar ndonjë përgjigje.

LVV-ja dhe PDK-ja kanë refuzuar pjesëmarrjen në takimin ne SHBA me Qeverinë Hoti.

Vetëvendosje duke kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, ka theksuar se ekzekutivit me Hotin kryeministër i mungon legjitimiteti.

ndërkohë, kryetari i PDK-së është shprehur se partia e tij do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues në procesin e dialogut, si opozitë në Kuvendin e Kosovës, por se s’ do të jetë pjesë e delegacionit.

Në anën tjetër, gazetari kosovar Agron Halitaj është shprehur kritik ndaj delegacionit me të cilin kryeministri Hoti ka udhëtuar për në SHBA.

Sipas tij, udhëtimi i zëvendëskryeministrave është vetëm shpërdorim me paranë publike, “thënë ndryshe është korrupsion”, është shprehur ai.

“Qe 20 vjet që merrem aktivisht me gazetari s’ më ka rastisur të shoh ndonjë kryeministër të huaj që ka ardhur në Kosovë bashkë me zëvendësin e tij. Përgjatë të njëjtës periudhë, s’ kam lexuar, parë, as dëgjuar, që vizita të ngjashme të jenë bërë edhe mes delegacionesh të shteteve të huaja”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Halitajt, kjo është sa e thjesht, po aq logjike, pasi siç është shprehur ai, aty ku është kryeministri, s’ka çfarë kërkon zëvendëskryeministri.

Përveç Avdullah Hotit, në Uashington do të jenë edhe dy zëvendëskryeministrat Driton Selmanaj (LDK) e Albulena Balaj- Halimaj (Nisma).

“Mbase këtë rregull s’ e di kryeministri i Kosovës, i cili ka zgjedhur të udhëtojë për në Uashington, jo me një, por me dy zëvendëskryeministra, roli i të cilëve brenda takimit në Shtëpinë e Bardhë me shumë gjasë do të jetë zero”, ka shkruar gazetari Halitaj.

Delegacioni i Kosovës po kritikohet edhe sa i përket mungesës së transparencës për takimin e 4 shtatorit.

Violeta Haxholli (KDI) thekson se deri më tani ka pak informacione se çfarë pritet të diskutohet në takim, meqë siç thotë ajo, ekzekutivi ka qenë jo transparent lidhur me agjendën dhe temat që pritet të diskutohen.

“Çka dimë deri më tani është se do të trajtohen çështjet ekonomike mirëpo s’ janë ofruar informacione më të detajuara se cilat janë këto tema ekonomike. Prej kur ka filluar procesi i dialogut me Serbinë mund të them se kjo fazë është faza më jo transparente e dialogut deri më tani. s’ dihet se cilat janë kërkesat e Kosovës, agjenda, temat e as se cili pritet të jetë epilogu i kësaj faze që duket të jetë mjaft kritike për Kosovën”, tha ajo për KALLXO.com.

Takimi i 27 qershorit mes palës kosovare dhe asaj serbe në Uashington kishte dështuar për shkak të ngritjes së propozim-aktakuzës për krime kundër njerëziimit, ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit nga ana e Gjykatës Speciale pak ditë para takimit.



loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *