ARRITJET NË NEUROLOGJINË KOSOVARE NË 2020

loading...

ARRITJET NË NEUROLOGJINË KOSOVARE NË 2020

1. SKLEROZA MULTIPLE TRAJTOHET NË KOSOVË

Kryefjala jo vetëm e shëndetësisë (qoftë kosovare, qoftë asaj ndërkombëtare), por edhe e të gjitha sferave të jetës në vitin 2020 ka qenë pandemia e shkaktuar nga koronavirusi i ri, SARS-CoV-2 dhe sëmundja e shkaktuar prej tij, Covid-19. Me gjithë vështirësitë e punës, ndërprerjet e shpeshta të shërbimeve dhe një kohë edhe të orientimit të profileve të tjera në trajtimin e Covid-19, në neurologjinë kosovare janë shënuar zhvillime domethënëse me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së pacientëve.

Në fillim të vitit të kaluar Klinika e Neurologjisë e QKUK-së (QKUK- Shskuk info) është pajisur me disa barna për terapinë e sëmundjes së sklerozës multiple. Gjatë dy dekadave të kaluar vetëm një numër i kufizuar pacientësh (për shkak të buxhetit të kufizuar) kanë qenë në gjendje që të trajtoheshin dhe ta merrnin terapinë e rekomanduar. Por, në saje të lobimit intensiv të komunitetit neurologjik dhe angazhimit të Klinikës së Neurologjisë dhe të Shoqatës së Neurologëve të Kosovës, është arritur që në saje të zgjerimit të buxhetit, të gjithë pacientët me sklerozë multiple të jenë në gjendje që të trajtohen në mënyrë të duhur.

Për këtë qëllim, nën udhëheqjen e drejtorit të Klinikës së Neurologjisë, Prof. Nexhmedin Shala, është krijuar në kuadër të Klinikës Kolegjiumi Profesional për Sklerozë Multiple (i përbërë nga Dr. @Shpresa Beqiri, Dr. @Melihate Pushka, Dr. Bashkim Sheholli, Dr. Edmond Komoni, Dr. Halime Behluli, Dr. Adnan Biqku, Dr. Syzana Aliçkaj , Dr. Valbona Rrahmani-spanca, Dr. Dren Boshnjaku, Dr. Fisnik Jashari dhe Dr. Blerim Myftiu) i cili që prej shkurtit të 2020-s e bën vlerësimin e të gjithë pacientëve me sklerozë multiple dhe në bazë të kritereve të paracaktuara, bën shpërndarjen e terapisë përkatëse varësisht nga veçoritë e sëmundjes së tyre. Në këtë drejtim është krijuar baza e të dhënave për të gjithë pacientët përmes së cilës tash e tutje bëhet përcjellja e vazhdueshme e pacientëve.

Kësisoj, numrit prej 100 pacientëve të cilët kanë pasur mundësinë të trajtohen deri në fund të vitit 2019, gjatë vitit 2020 i janë shtuar edhe 86 pacientë në trajtim me Interferon beta-1a (Rebif), 24 pacientë me Interferon beta-1b (Betaferon), 29 pacientë me Ocrelizumab (Ocrevus) dhe 1 pacient me Fingolimod (Gilenya). Puna në ngritjen e kapaciteteve të punës me pacientët me sklerozë multiple dhe në përfshirjen e edhe shumë të tjerëve në terapi do të vazhdojë edhe gjatë vitit vijues.

Të gjithë pacientët me sklerozë multiple tani e tutje do të përcillen në mënyrë të rregullt dhe të gjithë të diagnostikuarit rishtas do ta kenë mundësinë të përfshihen në njërën prej skemave të trajtimit të sëmundjes së tyre.

2. TERAPIA TROMBOLITIKE INTRAVENOZE APLIKOHET NË KOSOVË

Spitali Amerikan – American Hospital Kosova mbetet pionieri i trajtimit të infarktit akut në mënyrën më bashkëkohore – me terapinë trombolitike intravenoze. Gjatë vitit pandemik, 4 pacientë të tjerë kanë mbërritur me kohë që të paraqiten në emergjencë për të përfituar nga aplikimi i Alteplazës, që për ta u bë një fije shprese që jetën e mëtejme të vazhdojnë me sa më pak pasoja neurologjike. Numri i prej 12 pacientësh të trajtuar me këtë terapi është shumë i vogël krahasuar numrin e popullatës së Kosovës, kur për çdo ditë zhvillohen së paku 15-20 sulme iskemike trunore në tërë territorin e Kosovës. Duke marrë parasysh se një numër i tyre paraqiten brenda shumë pak minutash apo një ore në emergjencat përkatëse, numri i atyre që do të përfitonin nga terapia trombolitike do të mund të ishte shumë më i madh.

Mungesa e Alteplazës në institucionet pulbike shëndetësore, në radhë të parë në Klinikën e Neurologjisë që QKUK-së, përjashton shumë njerëz që ta përfitojnë rastin që pjesën e mbetur të jetës së tyre të mos e kalojnë në karrocë invalidore apo të lidhur për shtrat.
Bashkë me kolegun neurolog, Dr. Ideal Hoxhajn dhe tërë ekipin mbështetës, Spitali Amerikan në Prishtinë mbetet momentalisht qendra e vetme për ofrimin e trajtimit trombolitik intravenoz në infarktet akute trunore.

3. TROMBEKTOMIA MEKANIKE OFROHET NË QKUK

pranverën e vitit 2020, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në drejtimin e Dr. Bujar Gjikolli, në saje të bashkëpunimit të Klinikave Neurologjike dhe asaj Radiologjike, është realizuar për herë të parë trombektomia mekanike, e cila ka kontribuuar në pakësimin apo eliminimin e pasojave të rënda të infarkteve akute trunore. Trombektomia mekanike është intervenimi endovaskular që synon depërtimin në arteriet e trurit dhe thithjen e trombit që e ka bllokuar ndonjë arterie të madhe trunore, gjë që kontribuon në rivendosjen e qarkullimit të gjakut në atë pjesë të trurit dhe kësisoj synon zbutjen e pasojave përndryshe të mëdha të infarktit trunor.

Janë realizuar disa intervenime të suksesshme gjatë vitit që po lihet pas dhe me pajisjen e Klinikës së Neurologjisë edhe me Alteplazë, besohet që viti 2021 do të jetë edhe më efikas dhe më i artë për neurologjinë kosovare.

Një falënderim i madh për të gjithë mjekët, infermierët dhe stafin mbështetës në Klinikën e Neurologjisë që QKUK-së dhe në Spitalin Amerikan në Prishtinë! Pa bashkëveprimin dhe qëllimin e mirë të të gjithëve, asnjëra prej këtyre zhvillimeve nuk do të realizohej!

Gëzuar 2021!

#NeurologjiaKosovare #Neurologjia #Neurology #KosovaNeurology #MS #MultipleSclerosis #SklerozaMultiple #Alteplaza #tPA #stroke #InfarktiAkut #SulmiNëTru #TIMEisBRAIN #KOHAështëTRU #TerapiaTrombolitike #TrombektomiaMekanike #MechanicThrombectomy #ThrombolyticTreatment #QKUK #KlinikaNeurologjisë #SpitaliAmerikan #BlerimMyftiu

Related posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *