“Befasohem që Avdullah Hoti s’ ka dhënë dorëheqje, duhet që shpejt të shkojmë në zgjedhje”

loading...


Analistja politike, Luljeta Aliu, e ka kritikuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Washingtonit duke thënë se jo që s’ është diçka historike, por është humoristike.

“s’ ka ndonjë risi dhe s’ mund të ketë risi pa një ndryshim rrënjësor në sistemin tonë politik dhe konstalacionin politik. Ndryshim rrënjësor është qasja e politkbërësve tanë ndaj çështjeve të interesit nacional. Në momentin kur delegacioni kosovar ka pranuar të shkojë, edhe pse është shumë vështirë t’i bëhet ballë një ftese nga Washingtoni, pa e pasë të qartë përmbajtjen e marrëveshjes për mua ka qenë shumë skandaloze. Ka qenë një moment që e kam humbur besimin se mund të këtë ndonjë zhvillim të mirë nga kjo qeveri që vendosi të nënshkruajë një marrëveshje që s’ e kishte paraprakisht të qartë as në pikat kryesore”.

“Përmbajtja e marrëveshjes s’ është historike, por humoristike. s’ ka pasë të bëjë me Kosovën dhe ato që u premtuan. Është thënë që po shkohet për një marrëveshje për njohjen e Kosovës dhe janë kthyer me asgjë”.

Ajo, në Klan Kosova, ka thënë se marrëveshja që Kosova dhe Serbia nënshkruan me SHBA-të në Shtëpinë e Bardhë është një dështim i Qeverisë Hoti.

Por, si e sheh ajo qeverisjen e Avdullah Hotit?

“Unë si të gjithë qytetarët e Kosovës që e dinë kohën e paraluftës dhe të luftës normalisht që kemi pasë një respekt shumë të madh për LDK-së, meqë ka qenë substrakti i intelektualëve dhe i forcës revolucionare të asaj kohe. Pas luftës ka qenë një prej partive kryesore shtetformuese. Është për keqardhje që kanë ardhur në këtë situatë të dështimeve të njëpasnjëshme, që e kanë humbur elektoratin dhe tani edhe zgjedhjet në Podujevë dëshmuan se s’ mjafton të mbash qëndrim dhe të mos u përshtatesh kërkesave të qytetarëve. Qytetarët tani e kanë kuptuar që premtimet mund të jepen dhe të mos përmbushen”, thotë ajo në Klan.

Analistja Aliu ka thënë se Kosova do të shkojë dhe duhet të shkojë shpejt në zgjedhje. Madje, sipas saj, kryeministri Avdullah Hoti do të duhej të kishte dhënë dorëheqje kohë më parë.

“Mendoj që do të shkojmë dhe duhet të shkojmë shpejt në zgjedhje. Befasohem që s’ është dorëhequr Avdullah Hoti. Qeverisjet janë ato që e menaxhojnë shtetin dhe detyra kryesore është krijimi i kornizave ligjore. Në momentin që s’ mund ta kalosh një ligj disa herë dhe i ke humbur partnerët me të cilët ke krijuar qeverinë, atëherë s’ ke më legjitimitet. Legjitimiteti i brendshëm do të thotë kur popullata mendon që është alternativa më e mirë për të pasë dëgjueshmëri ndaj asaj qeverie. s’ është alternativa më e mirë, meqë s’ po ofron zgjidhje për çështjet që janë shumë akute. Avdullah Hoti është dashur moti kohë, si intelektual dhe njeri i urtë që është, që të dorëhiqet, meqë vetëm po e dëmton figurën e tij politike dhe lëre më LDK-në”.



Related posts