Bjeshkët e Moknës, “Bukuroshja e fshehur” e Kosovës

loading...

Xhevahire Gusturanaj nga Istogu për të 11 vit me radhë ngjitet në Bjeshkët e Moknës aty ku ka edhe shtëpinë e saj të dytë.

Mes hijeve të harmoçëve gjendet stani i drurit, në qoshen e të cilit qëndron një tavolinë e vogël ku Xhevahirja dhe i shoqi i saj Besniku shijojnë kafenë e mëngjesit që më pas të vazhdojnë ditën e tyre si bjeshkatarë.

Kohën më të madhe ajo ia kushton kujdesit për bagëti nga të cilat siguron qumështin që më pas zë djathin dhe kosin. Pjesa tjetër e kohës së saj është në dispozicion të turistëve për të cilët ajo gatuan të gjitha ushqimet tradicionale sipas kërkesës së tyre.

Përderisa ata janë duke u kënaqur me bukuritë e bjeshkëve të Moknës ajo përfundon gatimin dhe siguron për ta edhe vend për ta kaluar natën.

“Zgjohem herët në mëngjes, në orën 6 pimë kafen, pastaj i rehatojmë i lëshojmë bagëtitë, merrna me tambël e nxo djathin, porosit dikush diçka fli, pite merrem me mysafirët dhe pastaj vjen akshami kur përsëri i rehatojmë bagëtitë dhe i mbyllim”, thotë Xhevahire Gusturanaj.

Me buzë në gazë ata tregojnë edhe kujtimet më të mira që kanë nga ai vend, momenti kur për herë të parë fëmijët e tyre kuptuan se si është jeta në Moknë pa kushtet që ata ishin mësuar në qytet. Mirëpo tani ato ditë kanë mbetur vetëm kujtime, rruga në të cilën tani janë fëmijët tyre është ndarë nga aty dhe rrallë herë kanë mundësinë ta vizitojnë folenë e tyre të dikurshme.

“Kujtimi më i miri është kur kemi ardhur vitet e para kur i kemi pasur fëmijët me veti, i kemi parë fëmijët duke luajtur me fëmijët e kojshive me top, vajzat me llastik dhe lojën shofaqok, tani kohët kanë ndryshuar fëmijët janë rritur po punojnë ,vajza ne fakultet kemi mbet vetëm ne të dy”, shtoi ajo.

rruga e vjetër e rrethuar me shkëmbinjtë e lartë të dërgon mu në mes të zemrës së Moknës aty ku duket që natyra ka shpenzuar më shumë kohë në krijimin e atyre bukurive. Pasuria më e madhe e kësaj bjeshke është uji që rrjedh nga çdo skaj i shkëmbinjve i cili thërret edhe më shumë bjeshkatarët të vendosen atje.

Bukuritë e saj janë të fshehura, çdo rrugë ka diçka të bukur në fund të saj, po ndjeke ato zbulon lumenjtë e rrethuar me lisa të gjatë që krijojnë një pamje përrallore. Vetëm po të ke arritur në 1700 metra lartësi gjendesh në Kërrshin e Berimit nga i cili ke mundësinë të soditësh të gjithë pamjen e liqenit të Ujmanit dhe fshatrave përreth.

Në fushat e bjeshkëve dëgjohet këmbana e deleve të shoqëruara nga bariu i tyre që mbush xhepat me boronica. Në çdo cep të bjeshkës ka familjarë të cilët bëjnë piknik, të rrethuar me zhurmat e fëmijëve disa prej tyre edhe këndojnë përderisa tjetri bënë gati skarën.

Ajri dhe ekologjia e pasur e ka bërë Islam Muzliajn bjeshkatar të Moknës. Përveç që është çoban ai shfrytëzon bjeshkët e Moknës edhe për të mbledhur bimë mjekuese të cilat më pas i përdor për shërim. Kujtimet e hidhura ia kanë zënë vendin atyre të mirave, kohën e luftës Islami e kujton si sot , kur shokët e tij u zhdukën nga aty dhe ai s’ ishte ne dijeni se ku ishin, deri në momentin që u takuan prapë ai mbajti shpresa pa u dorëzuar asnjëherë.

“Së mramti herë këtu kemi mbetur 275 veta të tjerët kishin shkuar për Rozhajë, jemi stacionuar këtu në bjeshkët e Moknës për me i mbijetu luftës por na kanë hy forcat serbe nga të gjitha anët edhe i kanë marrë 12 veta, nga ato 12 vetë i kanë vrarë 6, deri tani ky është kujtimi më i keq që edhe sot e mbaj në mend”, thotë Islam Muzliaj.

Por mungesa e rrymës dhe rrugët e pashtruara kanë bërë që bukuritë që ofron ky vend të shijohen vetëm nga një numër i vogël njerëzish, nga ata që ky vend i lidh me prodhimtarinë e tyre blegtorale.

Sipas Zymer Selmanaj, turist Bjeshkëve të Moknës, ajri dhe bukuritë që ka Mokna nevojitet të vizitohen çdo javë. Mokna përveç që të bën të ndihesh mirë dhe freskët gjatë tërë ditës, të dhuron edhe pamjet mahnitëse që ka.

“nevojitet shteti dhe Komuna e Istogut t’i shfrytëzojë këto resurse natyrore për zhvillimin e turizmit malor që dhuron Mokna”, thotë ai.

Kjo perlë që ndodhet në shtegun Via Dinarica ka mundësuar që të ndërlidhen pjesët e Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë, dhe i ka dhënë mundësi zhvillimit të gjithmbarshëm të turizmit dhe shtimit të bashkëpunimit në mes komuniteteve.



loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *