Situatë e rëndë në QKUK: Anesteziologët e lëshojnë punën

Futen në vetëizolim 50 punëtorë shëndetësorë në Prishtinë

Tre anesteziologë e kanë lëshuar punën të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Nehat Baftiu, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv.

Ai tha se rritja e numrit të të sëmurëve me COVID-19 (sëmundja që e shkakton koronavirusi), e ka vështirësuar punën brenda klinikave ku po trajtohen këta pacientë.

“Anesteziologë nuk kemi mjaftueshëm, vetëm nëse të gjitha shërbimet mbyllen, pra nuk punohen operacionet e tumoreve e sëmundjeve tjera urgjente, dhe merremi vetëm me COVID-19. Tre kolegë dje e kanë lëshuar punën. Ne jemi shumë keq me resurse njerëzore. Nuk kanë mundur ta përballojnë çdo të tretën ditë kujdestari, dhe ritmi i punës është i vështirë. Normalisht ata kanë oferta në spitale private me pagë deri në katër mijë euro, derisa këtu paga mujore është rreth 600 euro”, tha Baftiu.

Anesteziologët, ndër të tjera, u mundësojnë pacientëve mbështetje me oksigjen dhe terapi me oksigjen, mbështetje me ventilatorë me aparate me të gjitha opsionet për ventilim mekanik, terapi respiratore, monitorim të tërësishëm invaziv dhe jo-invaziv të pacientëve, etj.

Pacientët me COVID-19, që janë në gjendje më të rënduar shëndetësore, kanë nevojë për trajtim me oksigjen.

Njëri nga anesteziologët që e ka lëshuar punën është Ardian Hoti. Ai për Radion Evropa e Lirë tha se ka vendosur ta lëshojë punën në sektor publik për shkak se ka marrë ofertë nga një spital privat në Prishtinë, me kushte të punës dhe pagë më të mirë.

Por, ai tha se obligimin e tij moral dhe profesional e ka kryer, pasi që ka punuar në vazhdimësi me pacientë me COVID-19 derisa ka qenë i punësuar në QKUK.

“Unë kam punuar në Mjekësinë Sportive, do të thotë e kam kryer atë pjesën time morale dhe profesionale, kam shërbyer në qendër të COVID-19. Arsyeja (e largimit) thjesht ka qenë ekonomike. Kam marr ofertë të mirë, që ka qenë shfrytëzim i momentit dhe kanë pasur nevojë për anesteziologë. Bëhet fjalë për një spital privat”, tha Hoti.

Në sektorin publik, paga mujore e mjekut është rreth 600 euro në muaj, derisa infermierët për punën e tyre paguhen me rreth 400 euro.

“Sa i përket situatës me COVID-19 kam punuar edhe me kujdestari, dhe natyrisht që është e vështirë, por që e kemi obligim. Nëse kërkohet nevoja, unë prapë do të shërbej, por që unë kam shikuar thjesht interesin tim dhe mendoj që mund të jap prej vetes për pacientë në atë spital ku do të filloj punën, pasi kushtet e punës janë të mira”, tha Hoti.

Mbi 400 pacientë, të infektuar me koronavirus, janë të shtrirë në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në spitalet e përgjithshme.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës njoftoi të martën se, në total, numri i të hospitalizuarve është 608, por prej tyre 414 pacientë janë të infektuar me koronavirus.

Prej të hospitalizuarve, 376 janë në oksigjenoterapi, 24 janë vënë në respiratorë, ndërsa 23 në makinat e frymëmarrjes, të njohura si CPAP.

Aktualisht në QKUK punojnë rreth 40 anesteziologë. Baftiu tha se rreth 30 anesteziologë janë të ndarë për pacientët me COVID-19, që punojnë gjatë ditës si dhe me kujdestari, derisa të tjerët janë të angazhuar në 18 njësi urgjente të kirurgjisë, si dhe gjinekologji. Sipas tij, ky numër i anesteziologëve është i pamjaftueshëm për raste urgjente që trajtohen brenda institucionit të QKUK-së.

“Është viti i pestë që Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndarë specializime për anesteziologji. Po t’i kishim specializantët, do ta mbulonim më mirë situatën me COVID-19. Këta anesteziologë që nuk po merren me COVID-19, i shpërndajmë në klinika, pasi aty vijnë njerëz që kanë pasur aksident komunikacioni, apo iu shpërthen zorra qorre, apo të sëmurë me tumore, e ne kemi përgjegjësi juridiko-penale, nëse njeriu vdes në mungesë të anesteziologut”, tha Baftiu.

Ndryshe, anesteziologët në kujdesin e përgjithshëm intensiv, trajtojnë edhe pacientë e sëmurë në gjendje kritike (të operuar dhe jo të operuar), të cilët kanë çrregullim të rëndë të funksioneve vitale dhe kanë nevojë për trajtim të veçantë.

Ndërkohë, rreth dhjetë mjekë anesteziologë dhe mbi 30 infermierë të Klinikës së anesteziologjisë dhe mjekimit intensiv në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë infektuar tashmë me koronavirus.

Ditëve të fundit, në Kosovë numri i të infektuarve me koronavirus ka qenë mbi 200. Vetëm të martën u shënuan 239 raste të reja me koronavirus.

Në Kosovë, që prej 13 marsit – kur u shënuan rastet e para me koronavirus –deri më 28 korrik, janë regjistruar 7,652 raste pozitive. Prej tyre, 192 pacientë kanë vdekur dhe4,129 janë shëruar.

Related posts

Komunikatë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike SHTATËDHJETË E NËNTË RASTE ME COVID-19! Sot më 12 prill 2020, n…

Komunikatë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike SHTATËDHJETË E NËNTË RASTE ME COVID-19! Sot më 12 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 250 mostra të marra nga Klinikën Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS CoV-2 pozitiv sot janë diagnostikuar gjithsej shtatëdhjetë e nëntë (79) raste. Rastet pozitive janë raste kontakti, tridhjetë e pesë (35) prej tyre nga komuna e Ferizajt (sipas vendbanimeve në qytetin e Ferizajt dymbëdhjetë (12) raste, Greme tetë (8) raste, Mirash shtatë (7) raste, Lloshkobare katër (4) raste, Slivovë dy (2) raste, Neredime një (1) rast dhe Manastirc një (1) rast), gjashtëmbëdhjetë (16) raste nga komuna e Prizrenit (sipas vendbanimit dhjetë (10) Prizren dhe gjashtë (6) Skorobisht, Han të Elezit gjashtë (6) raste, nga komuna e Vitisë 6 raste- fshatin Ramjan katër (4) raste, Pozharan dy (2) raste, nga komuna e Gjilanit tri (3) raste (sipas vendbanimit dy (2) raste Gjilan dhe një (1) rast Lladovë, nga komuna e Malishevës dy (2) raste (sipas vendbanimit: Malishevë një (1) rast dhe Banjë një (1) rast), nga komuna e Vushtrrisë dy (2) raste (sipas vendbanimit: Vushtrri një (1) rast dhe Pestovë një (1) rast, dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Burojë-Skenderaj, Qabiq-Klinë, Kramovik-Rahovec, Fushë Kosovë, Istog, Mitrovicë e veriut, Leposaviq Zubin Potok dhe Hodonovc-Kamenicë. Sot më 12 prill 2020, është shëruar edhe një (1) pacient, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej pesëdhjetë e nëntë (59). Nga data 08 shkurt deri më 12 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.256 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej treqind e gjashtëdhjetë e dy (362) me 7 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.795 kontakte të rasteve. Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 12 prill 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 1.838.297 raste të COVID-19 dhe 113.329 raste të vdekjes. QËNDRONI NË SHTËPI, KJO UA SHPËTON JETËN! MBANI DISTANCË FIZIKE PËR SË PAKU 2 METRA! NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË! Ju faleminderit për mirëkuptim!

Related posts

Shërohet pacienti 77 vjeçar, i cili ishte rasti i parë në Kosovë, i diagnostikuar me Covid-19

Shërohet pacienti 77 vjeçar, i cili ishte rasti i parë në Kosovë, i diagnostikuar me Covid-19 Pacienti 77 vjeçar, i diagnostikuar si rasti i parë në Kosovë me Covid-19, nga Vitia, është shëruar dhe pritet të lirohet nga Klinika Infektive. Këtë lajm e kanë konfirmuar në konferencën e sotme për medie, drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha dhe Prof. Sali Ahmeti. Ata bënë të ditur se në klinikë janë gjithsej 49 pacientë të diagnostikuar me Covid-19, 40 prej tyre në gjendje të mirë, 7 në me oksigjenoterapi dhe 2 në kuadër të mjekimit intensiv të kësaj klinike në ventilim mekanik. Në konferencë, u theksua se stafi mjekësor i Klinikës Infektive është duke dhënë maksimumin për të trajtuar pacientët e shtrirë. Poashtu, u bë e ditur se 5 infermieret e infektuar me Covid-19, janë në gjendje të mirë shëndetësore, 2 janw në shtëpi nw vetizolim, 3 duke u trajtuar në klinkë. Njëra prej tyre dy herë ka rezultuar negative në testet e përseriura dhe pritet të lirohet në shtëpi. Sa i përket furnizimit me material dhe masa mbrojtëse, drejtoresha e Klinikës Infektive, tha se kanë furnizim të mirë nga ShSKUK dhe Ministria e Shëdetësisë, por po zbatojnë rekomandimet e OBSH, për shfrytëzim racional të materialit shpenzues.

Related posts

Në klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, sipas raportit ditor, 08/04/2020, gjenden të hospitalizuar gjith…

Në klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, sipas raportit ditor, 08/04/2020, gjenden të hospitalizuar gjithsej 49 raste të konfirmuar me Covid-19. 40 raste janë në gjendje stabile, 7 raste janë në gjendje të rënde në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive. Në mjekimin intensiv të klinikës, në gjendje të rënduar janë tre pacientë, prej të cilëve dy raste janë në ventilim mekanik. Sa i përket stafit të Klinikës Infektive, dje është konfirmuar pozitiv për Covid -19 edhe një infermiere, duke quar në 5 numrin e të infektuarve. 5 infermieret e infektuara me Covid -19, janë në gjendje të mire shëndetësore. Dy prej tyre janë në vetizolim dhe tri infermiere janë të hospitalizuara në klinikë, prej të cilave, njëra ka rezultuar negativ në dy mostrat e fundit dhe lirohet në shtëpi.

Related posts

Të vërtetat e tmerrshme të specializimit në QKUK-Prishtinë

Shkruan: Elmedina Baraliu
 
Burimi i lajmit: BotaSot

Fjalët e shkruara jetojnë. Sa më të sakta e të mençura të jenë, aq më të gjatë e kanë jetën. Të vërtetat e specializimit në QKUK do të jetojnë përgjithmonë sepse e vërteta e tyre është më e pastër se loti.

Jeta është Mësuese e vërtetë. Aq shumë probleme ka në QKUK saqë është e vështirë t’ia fillosh hedhjen në letër apo letërsimin e tyre. 

Si specializant në QKUK jo vetëm që do të jesh argat por shumicën e herave do të jesh edhe skllav i specialistit dhe kjo nuk do të vlerësohet shumicën e herave por përkundrazi do të jesh edhe më i nënçmuar.

Si specializant në QKUK jo vetëm që do të tallen me ty specialistët, motrat e infermierët por edhe rojtarët, bartësit e pastruesit.

Si specializant në QKUK jo vetëm që do të punosh si skllav por as që do të paguhesh për punën tënde, madje do të nënçmohesh e nënvlerësohesh çdo ditë.

Si specializant në QKUK jo vetëm që rroga juaj nuk do të del me muaj të tërë por ajo do të humb fare dhe nuk do të del për tërë ato muaj me arsyetime të ndryshme që pothuajse të gjitha janë të kota dhe dezorientuese dhe të errëta.

Të gjitha të këqijat e mëdha krijohen nga të këqijat e vogla dhe kjo më së miri vërehet në QKUK dhe të këqijat më të mëdha ndodhin për specializantët.

Si specializant në QKUK jo vetëm që do të nënçmohesh çdo ditë edhe pse punët i kryen por edhe do të jesh tërë kohën në gojërat e specialistëve(shumica prej tyre) të cilët gjenden në kafe duke u tallur me ty dhe duke shpifur për ty , duke të përqeshur ty dhe duke thurrur kurthe të ndryshme kundrejt teje.

Si specializant në QKUK tërë kohën do të merresh me punë administrative dhe duke mos u marrur me shkollim specialistik.Punët e të tjerëve do t’i ngarkojnë ty ndërsa ata/ato që janë përgjegjës për t’i kryer gjenden rrugëve ose kafeneve duke të përgojuar ty dhe madje edhe punëtorët e statistikës që janë të obliguar dhe paguhen për punën rreth statistikave gjenden rrugëve dhe kafeneve dhe përmes lidhjeve të tyre që i kanë me specialistët, drejtorët dhe shefat të gjitha obligimet e tyre ua faturojnë padrejtësisht specializantëve për t’i kryer dhe kjo konsiderohet punë e detyruar dhe kjo ndalohet rreptësisht me ligjin e punës neni 6.

Të gjithë do të synojnë të të shfrytëzojnë dijen, energjinë dhe mundin tënd dhe si shpërblim për këtë nuk do të marrësh asgjë më shumë sesa nënçmimin e tmerrshëm dhe të vazhdueshëm.


Lexo edhe: Pse nuk duhet të specializoni në QKUK – Prishtinë?

Si specializant në QKUK gjatë tërë viteve të specializimit nuk do të mësosh asgjë nga specialistët(shumica prej tyre) sepse askush nuk të tregon asgjë dhe nuk të mëson asgjë, madje ata t’i vjedhin edhe ato gjëra që i din dhe pastaj ia atribojnë vetes së tyre.

Si specializant në QKUK, shumica e specialistëve nuk duan as që të shohin me sy sidomos kur je në vitin e katërt ose të pestë të specializimit sepse të llogarisin si konkurent dhe si armik të tyre.

Si specializant në QKUK jo vetëm që nuk do të kesh para të mjaftueshme për veten dhe familjen tënde por shumë herë do të jesh edhe rast social dhe do të kërkosh para borgj tek njerëzit që i njeh për t’i mbuluar shpenzimet e jetës.

Si specializant në QKUK do të përballesh me kurthe të ndryshme të përpiluara qoftë nga specialistët…qoftë nga motrat ose infermierët. Kurthet e tyre shpeshherë janë të fshehura me petkun e “respektit të rrejshëm” dhe ndonjëherë dalin sheshazi duke bërë që në sytë e tyre të dukesh vetëm si një gjah i tyre. Shpesh herë do të provokohesh, do të akuzohesh, do të keqtrajtohesh etj.

Lexo: Ja sa dënoheni nëse e keqtrajtoni dikënd gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike

Si specializant në QKUK jo vetëm që nuk do të paguhen kujdestaritë që i mban por kujdestaritë e tua do të keqpërdoren më sakt do të vjedhen nga “Mafia zhvatëse” e cila është instaluar brenda QKUK-së që nga themelimi i saj. Fakti akoma më i tmerrshëm është se me paratë e tua kjo “Mafi zhvatëse” do të blej banesa, shtëpi, vetura dhe objekte të ndryshme në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri dhe madje me paratë e specializantëve të fituar me shumë mund, do të shkojnë edhe në pushimet e tyre. 

Lexo: Kujdestaritë e Specializantëve në QKUK po vjedhen

Si specializant në QKUK jo vetëm që do të përhumbesh nga “labirintet kriminale” brenda saj por një ditë do të akuzohesh edhe ti që je pjesë e tyre.

Si specializant në QKUK jo vetëm që do të kuptosh se shumica e personelit janë me personalitet të maskuar ose të shumëfishtë ose janë me dyfytyrësi apo shumëfytyrësi….por poashtu do të kuptosh që shumica e specialistëve nuk e zbatojnë betimin e hipokratit por betimin e hipokritit.

lëmitë internistike asnjë ose pothuajse asnjë specialist nuk të mëson për asgjë. Të gjithë do të ikin nga ju edhe nëse i pyet diçka të japin përgjigje tjetër të gabuar ose ngatërruese. Tërë kohën do të mbingarkohesh me punë administrative për të cilat nuk je i obliguar t’i kryesh por je i kërcënuar që t’i kryesh sepse menjëherë bëhesh cak i vërejtjeve nga ana e drejtorit, shefit ose specialistëve. Në vend që të merresh me shkencë internistike, ju do të merreni me adminstratë dhe statistika për të cilat paguhen të tjerët për t‘i bërë por t‘i do të jesh në thundrën kërcënuese dhe do të jesh i detyruar në mënyrë ç’njerëzore për t’i bërë.

Lexo edhe: Ja sa dënohet kanosja me fjalë, vepra apo gjeste! 

Në lëminë e Gjinekologjisë askush nuk tregon dhe nuk të mëson asgjë. Të gjithë të ngarkojnë me punë të tilla si fletëlëshim, analiza histopatologjike, analiza citilogjike, punë operatore, përcjellje të pacientëve dhe asnjë nuk është i interesuar të mësojë për ndonjë operacion apo intervenim gjinekologjik. Edhe në Gjinekologji është e njejta situatë, tërë kohën do të stërngarkohesh me punë administrative për të cilat nuk je i obliguar t’i kryesh por je i kërcënuar që t’i kryesh sepse menjëherë bëhesh objekt i vërejtjeve nga ana e drejtorit, shefit ose specialistëve. Specialistët ndaj specializantëve janë paragjykues, akuzues, kurthatorë, shantazhues dhe tepër hakmarrës.

E njejta gjë vlen edhe në lëmitë Kirurgjike, pothuajse të gjithë të shohin me syrin e urrejtjes, pakkush ose askush nuk është i interesuar të të mësojë asgjë, të konsiderojnë si skllav dhe janë akoma më paragjykues, akuzues, kurthatorë të padëgjuar e të paparë. Edhe nëse ndonjë specialist ndonjëherë tenton të të jap ndonjë operacion, atëherë Anesteziologu do të mundohet me tërë qenien e tij që t’a pengoj, duke folur haptas ose fshehtas me Kirurgun ose duke bërë me gjeste të ndryshme drejtuar specialistit Kirurg me qëllimin e vetëm që të mos mësohet kurrë të operoj asgjë. Pra edhe pse ju i kryeni të gjitha punët në repart dhe stërngarkoheni nga punët e shumta, përsëri do të jeni objekt i talljeve, nënçmimeve, kërcënimeve, kurthave, akuzave, shantazheve etj.

Lexo edhe: 6 arsye për të mos studiuar Mjekësinë

Poashtu edhe në Gastroenterologji nuk të mësojnë pothuajse asgjë, tërë kohën do të jesh skllav i tyre. Mund të kalojnë 5 vite të specializimit dhe ju nuk do të dini të bëni asnjë gastroskopi ose kolonoskopi sepse askush nuk ju mëson asgjë. Do të punoni përtej mundësive tua dhe do të ngarkoheni skajshmërisht dhe në fund do të fitoni asgjë. Do të jeni tërë kohën i ngarkuar me fletëlëshime, terapi, anamneza mirëpo nëse tentoni të mësoni ndonjë procedurë gastroenterologjike diagnostike do të hasni në pengesa të papara nga specialistët të cilët kanë dëshirë që ju të dilni si specialist tepër i dobët. Sa më i dobët aq më mirë për ata.

Në Oftalmogji është pothuajse e njejta situatë, pakkush ose askush nuk të tregon asgjë, shumica merren me thashetheme dhe kurtha ndaj specializantëve. Edhe këtu punët administrative janë barra e juaj për të cilën nuk jeni të obliguar t‘a kryeni por jeni të detyruar për shkak të nënçmimeve, kërcënimeve, kurthave, akuzave, shantazheve dhe talljeve.


Edhe në Ortopedi e njejta situatë, i njejti ferr, i njejti zjarr i cili i djeg fuqishëm specializantët sepse nuk mbrohen nga askush por përkundrazi sulmohen nga të gjithë dhe shfrytëzohen më keq se skllevërit dhe ngarkohen me punë të cilat do të duhej të kryheshin nga Specialistët. Do të ngarkoheni që gjatë kujdestarive të qëndroni në Emergjencë dhe të qëndroni 24 orë duke kontrolluar dhe mjekuar pacientë ndërsa specialistët do të jenë duke pirë kafe, duke të përgojuar ty ose duke shikuar TV. Ndërsa nëse është ndonjë rast për operacion nuk do të mësojnë asgjë por do t’i mbash instrumentet kirurgjike ose ortopedike duke asistuar me fuqinë e fundit fizike dhe shpirtërore dhe do të jesh i stërlodhur nga puna e stërmundishme dhe në fund nuk do të vlerësohesh aspak.

E njejta frymë e zymtë vlen në të gjitha drejtimet specialistike, e njejta xhungël është në tërë QKUK-në, edhe po të jesh shumë i mirë, shumë i aftë ose i përndritur, specialistët  me veprimet e tyre do të errësojnë dhe do t’a ndjesh veten i nënçmuar thellësisht.
 

Si specializant në QKUK jo vetëm që do të kesh pësime të ndryshme por do të kesh edhe hakmarrje të hapura dhe hakmarrje të fshehura nga njerëz që jetojnë me hakmarrjen. Vetëm nëse flet të vërtetën ata janë në gjendje të lëvizin çdo gurë për t’u hakmarrë. Çmenduria e tyre skizofrenike i kalon edhe kufijtë e të dukshmes dhe realitetit, ajo arrin në kufirin e stërkeqjes.

Lexo edhe: Të punosh si Mjek në Kosovë!

Si specializant në QKUK jo vetëm që do të pengohesh gjatë specializimit tënd por edhe do të dëshpërohesh dhe do të dëshirosh që të largohesh sa më parë nga ky vend dhe të specializosh në një vend tjetër larg “Ujqërve të QKUK-së”.

Si specializant në QKUK do të përjetosh fyerje, poshtërime të ndryshme, vuajtje, përpjekje për zhdukje të plotë (edhe fizike), nënçmime, ofendime, akuzime, shpifje, kërcënime, thashetheme, kurtha të ndryshme, dhembje shpirtërore, padrejtësi, hidhërime, inatosje, xhindosje, hakmarrje, kundërshtime, hipokrizi, skandale dhe të gjitha këto do t’i kesh si “dhuratë e shkollimit specialistik” në QKUK, dhuratë e cila është bërë nga drejtorët, specialistët, motrat, infermierët, rojtarët, bartësit, pastruesit etj.
 

Si specializant në QKUK do të kuptosh që shumicën e herave pacienti nuk shikohet më si pacientë por si klient ose si vlerë monetare dhe kjo do të bën të kuptosh që Mjekësi dhe humanizëm më nuk ka por këto fjalë janë zëvendësuar me fjalët tregti dhe biznes.

Vetëm të uriturit ia besojnë të uriturëve. Vetëm ata që e kanë prekur fundin e dhembjes, e njohin dhe e kuptojnë se çfarë është dhembja e vërtetë. Dhe ju specializantë  të dashur e dini plotësisht dhe e ndjeni se të gjitha këto janë të vërteta të pakundërshtueshme./Elmedina Baraliu/Bota Sot

Related posts

Historia e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës

QKUK
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka
filluar punën në dhjetor të vitit 1958, fillimisht me emrin Spitali i Prishtinës, deri në  vendimin për themelimin e Fakultetit të Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës, më 17 qershor 1969, kurse më 7.11.1973,
Fakulteti i Mjekësisë, bashkohet me Spitalin e Prishtinës, si Organizatë
e Punës së Bashkuar.
Prej 29 dhjetorit 1977, deri më 1991, ka vepruar si Organizatë punuese e Fakultetit të Mjekësisë.
Nga  muaji Qershor i vitit 1999,  merr
emrin QKUK.
Përveç veprimtarisë shëndetësore, në QKUK, ofrohet edhe  veprimtaria arsimore dhe ajo kërkimore- shkencore.  QKUK, organizohet në
klinika, institute, qendra, shërbime dhe  njësi administrative.

Related posts

20 mijë e 972 analiza, për katër ditë në QKUK

20 mijë e 972 analiza, për katër ditë në QKUK

Gjatë katër ditëve, në Klinikën e Biokimisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë kryer 20 mijë e 972 analiza laboratorike, për 4 mijë e 833 pacientë./Gazeta Shëndeti

Related posts