Cilat janë llojet e fjalive të përbëra me bashkërenditje ?


Gjuha Shqipe , Gjuhë Shqipe

 

Cilat janë llojet e fjalive të përbëra me bashkërenditje ?

 

Llojet e fjalive të përbëra me bashkërenditje

Fjalitë e përbëra me bashkërenditje sipas lidhëzave bashkërenditëse me të cilat lidhen janë:

1.Fjali e përbërë me bashkërenditje shtuese, ku pjesët lidhen me lidhëzat bashkërenditëse shtuese: e, dhe, edhe, as dhe lidhëzat e përsëritura edhe … edhe, as … as, jo vetëm …, por edhe …

Djali nuk e kishte parë babanë, as babai nuk e kishte parë djalin. Tregimi jo vetëm më mësoi diçka nga historia, por edhe më preku. Takimi me vëllanë Jorgjin edhe e gëzoi, edhe e dëshpëroi.

Njeriu as duhet të nxitohet, as duhet të trembet për vendimin e tij.

 

Pjesët e fjalisë bashkërenditëse shtuese kur lidhen me lidhëzat e, dhe, edhe, as nuk ndahen me presje. Kur përdoren lidhëzat e përsëritura: edhe … edhe, as … as, jo vetëm …, por edhe …, para pjesës së dytë vihet presje.

 

 

2. Fjali e përbërë me bashkërenditje veçuese, ku pjesët lidhen me lidhëzat bashkërenditëse veçuese: ose, o, apo, lidhëzën e përsëritur ose …, ose …

Të shkoj në stërvitje apo të mbaroj detyrat?

Ariani do ta lexonte librin në shtëpi ose do të shkonte në bibliotekë.

 

Para lidhëzave veçuese nuk vihet presje. Kur përdoren lidhëzat e përsëritura ose …, ose …, para lidhëzës së dytë vihet presje.

 

 

3.Fjali e përbërë me bashkërenditje kundërshtuese, ku pjesët lidhen me lidhëzat bashkërenditëse kundërshtuese: po, (por), kurse, mirëpo, megjithatë.

Babait i qeshte buza nën mustaqe, megjithatë e mbante veten.

Vera kishte ardhur me kohë, po shirat nuk kishin pushuar asnjë ditë.

Ne u përgatitëm për olimpiadën e matematikës, kurse Artani nuk u përgatit.

 

Para lidhëzës bashkërenditëse kundërshtore vihet gjithmonë presje.

 

 

4.Fjali e përbërë me bashkërenditje përmbyllëse, ku pjesët lidhen me lidhëzat bashkërenditëse përmbyllëse, si: andaj, pra, prandaj.

Unë kisha datëlindjen, prandaj i ftova shokët e klasës.

Lundërtarët arritën në Ngushticën e Magelanit, pra ia arritën qëllimit të tyre.

 

Para lidhëzës bashkërenditëse përmbyllëse vihet gjithmonë presje.