© Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
Kuptimi i fjalës

Çka është Forma ?

Kuptimi i fjalës Formë

 

FORMË f.

1. Tërësia e vijave dhe e tipareve të jashtme të dikujt a të diçkaje, ana e dukshme, trajta, figura; pamja e jashtme e diçkaje pavarësisht nga lënda me të cilën është bërë; tiparet e jashtme të njeriut ose të kafshës. Formë katrore (vezake, e rregullt). Formë e çuditshme. Forma e sendit (e gjethes). Forma e trupit (e kokës, e vetullave). Në formë rrethi. Në formën e zemrës. Merr (ndërron, ndryshon) formën. U jep formë flokëve rregullon flokët në një mënyrë të caktuar.

2. Ana e jashtme si diçka që nuk shpreh përmbajtjen e vërtetë, dukje; mënyra se si sillet a vepron dikush; diçka formale. E bën për formë. Sa për formë formalisht, sa për sy e faqe.

3. Kallëp ose mostër që shërben për të bërë diçka; shtypshkr. pajisje në trajtën e një kornize me reliev, ku vendosen germat metalike për shtypje; diçka që ka trajtën e një kallëpi a të një kornize dhe që përdoret për qëllime të ndryshme. Formë metalike (prej druri). Format e djathit. Derdh në formë.

4. Ndërtimi i diçkaje, i kushtëzuar nga një brendi e caktuar, mënyra e organizimit të një përmbajtjeje të caktuar; mënyra se si shfaqet, si paraqitet, si shprehet a si është diçka; lloj tjetër i diçkaje. Formë socialiste. Formë kapitaliste. Formë shtetërore (kooperativiste, private). Formë artizanale. Formë e vjetruar. Formë e drejtë (frytdhënëse). Në formë përfundimtare (të përmbledhur). Format e shtetit (e qeverisjes). Format e pronësisë. Format e kontrollit punëtor. Format e organizimit. Format e sëmundjes. Format e shprehjes së mendimit (e të menduarit). Format e energjisë. Forma e folur (e shkruar) e gjuhës.

5. filoz. Mënyra e lidhjes së elementeve të përmbajtjes, mënyra e organizimit, e ndërtimit të brendshëm dhe e shprehjes së përmbajtjes. Forma dhe përmbajtja.

6. let., art. Mënyra se si ndërtohet e organizohet një vepër letrare e artistike; tërësia e mjeteve shprehëse e figurative, që përcaktohen nga brendia, nga tema, nga problematika dhe nga ideja e një vepre letrare e artistike dhe shërbejnë për t’i mishëruar ato në figura të gjalla artistike. Forma artistike. Format e vogla vepra a krijime jo të mëdha nga vëllimi dhe jo të vështira nga kompozicioni. Formë e lartë (e përsosur). Forma dhe përmbajtja. Elementet e formës.

7. Gjendje shëndetësore a shpirtërore e mirë; gjendje fizike e mirë. Formë sportive. Jam (sjell, vij) në formë. Ra nga forma.

8. gjuh. Trajtë e një fjale, që shpreh kategori e kuptime gramatikore të caktuara; mënyra si është ndërtuar një njësi gjuhësore (fjalë a fjali); mënyra e veçantë e organizimit të brendshëm të gjuhës ose mënyra e veçantë si shprehet një përmbajtje e caktuar në një gjuhë a nga një fjalë. Forma të thjeshta (të përbëra, të pathjeshta, përshkruese, të plota, të shkurtuara, të shtjelluara, të pashtjelluara, analitike, sintetike). Forma e jashtme (e brendshme). Format e fjalës. Forma e njëjësit (e shumësit). Forma e dëftores (e habitores, e së pakryerës, e së kryerës së thjeshtë). Forma e fjalisë.

9. Seminar ku trajtohen çështje ideologjike e politike për edukimin e punonjësve. Format e edukimit ideologjik (politik). Format e arsimit.

10. Format. Forma e librit (e broshurës).

  • I formës së prerë zyrt. i vendosur përfundimisht, që nuk mund të rishqyrtohet e të ndryshohet (për një vendim gjyqi etj.). Format e ndërgjegjes shoqërore filoz. idetë e pikëpamjet politike, juridike, filozofike, morale, fetare, artistike, etj. që pasqyrojnë realitetin shoqëror në këtë ose atë mënyrë.

You cannot copy content of this page

Sign In

Register

Reset Password

Please enter your username or email address, you will receive a link to create a new password via email.