Kimioterapia
Onkologët e rekomandojnë kimioterapinë si trajtim për kancerin.
Kimioterapia përdor barna që eliminojnë qelizat kanceroze dhe parandalon rritjen e shumimin e tyre.
Disa kimiopreparate kanë shume efekte anësore por nëse mjekët rekomandojnë kimioterapinë si alternativë për trajtimin e kancerit do të thotë që përfitimet që sjell trajtimi janë më të rëndësishme se efektet anësore që ato mund të shkaktojnë.
Kimioterapia mund të jetë pjesë e një plani trajtimi që në tërësi përfshin edhe trajtimin kirurgjikal dhe trajtimin me radioterapi. Këto trajtime janë efektive në shumë lloje kanceri, por rezultati përfundimtar varet edhe nga stadi i sëmundjes ndër shumë faktorë të tjerë.
Para fillimit të trajtimit me kancer është e rëndësishme të diskutoni me onkologun për efektet e mundshme anësore dhe rekomandime të tjera mbi trajtimin.
Çfarë është kimioterapia?
Në një trup të shëndetshëm qelizat rriten dhe riprodhohen në mënyrë të kontrolluar. Qelizat kanceroze kanë aftësinë të rriten dhe riprodhohen në mënyrë të pakontrolluar. Ndërkohë që ato rriten dhe shumohen, zënë vendin e qelizave të shëndetshme.
Kimioterapia ndikon pikërisht në ndalimin e këtyre qelizave të rriten dhe riprodhohen.
Çfarë bën kimioterapia?
Kimiopreparatet mund të:
- Parandalojnë riprodhimin e qelizave kanceroze
- Eliminojnë burimin ushqimor të qelizave kanceroze (enzima dhe hormone të nevojshme për rritjen)
- Nxisin apoptozën ose “vetvrasjen” e qelizave kanceroze
Disa trajtime të reja kanë për qëllim të ndalojnë rritjen e enëve të reja të gjakut që furnizojnë tumorin me elementë ushqyes, çka mund të çojë në vdekjen e qelizave kanceroze.
Pse përdoret kimioterapia?
Mjekët e rekomandojnë kimioterapinë për:
- Të zvogëluar tumorin para kirurgjisë.
- Eliminuar qeliza kanceroze të mbetura pas kirurgjisë dhe për të parandaluar rekurrencën.
- Të ngadalësuar progresin e sëmundjes dhe për të reduktuar simptomat në stadet e avancuara të sëmundjes edhe pse s’ka mundësi për kurim.
Çfarë mund të presim nga kimioterapia?
Kimioterapia është një trajtim invaziv që mund të shkaktoj shumë efekte anësore si gjatë trajtimit ashtu dhe pas përfundimit të trajtimit. Kjo ndodh pasi kimioterapia ndikon si në qelizat kanceroze ashtu edhe në qelizat e shëndetshme të trupit.
Megjithatë, trajtimi me kimioterapi në stadet e hershme në disa raste sjell kurimin çka e bën trajtimin shumë të rëndësishëm pavarësisht efekteve anësore.
Sa zgjat kimioterapia?
Për çdo lloj kanceri ka një plan trajtimit specifik. Një cikël trajtimi mund të jetë më një dozë të vetme brenda një dite ose që mund të zgjas disa javë, në varësi të llojit të kancerit dhe stadit të sëmundjes.
Personat që kanë nevojë për më shumë se një cikël trajtimi, kanë një periudhë pushimi ndërmjet cikleve për të lejuar trupin të rikuperojë.
Ciklet mund të jenë në 1 ditë, pasuar me 1 javë pushim, ose pasuar më 3 javë pushim e të tjera kombinime.
Çfarë analiza gjaku janë të nevojshme?
Analizat e gjakut janë të rëndësishme të kryhen për të vlerësuar gjendjen shëndetësore të personave para fillimit të çdo cikli kimioterapie.
Ndër analizat e nevojshme mund të jenë:
- Analiza të përgjithshme biokimike – për të vlerësuar funksionin e mëlçisë (organi në të cilin kryhet metabolizimi i kimiopreparateve), për të vlerësuar funksionin renal dhe gjendjen e elektroliteve. Me kusht që analizat s’janë në vlera normale, cikli i kimioterapisë mund të shtyhet deri në rikuperim të plotë.
- Eritrocitet , leukocitet, trombocitet – në rast se këto parametra s’janë në normë, mund të jetë e nevojshme shtyrja e trajtimit deri në rikuperim.
Si merret kimioterapia?
Në shumicën e rasteve kimioterapia jepet në kushte spitalore, në të tjera raste mund të merret edhe në shtëpi.
Mënyrat e marrjes së kimioterapisë janë:
- Nga goja, si tableta, kapsula ose lëngje.
- Intravenoze si injeksion ose infuzion.
- Topike (nga lëkura).
Në rastet kur kimioterapia merret në shtëpi, duhen kryer vizita të rregullta te onkologu për të vlerësuar efektin e kimioterapisë dhe gjendjen e përgjithshme.
Është e rëndësishme që barnat të merren saktësisht si janë rekomanduar nga mjeku dhe nëse harrohet të merret një dozë duhet të kontaktoni me mjekun.
Në disa raste doza e kimiopreparatit duhet të jetë e vazhdueshme, çka bën të nevojshme vendosjen e një pompe e cila e mundëson marrjen e barit ngadalë dhe për një kohë të gjatë./Gazeta Shëndeti