Çka është rektoskopia?
Rektoskopia është një ekzaminim që mundëson vlerësimin e 20-30 centimetrave fundorë të zorrës së trashë, që realizohet me ndihmën e një endoskopi të veçantë që quhet rektoskop. Ky i fundit është një tub metalik ose plastik, rigid (i papërkulshëm), me diametër rreth 2 cm dhe gjatësi 30 cm, me një sistem optik që lejon mjekun të shohë në brendësi të rektumit.
Rektoskopia shërben për diagnostikimin dhe shpesh edhe për trajtimin direkt të sëmundjeve të rektumit, si dhe për zbulimin e hershëm të kancerit kolo-rektal (të zorrës së trashë dhe të rektumit).
Rektumi është pjesa më e poshtme e zorrës së trashë, me gjatësi rreth 20-30 cm, që përfundon me anusin (vrimën e jashtëqitjes). Ai ndahet në dy pjesë: rektumi vetë, me gjatësi 12-15 cm, dhe kanali anal me gjatësi 2-4 cm që përfundon me anusin.
Rektoskopia është një ekzaminim që i takon Gastroenterologjisë, që është degë e Mjekësisë së brendshme.