Çka është Sida (AIDS) ?
SIDA (AIDS)
Definicioni i Sidës: Akronimi, për Sindromën e mungesës së fituar të imunitetit (AIDS-acquired imune de- ficiency syndrome) paraqet sëmundje infektive retrovirale, e cila klinikisht karakterizohet me thyerje sekondare të imunitetit qelizor, te personat paraprakisht të shëndoshë, për të cilën arsye paraqiten infeksione oportuniste, tumore malinje oportuniste dhe humbje e ndjeshmërisë së tepërt të vonshme të shumë antigjeneve.
Kur është paraqitur për herë të parë Sida ?
Historiati i Sidës: Sëmundja për herë të parë është regjistruar në SHBA në vitin 1981 në qendrën për kontrollimin e sëmundjeve në Atlantë ku janë paraqitur 5 raste të sëmundjeve me pneumocistis karini, pneumoni te persona të rinj homoseksual, paraprakisht të shëndoshë, prej Los Anxhelosit. Më vonë janë vërejtur raste të shpeshtuara të sarkomës së Kapsoh-it te pjesëtarët e grupeve të rrezikuara: homoseksualët, narkomanët, dhe të sëmurët nga hemofilia.
Konsiderohet se sida rrjedh prej Zair-it prej ku është bartur në Haiti dhe Amerikë.
Kur është identifikuar për herë të parë virusi i Sidës ?
Virusi është identifikuar në vitin 1983 prej Luk Montani (luc Montagnie) në institutin e Paster-it në Paris dhe është quajtur LaV (Limphadenopathia associated Virus). Në fillim të vitit 1984 në Amerikë Robert Galo me bashkëpunëtorët ka identifikuar virus të ngjashëm nga grupi i retroviruseve, dhe e ka quajtur HTVL III (human T cell leucemia Lymmphotropic Virus Tip III). Në vitin 1985 është zbuluar hob retro virusi, i cili është quajtur HTVL IV/2. Më vonë është arritur deri te informatat se këto viruse janë identike dhe prej vitit 1986 kanë emër të përbashkët HIV (Human imunodeficiency virus), gjatë së cilës LaV është emërtuar si HIV 1, ndërsa HTLV, si HIV 2.
Kush e shkakton Sidën ?
Etiologjia e Sidës: Sëmundjen e shkakton virus retro human i cili bën pjesë në grupin Lentiviridae.
Me çka karakterizohen retroviruset ?
Retro viruset karakterizohen me periudhë të gjatë të latencës dhe variabilitetit gjenetik.
Sa është madhësia e virusit të HIV-it ?
HIV ka madhësi prej 100 nanomikroneve dhe formë të topit të futbollit. Është i përbërë prej nukleokapsidës dhe mbështjellësit.
Nukleokapsida përmban ARN në formë të spirales konike dhe enzimë transkriptazë reverzibile, e cila është polimerazë ADN e varur prej ARN-it të virusit. Mbështjellësi është i përbërë prej 12 pentago- neve dhe 20 heksagoneve, të cilët formojnë një trup të rregullt gjeometrik në formë të poliedrit. Në mbështjellës gjenden më tepër glikoproteina në formë të zgjatimeve, të cilat ndahen në të brendshme dhe të jashtme.
Epidemiologjia e Sidës: Sëmundja ka marrë përmasa pandemike dhe është përhapur në të gjitha kontinentet. Numri i të infektuarve dhe të sëmurëve është me miliona. Konsiderohet se për një person sero-pozitiv ekzistojnë edhe 50-150 persona të infektuar të pazbuluar.
Kush është burim infeksioni i HIV dhe si bartet HIV-i ?
Burim i infeksionit janë persona të sëmurë, ose persona seropozitiv, ndërsa infeksionin e bartin përmes gjakut, pështymës, spermës, sek- retit vagjinal, qumështit të nënës, kontak- tit seksual.
Patogjeneza e HIV-it: HIV pas depërtimit në organizëm në mënyrë selektive e infekton një lloj të limfociteve –T4, të cilët kanë rol të rëndësishëm në funksionimin e sistemit imunologjik (mbrojtës) të organizmit. Depërtimi i HIV në limfocitet T4 realizohet përmes lidhjes së CD4 receptorëve të vendosur në sipërfaqen e limfociteve T4 me gp 120 glikoproteinat të vendosur në mbështjellësin e HIV. Shumimi i HIV realizohet me ndihmën e enzimës transkriptazë reverzibile, përmes së cilës informacionet trashëguese të virusit ARN- shndërrohen në ADN, e cila më pas ndërthuret në bazën gjenetike të limfociteve T4 të personit të sëmurë.“Shifra”e virusit e cila është ndërthurur një herë, nuk mund të ndahet prej bazës gjenetike të qelizave të amvisit. Me këtë HIV bëhet pjesë përbërëse e informacioneve gjenetike të limfociteve T4, ndërsa si pasojë e kësaj fillon të shumohet në to. Kur virusi shumohet mjaftueshëm, struktura e brendshme e limfociteve dezorganizohet, membrana u bëhet e parregullt dhe më në fund ata zbërthehen duke liruar HIV-in. Gjatë kësaj, lim- focitet vdesin, ndërsa HIV, si virus ARN, e braktis limfocitin T4 dhe depërton në limfocitet tjera të cilët janë të shëndoshë. Qelizat target, sidomos limfocitet T-ndihmëse (T-helper-CD4), në mënyrë progresive zvogëlohen, gjatë së cilës njëkohësisht zmadhohet numri i viruseve qarkulluese. Kjo rezulton me shkatërrimin e sistemit mbrojtës (imunologjik) të amvisit. Paraqitja e infeksioneve oportuniste, ndryshimet patologjike dhe manifestimet tumorale të cilat e karakterizojnë sëmundjen, drejtpërdrejt janë të lidhura me mungesën e fituar të imunitetit.
Pasqyra klinike e HIV-it (shenjat dhe simptomat): Pasqyra klinike është polimorfe dhe paraqet problem të veçantë në njohjen dhe diagnostifikimin e sëmundjes. Përshkruhen dy lloje të simptomave të cilat definohen si major dhe minor. Simptoma udhëheqëse major janë humbja e peshës së trupit për më tepër se 10% në periudhë prej 3-6 muaj, diarre dhe febrilitet që zgjasin më tepër se 1 muaj, etj. Në simptomat minore bëjnë pjesë kolla, e cila vazhdon më tepër se 1 muaj, inflamacione të lëkurës, kandidijazë e gojës, herpes zoster, etj.
Rrjedha e infeksionit HIV karakterizohet me manifestime të shumta dhe të shumëllojshme. Disa prej tyre janë drejtpërdrejt të shkaktuara prej vet virusit, ndërsa tjerat janë si pasojë e infeksioneve oportuniste, dëmtimit të sistemit nervor, ose paraqitjes së formave të ndryshme të sëmundjeve malinje. Evolucioni i infeksionit HIV zhvillohet në katër stadiume. Stadiumeve të infeksionit HIV, u paraprin e ashtuquajtura fazë akute.
Faza akute shënohet si periudhë para serokonversionit. Zakonisht zgjat 2 deri në 12 javë, por mundet të zgjasë edhe deri në 24 javë. Manifestimet klinike në këtë periudhë janë: djersitje gjatë natës, ethe, zmadhim i nyjeve limfatike, dhembje në fyt, dhembje koke, gjuhë me shtresime, shpërthim i puçrrave nëpër lëkurë dhe kollitje. Gjendja zakonisht zgjat prej 7 deri në 21 ditë, pas së cilës simptomat zhduken dhe personi përsëri ndjehet plotësisht i shëndoshë.
Stadiumi i parë i njohur si limfadenopati afatgjate e gjeneralizuar ka të bëjë me kohën ndërmjet infeksionit HIV dhe paraqitjes së shenjave dhe simp- tomave. Gjatësia e kësaj periudhe sillet prej tre muaj e deri në 20 vjet, varësisht prej moshës, gjinisë, shëndetit të përgjithshëm dhe mënyrës së infeksionit. Te numri më i madh i personave të infektuar me HIV, kjo periudhë zgjat mesatarisht prej 7 deri në 10 vjet. Supozohet se kjo periudhë e gjatë latente ndodh për shkak të aftësisë së amvisit për të reaguar me reagim (përgjigje) qelizore T citotoksike. Klinikisht kjo periudhë kalon në mënyrë asimptomatike, që do të thotë mundet të mos ketë asnjëfarë manifestimi klinik subjektiv, apo objektiv. Në raste të caktuara mundet të vijë edhe deri te paraqitja e limfadenopatisë së gjeneralizuar simetrike persistente (të vazhdueshme), paraqitja e së cilës nuk mund të sqarohet me asnjë sëmundje tjetër. Gjatë këtij stadiumi personi e bart infeksionin, ndërsa statusi i tij HIV mund të vërtetohet në mënyrë labo- ratorike me testet e standardizuara HIV.
Stadiumi i dytë njihet si fillim i vërtetë i hershëm i sëmundjes. Karakterizo- het me paraqitjen e lezioneve jo specifike të lëkurës-mukozës, si për shem- bull leukoplakia leshatake e gjuhës. Janë të pranishme edhe simptoma tjera, diarre, humbje mesatare e peshës trupore, letargji, humbja e oreksit, ndjenjë e pakëndshme në stomak, ethe, djersitje gjatë natës, dhembje koke, limfade- nopati, ndryshime neurologjike të cilat çojnë deri te dëmtimet e përhershme, zmadhim i shpretkës, e tjera. Përcillet me infeksione përsëritëse të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.
Në stadiumin e tretë, ose stadiumi intermediar, dy dhe më tepër simptome paraqiten bashkë dhe zgjasin për një kohë më të gjatë. Karakterizohet me leukoplaki leshatake të gjuhës, ulkus labial, ose gjenital, tuberkulozë pulmonare, temperaturë mbi 37.8ºC e cila zgjat më shumë se një muaj, diarre (jashtëqitje) dhe humbje të peshës trupore më e madhe se 10%, djersitje gjatë natës, ndryshime neurologjike të cilat çojnë deri te humbja e mbajtjes në mend dhe neuropati periferike, si dhe paraqitje të neoplazmave. Në këtë stadium flitet për “AIDS related Complex”, ose ARC.
Stadiumi i katërt i sëmundjes, ose periudha e vonshme e sëmundjes karakterizohet me forma të rënda të infeksioneve oportuniste, ose tumore të cilat janë të lidhura me dëmtime të imunitetit qelizor. Janë të pranishme të gjit- ha simptomat të cilat paraqiten në stadiumin e tretë, por janë në fazë më të avancuar. Përveç tyre në këtë stadium munden me qenë të pranishme edhe sëmundjet e shkaktuara prej protozoave (pneumocistis karini, toksoplazmoza), kërpudhave (kandidijaza viscerale ose ezofageale, kriptokokoza), baktere (septikemi salmoneloze, tipi bovon, ose tipi atipik johuman i infeksioneve mikobakteriale). Në këtë stadium munden të paraqiten forma të ndryshme të limfomave posaçërisht të rënda (si p.sh. sarkoma e Kaposh-it), dëmtime të përhershme në sistemin nervor, si dhe forma të rënda të kaheksisë.
Diagnoza diferenciale: Infeksioni HIV në aspektin e diagnozës diferenciale duhet të përjashtohet prej CD4-T limfocitopenisë, sëmundjeve neurologjike me çmenduri, gjendje febrile dhe me diarre me etiologji të paqartë.
Prognoza: Sida paraqet sëmundje të rëndë infektive, vdekjeprurëse.
Terapia: Tani për tani sëmundja është e pashërueshme. Trajtimi përbëhet prej terapisë për infeksionet oportuniste dhe neoplazmat dhe prej terapisë antiretrovirale. Terapia antiretrovirale e pengon shumimin e HIV, e forcon sistemin e dobësuar mbrojtës të organizmit, i inhibon shkaktarët e infeksioneve oportuniste dhe e pengon veprimin e transkriptazës reverzibile që është përgjegjëse për aftësitë e virusit. Indikacione për pranimin e terapisë antiretrovirale janë: mjekimi etiologjik i pacientëve me HIV/SIDA, parandalimi i transmisionit vertikal dhe profilaksa postekspozuese te ekspozimi profesional dhe jo profesional. Prej mjeteve imunorestoruese ordinohen Interferon, hormone të timusit, interleukina, imunoglobulinat, transplantimi i palcës eshtërore, e tjera, ndërsa si mjete antiretrovirale, zidovudin (AZT), didanozin (ddi), zolcitabin (ddc), etj.
Diagnoza e HIV-it: Vërtetimi laboratorik i infeksionit HIV bëhet me të ashtuquajturin test HIV, i cili bëhet përmes testimit të gjakut. Testi më i vjetër për vërtetimin e infeksionit HIV me metodën e antitrupave është Western blot. Grupi i dytë i testeve HIV tregon praninë e antigjeneve virale (pjesë të virusit që shkaktojnë reaksione mbrojtëse në organizëm), si dhe teste për vërtetimin e koncentrimit të HIV në njësi të gjakut të analizuar. Prej metodave serologjike më së shpeshti përdoren metodat imunoenzimatike dhe metodat radioimune. Testi ELISA është metoda e përdorur më gjerësisht, por të gjitha analizat pozitive duhet të vërtetohen me Western blot, radioimunoprecipitim, imunofluoreshencë.
Preventiva apo parandalimi i HIV-it: Preventiva përbëhet prej shmangies ose ndalesës së mundshme të të gjitha rrugëve të bartjes së HIV-it. Marrëdhëniet seksuale të bëhen me prezervativ, të bëhet shmangia e ndërrimit të shpeshtë të partnerëve seksual, te personat që përdorin drogën përmes injeksioneve, të përdoren mjete për një përdorim, si dhe të përmbajturit e principeve themelore për dezinfektim, asepsë dhe antisepsë. Në përgjithësi nevojitet të veprohet në minimizimin e rreziqeve potenciale për bartjen e HIV, prej pacientit në punëtor shëndetësor, përmes mbajtjes së dorëzave, mbrojtjes prej lëndimeve eventuale me gjilpërë, ose me sende tjera të mprehta, ndërsa në mënyrë sekondare me manipulim të sigurt dhe me largim të tyre./Gazeta Shëndeti