”Dekada e Sigurisë”, prezantohen shifrat e aksidenteve dhe vdekjeve në trafik për 10 vite


loading...

“Dekada e Sigurisë Rrugore” është raporti për të cilën krerët e institucioneve të sigurisë e infrastrukturës u bënë së bashku për të treguar problematikat dhe gjendjen në rrugët e Kosovës duke u bazuar në aksidentet të cilat kanë ndodhur brenda kësaj dekade.

Vetëm në periudhën janar- korrik të vitit 2020 kanë ndërruar jetë 29 persona si pasojë e aksidenteve fatale te cilët kanë ndodhur në rrugët e Kosovës.

Në një dekadë, për çdo vit janë regjistruar mijëra aksidente ku janë regjistruar edhe mbi 1 mijë viktima.

Nënkoloneli i Trafikut, Jeton Rexhepi tregoi disa nga shkaktarët e aksidenteve te cilat ndodhin në komunikacion.

“Shkaktari kryesor në aksidentet sipas viteve paraprake është distanca mes automjeteve, mosrespektimi i shenjave, manovrimet me veturë ku janë shkaktuar kryesisht vetaksidente”, tha Rexhepi.

Deri sa po bëhej edhe prezantimi i raportit u tha se kryeqyteti i Prishtinës prin me numrin e lartë të aksidenteve rrugore kurse pas saj aksidente të shumta janë raportuar në autostrada.

Ministri i Infrastrukturës,  Arban Abrashi, tha se përballja me problemin e aksidenteve kërkon angazhim të të gjitha institucioneve.

“Aksidentet rrugore janë shkak i vdekjeve. Duke pasur parasysh qe në Kosovë ka rritje të vazhdueshme të automjeteve, siguria rrugore është bërë njëri nga problemet kryesore. Përballja me këtë problem kërkon angazhimin e të gjithëve. Aksidentet në 1 mijë 3017 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e aksidenteve që nga viti 2010. Secili nga ne mund të kontribuojmë që të kemi më shumë siguri në komunikacionin rrugor. Do te fillojmë zbatimin e planit për siguri në rrugë. Do te fillojmë krijimin e grupeve punuese për siguri rrugore. Do të identifikojmë akset rrugore me të rrezikshme. Si dhe do të fillojmë kampanjat vetëdijesuar për siguri në komunikacion”, tha Abrashi.

Në publikimin e këtij raporti i pranishëm ishte edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

“Përkundër kujdesit dhe angazhimit institucional siguria në rrugë ende kërkon vëmendjen e institucioneve. Me qëllim të ngritjes së sugurisë, policia vazhdimisht ka zhvilluar operacione të ndryshme të ndërlidhura me ndodhitë e evidentuar. Ka vazhduar bashkëpunimin me institucione ndërkombëtare si dhe ka vetëdijesuar personat dhe pjesëmarrësit në trafik me fushata dhe kampanja vetedijësuese”, tha Ministri Veliu.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se institucioni që ai drejton dhe Ministria e Infrastrukturës kanë një bashkëpunim të ngushtë.

“Policia e Kosovës me qellim te ngritjes së efektivitetit në planin zhvillimor të 2016-2020 ka pasur objektivë edhe parandalimi i aksidenteve. Përveç detyrave të përditshme policia ka realizuar edhe plane operative të veçanta. Jemi në dijeni që do të priten ndryshime ligjore për automjete por nevojitet të këtë kujdes që ndryshimet të jenë në favor të qytetarëve por duke pasur parasysh edhe investimet qe kanë bërë policia qeveria në trafik. Me kusht që krahasojmë aksidentet fatale në trafik dhe vrasjet jemi 5 me një pra çdo pesë aksidente fatale kemi një vrasje”, tha Qalaj.

Raporti i dekadës së sigurisë tregon se duke u bazuar në statistika që nga viti 2010, viti 2013 ka pasur numrin më të madh të aksidenteve në total 19 mijë e 954 të tilla kurse viti me më së paku aksidente është konsiderua 2018 me gjithsej 15 mijë e 741 aksidente.

Vetëm vitin e kaluar, janë regjistruar 16 mijë e 199 aksidente, 6 mijë e 140 aksidente me lëndime, 9 mijë e 959 me dëme materiale me 100 aksidente fatale dhe 113 persona të vdekur në këto aksidente.

Vetëm në autostradë vitin e kaluar janë regjistruar 565 aksidente kurse Prishtina prin me numrin e aksidenteve që kanë ndodhur.

Gjithsej 6 mijë e 824 aksidente kanë ndodhur në Prishtinë vitin e kaluar, 1 mijë e 237 në Gjilan, 1 mijë e 355 në Ferizaj, 1 mijë e 924 në Prizren, 1 mijë e 98 në Gjakovë, 1 mijë e 774 në Pejë, 1 mijë e 283 në Mitrovicën e Jugut dhe 139 aksidente janë regjistruar në Mitrovicën e Veriut.



loading...