Deputetja zvicerane viziton shkollën shqipe në Uster (ZH)

loading...


“Organizimin e mësimit në gjuhën amtare unë e vlerësoj lart, është një punë shumë e mirë”- tha në mes tjerash deputetja e Parlamentit zviceran znj. Priska Seiler – Graf

E Shtunë, 21 Nëntor 2020 – 19:24
albinfo.ch

Të enjten, më 19 nëntor 2020, Shkolla Shqipe në Uster kishte dy mysafirë të nderuar: deputeten e Parlamentit të Konfederatës Zvicerane znj.  Priska Seiler – Graf dhe këshilltarin komunal z. Kushtrim Aziri. Ata vizituan klasën e mësimit plotësues në gjuhën shqipe të mësuesit Vaxhid Sejdiu, thuhet në një njoftim për shjtyp, të Shkollës Shqipe të Zvicrës.

Nxënësit e  grupit të parë patën rastin të njihen me deputeten zvicerane dhe natyrisht t`i dëgjojnë edhe këshillat e saj, se sa e rëndësishme është të mësojnë gjuhën amtare.

E impresionuar nga nxënësit të cilët edhe pse të vegjël e pritën dhe e përcollën me buzëqeshje duke qenë aktiv gjatë orës mësimore znj. Priska Seiler – Graf, ju premtoi që në të ardhmen do t`i vizitojë përsëri.

Në fjalën e saj, ajo i përgëzoi nxënësit për angazhimin e tyre në orët mësimore për ta mësuar edhe gjuhën amtare edhe pse ata gjatë tërë javës janë të angazhuar në mësimin e rregullt në gjuhën e vendit. Dhe kjo po më pëlqen – tha ajo,  veçanërisht, po më pëlqen qëndrimi i prindërve tuaj, për t`iu dërguar në mësim për ta mësuar gjuhën amtare. Këtë duhet ta vlerësojmë lart. Gjuha amtare është shumë e rëndësishme posaqë ndihmon edhe mësimin e gjuhës së vendit, por edhe të gjuhëve të tjera.

Mësuesi Vaxhid Sejdiu, njoftoi deputeten znj. Seiler – Graf, për organizimin  e Shkollave Shqipe në Zvicër, me theks të veçantë në Kantonin e Cyrihut, si dhe bashkëpunimin me Drejtorinë  Arsimore të Kantonit të Cyrihut dhe mbi të gjitha bashkëpunimin e ngushtë me Drejtoritë e Shkollave Zvicerane, edhe të kantoneve tjera.

Ai, po ashtu theksoi se vetëm gjatë një viti janë hapur 42 shkolla, në të cilat ndjekin mësimet në gjuhën amtare 629 nxënës shqiptarë. Ky sukses s’ do të ishte kështu siç është pa mbështetjen e madhe të Drejtorive të Shkollave Zvicerane, të cilat në vazhdimësi na ndihmojnë në organizmin sa më të mirë të shkollave shqipe, përfundon njoftimi.

Dhe në fund, një foto e përbashkët në shenjë falënderimi për mikpritjen, (nga e majta në të djathtë) z. Kushtrim Aziri, znj.  Priska Seiler – Graf dhe mësuesi i gjuhës shqipe z. Vaxhid Sejdiu

(Shkolla shqipe Zvicër, Sektori për informim)



Related posts