Dhoma e biznesit të diasporës shënoi 1 vjetorin e themelimit

loading...


E Mërkurë, 18 Nëntor 2020 – 22:28
albinfo.ch

Më shumë se 100 përfaqësues të Dhomës së Biznesit të Diasporës morë pjesë sot në një takim virtual në kuadër të 1-vjetorit të themelimit të saj.
Në fjalën e tij të hapjes, kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës Ardian Lekaj tha se viti 2020 deri tani ka qenë një vit i vështirë, për të gjithë, shkruan atsh, përcjell Albinfo.ch.

“Sot jam shumë krenar që më në fund po realizohet një ëndërr. Shumë e më shumë njerëz po e kuptojnë se Diaspora ka vlerën e saj dhe se përmes Diasporës mund të arrihen suksese të reja. Ne në këto momente s’ jemi gjë tjetër veçse një ajsberg, të cilit i shikohet vetëm pjesa e sipërme dhe pjesën nën ujë do ta shohim më vonë”, u shpreh Lekaj.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko theksoi se Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare është një nga projektet më ambicioze që ne kemi nxitur në këtë periudhë.
“Dhe besoj dhe uroj që Dhoma e Biznesit do të jetë vërtet një projekt, i cili do të bashkojë të gjithë shqiptarët. Diaspora Shqiptare s’ është një projekt vetëm i një shteti. Kjo është arsyeja që Shqipëria ka lidhur marrëveshje edhe me Kosovën, është në proces edhe me Maqedoninë e Veriut, si dhe me Malin e Zi. Mendoj që forca e bizneseve shqiptare në Diasporë, por edhe e partnerëve të tjerë, ka shumë rëndësi. Pasi mendoj që ne kemi hedhur hapat dhe strukturat për të krijuar një Dhomë vërtetë ambicioze”, u shpreh ai më tej.

Presidenti i Nderit i Dhomës së Biznesit të Diasporës, Lazim Destani duke falenderuar anëtarët e kryesisë dhe stafin e Dhomës së Biznesit për punën e bërë me përkushtim gjatë gjithë kësaj periudhe, që nga themelimi i Dhomës, tha se kjo ka qenë një periudhë shumë e jashtëzakonshme, e nisur me pasojat e tërmetit për të vazhduar pastaj me telashet që shkaktoi pandemia.

“Në këto rrethana tejet të vështira u dëmtuan shumë familje e shumë biznese, si në vendet tona ashtu dhe në diasporë e kudo në botë. Të ndodhur përballë këtyre vështirësive Dhoma s’ është ndalur, përkundrazi, gjithsecili kemi zhvilluar aktivitete gjatë gjithë kohës. Kemi zhvilluar gjithashtu takime bashkëpunimi me rrjetet e bizneseve në vende të ndryshme të Europës, si dhe jemi në kontakte të vazhdueshme me kompani të fuqishme të pjesëtarëve të Diasporës sonë. Jemi me plot shpresa për të bërë punë të mira, për të realizuar investime e për të hapur vende pune të reja. Uroj sa më shpejt ta lëmë prapa pandeminë, në mënyrë që ditët, javët dhe muajt në vijim të jenë gjithnjë e më të favorshëm për rimëkëmbjen, zhvillimin dhe funksionimin e bizneseve”, tha ai.

Duke bërë bilancin e një viti punë kryetari i Dhomës së Biznesit Ardian Lekaj tha filluam ditën e tërmetit duke u mbledhur të gjithë së bashku në zonat ku kishte rënë tërmeti.

“Pyetja më e madhe në ato momente ishte: do vazhdojmë, do të bëjmë hapjen apo s’ do të vazhdojmë? Ne vendosëm të vazhdojmë të bëjmë hapjen, përse jeta e re fillon në gërmadha. Dhe ditë për ditë nga pak, filluam të zgjerojmë networkun, dhe të krijojmë kontaktet tona. Tani jemi në fazën e mbledhje së informacioneve, pas kësaj faze kemi filluar me aleanca, dhe pas aleancave fillojnë projektet konkrete. Projektet konkrete ecin edhe paralelisht dhe ju do të shikoni dhe shembuj konkret”, shtoi ai.

Por pavarësisht një viti të vështirë Dhoma e Biznesit të Diasporës ka arritur të realizojë një sërë projektesh dhe bashkëpunimesh.

Ndër to, Lekaj renditi bashkëpunimin me Dhomën e Tregtisë Shqiptare në Itali; marrëveshjen e bashkëpunimit me kompaninë Marlotex dhe organizatën Wold Vision për shpërndarjen e 20 mijë maskave për nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare dhe të mesme; organizimin e dhurimit të 5 mijë testeve COVID-19 Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhuruara për Shqipërinë nga tre biznesmenë të Diasporës shqiptare, marrëveshjen e bashkëpunimit me Dhomën Amerikane të Biznesit, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit të DHBD me rrjetet ekzistuese të diasporës në Zvicër, Gjermani, Itali, Belgjikë, Luksemburg.

Projekti i radhës i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare në bashkëpunim me Cooperazione Italiana dhe IOM, i cili pritet të lancohet më 18 dhjetor, tha Lekaj, është “Connect Albania”. Sipas tij, ky është një projekt ambicioz, i cili do të nxisë ndërmjetësimi e ardhjes së investimeve në Shqipëri përmes përfaqësuesve të Diasporës.

“Të gjitha këto s’ do të ishin bërë të mundura pa mbështetjen e një personi që ndoshta ka qenë motivatori, iniciatori më i madh në të gjithë vitet e fundit për Diasporën Shqiptare. Ky person ka ndihmuar jo vetëm shqiptarët në Shqipëri, ka mbështetur jo vetëm shqiptarët brenda kufijve të vendit por edhe ata ne Kosovë. Maqedoninë e Veriut apo Malin e Zi. Ndaj ne duam të nderojmë me këtë çmim që ne e quajmë “Vizioni i Diasporës Shqiptare”, Pandeli Majkon”, përfundoi Lekaj.



Related posts