Skip to toolbar

Dr. Fatime Imeri: Kur dhe si duhet të bëhet testi serologjik për COVID-19?


loading...

Dr. Fatime Imeri është eksperte shqiptare e mikrobiologjisë nga Cyrihu. Ajo në këtë artikull shpjegon se kur dhe si bëhet testi serologjik

E Mërkurë, 16 Shtator 2020 – 15:00
Dr. Fatime Imeri

Testet serologjike

Testi serologjik për COVID-19 detekton antitrupat në gjak kundër virusit SARS-CoV-2.  Ai rezulton pozitiv përafërsisht 2 javë pas shfaqjes së simptomeve të para të sëmundjes.

Pak kohë pas infeksionit, qelizat e sistemit imunitar fillojnë të prodhojnë antitrupa  (IgG, IgM dhe IgA) të cilët qarkullojnë në gjak me qëllim që ta eliminojnë virusin nga organizmi. Detektimi i tyre me teste komerciale serologjike bëhet vetëm atëherë kur sasia e tyre në gjak arrin një nivel të caktuar.

Në cilat raste rekomandohet testi serologjik

Përveç për studime epidemiologjike dmth për të përcaktuar përqindjen e popullsisë që ka qenë e infektuar me virusin, testi serologjik bëhet edhe në këto raste:

  • Te personat që kanë pasur simptome të COVID-19 dhe kanë pasur rezultat negativ në RT-PCR ose s’ e kanë bër aspak testin PCR
  • Te personat që kanë simptome dhe klinikë të pazakonshme (marramendje, gjakderdhje në tru, vaskulit,  sindromin Kawasaki). Këto simptome dhe sëmundje paraqiten pasi të ketë kaluar faza fillestare e COVID-19, atëherë kur testi RT-PCR shpesh del negativ. Sëmundjet e tilla s’ i shkakton drejtpërdrejt virusi, por antitrupat e prodhuar kundër virusit, të cilët sulmojnë qelizat e organizmit.
  • Te personat me imunitet të dobët (pas transplantimeve ose gjatë kemoterapisë te sëmundjet kanceroze)

 Llojet e testeve serologjike dhe përvoja ime me to

Numri i testeve serologjike komerciale për COVID-19 është shumë i madh, poashtu edhe numri  i testeve të shpejta me procedurë të testimit që zgjatë mesatarisht 15 minuta.  Saktësia e testeve dallon shumë, sidomos e atyre të shpejta dhe shumica e tyre s’ kanë kualitet të mjaftueshëm.

Çmimi që pacienti e paguan në Zvicër  për testin serologjik është 25 CHF përafërsisht 23 Euro (deri më 14.09.2020 ka qenë 39 CHF/36 Euro).

Nga përvoja me 4 teste komerciale, dhe pas mijëra testimeve serologjike në laboratorin tim  në Cyrih konkludoj që:

  • Po qe se pacienti ka simptome akute të COVID-19, testi serologjik do të rezultojë negativ.
  • s’ ka akoma test serologjik të sigurtë, që do të bënte detektimin e antitrupave në fazën fillestare apo akute të COVID-19 (as të IgM dhe IgA, të cilët prodhohen në fillim të sëmundjes).
  • Testi në gjak rezulton pozitiv mesatarisht 2-3 javë pas sëmundjes COVID-19.
  • Shkalla e sëmundjes s’ ka ndikim të drejtpërdrejtë në kohën e paraqitjes së antitrupave, dmth te një person që ka simptome të rënda antitrupat s’ prodhohen më herët. Edhe te  ata pacientë, testi serologjik në fillim rezulton negativ.
  • Te shumica e pacientëve me simptome të rënda të COVID-19, sasia e antitrupave të detektuar është shumë e lartë.
  • Në raste tepër të rralla, testi mund të dalë negativ edhe 4 javë pas infeksionit. Rekomandohet  që testi të përsëritet 3-4 javë më vonë.
  • Testi pozitiv s’ ofron siguri të 100%-të që pacienti e ka kaluar sëmundjen dhe s’ mund të infektojë të tjerët. Kur sëmundja zgjatë me javë të tëra, personat e tillë kanë antitrupa (testi serologjik pozitiv), por njëkohësisht e kanë akoma edhe virusin e gjallë në organizëm (RT-PCR gjithashtu pozitiv). Dmth në këtë rast, personi është akoma infektues për të tjerët.
  • Disa javë pas shërimit nga COVID-19, testi serologjik është pozitiv vetëm  për  antitrupat IgG, meqenëse ato prodhohen një kohë më të gjatë se IgA dhe IgM.
  • Po qe se saktësia e testit është e ulët, rezultati mund të dalë pozitiv edhe Po qe se një person s’ ka qenë kurrë i infektuar me virusin e COVID-19. Kualiteti i testit është shumë i rëndësishëm!

Interpretimi i rezultatit

Rezultati pozitiv në testin serologjik për  COVID-19 do të thotë që një individ ka qenë i infektuar më herët me virusin. akoma s’  dihet saktë,  për sa muaj apo vite pas sëmundjes ai test mbetet pozitiv. Po ashtu s’ është e qartë për sa kohë ky individ është i mbrojtur nga një infeksion i sërishëm me  COVID-19.  Mendohet që edhe limfocitet T mund të kenë rol në imunitetin kundër COVID-19, por për këto s’ ka teste laboratorike.

 

 

 

 

 



loading...