Drejtori i Policisë: Më shumë se 100 policë kanë probleme serioze shëndetësore

loading...
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se më shumë se 100 policë kanë probleme serioze shëndetësore, dhe se ata janë duke marrë trajtim adekuat shëndetësor.
Sipas tij, sëmundjet më të cilat përballen policët janë të natyrave të ndryshme duke përfshirë edhe sëmundjet psikike.
“Ne kemi mjaft kolegë që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, nga sëmundje të rënda duke përfshirë edhe disa kolegë që vuajnë nga sëmundje psikike. Të gjithë janë duke u trajtuar në aspektin mjekësor”, tha Qalaj.
Qalaj tha se për rastet në të cilat zyrtarët policorë kanë probleme të tilla shëndetësore, parashihen edhe masat siç është ri-sistemimi në pozita tjera të punës.
“Shumica prej tyre punojnë me detyra të lehtësuara, pa armë, pa pajisje, mirëpo për shkak të moseksiztimit të ligjeve adekuate ne duhet t’i mbajmë ata në punë dhe maksimalisht bëjmë përpjekje që t’i sistemojmë aty ku ata mund të kryejnë ndonjë punë dhe ta ndjejnë veten se janë pjesë e sistemit”, deklaroi Qalaj.
Drejtori i Policisë së Kosovës, i bëri këto komente në Gjilan, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
I pyetur për rastin e së martës ku një zyrtare policore dyshohet se vrau me armën e saj zyrtare nënën, babanë dhe dy vëllezërit e më pas edhe veten, Qalaj, refuzoi që të jep detaje, duke thënë se rasti është nën hetim dhe se të gjitha detajet do të zbardhen nga prokuroria.
Në orët e vona të së martës, Inspektorati Policor i Kosovës rekomandoi suspendimin e katër punonjësve të Policisë së Kosovës duke përfshirë edhe komandantin e stacionit policor, zëvendëskomandantin policor dhe shefin e operativës së stacionit policor në Gjilan.
Si ndodhi incidenti në Gjilan?
Më 18 shkurt, një zyrtare e Policisë së Kosovës në Gjilan ka vrarë katër anëtarë të familjes së saj dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar përmes një komunikate se policja, me inicialet V.B., “me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa pastaj ka kryer vetëvrasje”.
Nënkoloneli, Remzi Azemi, dhe prokurori i rastit Arben Kadriu, kanë konfirmuar se vrasja nga policja, ka ndodhur me armë zyrtare.
“Ishte zyrtare policore aktive dhe dyshohet se ka përdorur armën zyrtare”, ka thënë zoti Kadriu, duke tërhequr vërejtjen se hetimet janë në fazën fillestare. /REL

Related posts