Drejtori i ShSKUK-së ua ndalon punëtorëve shëndetësorë të kërkojnë pagën jubilare

loading...
Shkruan:Drenushë Ramadani
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Basri Sejdiu, u ka kërkuar drejtorëve të klinikave që t’ua ndalojnë punëtorëve shëndetësorë të klinikave të tyre të kërkojnë pagat jubilare.
Këtë kërkesë Sejdiu e ka bërë përmes e-mailit dhe arsyetimi është se ShSKUK nuk mund t’i paguajë dhe se institucioni mund të përballet me kolaps buxhetor.
“Kërkoj nga ana juaj që të ndaloni punëtorët tuaj që të bëjnë kërkesë për pagë jubilare, sepse buxheti aktual i ShSKUK-së pamundëson pagesat e tyre dhe mund të ballafaqohemi me kolaps buxhetor”, thuhet në e-mailin e Sejdiut drejtuar drejtuesve të klinikave.
KALLXO.com ka kontaktuar me Sejdiun dhe i njëjti nuk ka mohuar që ka dërguar këtë e-mail dhe se me anë të tij ka kërkuar mirëkuptimin e punëtorëve dhe drejtorëve të klinikave pasi janë në fazën e dëgjimeve buxhetore.
“E kam çu një e-mail veç për me pas mirëkuptim derisa të bëhen dëgjimet buxhetore sepse nuk ka buxhet të ndarë për pagat jubilare  dhe këtu është qëllimi që me pas mirëkuptim sepse ajo nuk është ndalë dhe ju takon dhe ju kam kërku vetëm në këtë fazë. E kam njoftuar edhe ministrin për shkak se nuk është ndarë buxhet për këto paga ndërsa me përmbarues edhe me gjykata shkojnë në shpenzime shtesë dhe e dëmtojnë buxhetin”, tha Sejdiu për KALLXO.com.
Në e-mail, po ashtu, thuhet se nëse drejtorët nuk ua ndalojnë punëtorëve kërkesat atëherë kjo do të ndikojë në vlerësimin e drejtorëve dhe punëtorëve që aplikojnë.
“Natyrisht se kjo do të ndikojë edhe tek vlerësimi i performancës suaj të punës dhe të punëtorëve që aplikojnë”, thuhet në e-mail.
Basri Sejdiu ka thënë për KALLXO.com se pas dërgimit të këtij e-maili e ka dërguar edhe një tjetër.
“Ju kam dërguar një e-mail tjetër që me pasë mirëkuptim deri kur të përfundohen dëgjimet buxhetore”, shtoi ai.

Related posts