Duket që ka fituar Joe Biden

loading...


Një këshilltar i lartë i Presidentit Trump u duk se pranoi të hënën se s’ ka shumë të ngjarë që presidenti të shpallet fitues i zgjedhjeve të 3 nëntorit, megjithëse zoti Trump dhe ndihmës të tij të afërt akoma shpresojnë për një mandat të dytë.

“Nëse vendoset se fituese ishte dyshja Biden-Harris, në fakt gjërat duket se po shkojnë në atë drejtim, do të bëjmë një tranzicion shumë profesional në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Pa diskutim,” tha këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare, Robert O’Brien gjatë Forumit për Siguri Globale, të zhvilluar me anë të internetit.

“Fakti i mrekullueshëm është se në Shtetet e Bashkuara ne e kalojmë stafetën në mënyrë paqësore dhe me sukses edhe në periudhat më konfliktuale,” tha zoti O’Brien.

Komentet e zyrtarit të lartë vijnë në një kohë që Presidenti Trump vazhdon të këmbëngulë në median sociale se zgjedhjet u manipuluan dhe se ai duhet të shpallet fitues dhe jo rivali demokrat Joe Biden, të cilin e kanë shpallur fitues të pritshëm mediat amerikane.

“Demokratët e së majtës radikale, duke bashkëpunuar me partnerët e tyre, ‘Median e Lajmit të Sajuar’, po përpiqen të VJEDHIN zgjedhjet. s’ do t’i lëmë,” tha presidenti, pak pas komenteve të zotit O’Brien.

“Unë i fitova Zgjedhjet!” shtoi presidenti në një tjetër postim në Twitter të hënën, ndërkohë që në një tjetër vuri në pikëpyetje vërtetësinë e procesit për numërimin e votave që vazhdon në shtetin Xhorxhia.

Kompania Twitter u ngjiti nga një etiketë me fjalët “në pikëpyetje” të tre postimeve të presidentit.

Të hënën, zoti O’Brien u duk se kishte zgjedhur një ton më të zbutur.

“Nëse ka një administratë të re, ata meritojnë të kenë një farë kohe në dispozicion para se të vijnë në Shtëpinë e Bardhë dhe të fillojnë zbatimin e politikave të tyre,” tha ai. “Do të kenë njerëz shumë profesionistë që do të mbushin këto poste, shumë prej të cilëve kanë qenë më parë në detyra në Shtëpinë e Bardhë”.

Zoti O’Brien shprehu gjithashtu shpresën se si president, zoti Biden do të çojë më tej disa nga sukseset e Presidentit Trump, sidomos Marrëveshjet e Abrahamit mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara dhe Bahrenit.

“Nëse paditë e ngritura s’ përfundojnë me sukses për Presidentin Trump dhe presidenti i zgjedhur Biden bëhet presidenti i ardhshëm amerikan, shpresoj që administrata Biden-Harris do të vazhdojë të punojë për Marrëveshjet e Abrahamit,” tha ai gjatë forumit me anë të internetit.

Ekipi i presidentit Trump ka ngritur një numër padish lidhur me fletëvotime në disa shtete të lëkundura. Por, të dielën ekipi hoqi dorë nga një element i rëndësishëm i padisë që kishte ngritur në Pensilvani në përpjekje për të ndalur çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Zyrtarët kanë thënë se akuzat e ngritura kanë të bëjnë tani me një numër të vogël fletëvotimesh në një shtet ku pritet që Joe Biden të dalë fitues me një diferencë prej më shumë se 60,000 votash.

Vetë presidenti vazhdon të ngulmojë publikisht me pretendime për manipulim votash dhe parregullsi të tjera, megjithëse ai dhe përkrahësit e tij s’ kanë ofruar prova për të mbështetur këto pretendime.

Të dielën u duk se presidenti e pranoi se rivali Joe Biden kishte fituar, por komentoi në Twitter se Biden “fitoi meqenëqë zgjedhjet u manipuluan” dhe se rivali demokat “ka fituar vetëm në sytë e MEDIAS SË LAJMEVE TË SAJUARA”.

“s’ PRANOJ ASGJË!” shtoi presidenti./VOA



Related posts