Skip to toolbar

Elezaj s’ ka qenë në dijeni për aplikimin e vajzës së tij

loading...

Zenun Elezaj doli sot para gjykatës së Pejës për t’u ballafaquar me akuzën që e ngarkon atë për vepër penale të korrupsionit.

Elezaj akuzohet nga prokuroria për rastin e punësimit të vajzës së tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Elezaj edhe sot u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Prokurorja e rastit Valbona Haxhosaj-Disha deklaroi para gjykatës së nga provat në shkresat e lëndës do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit Elezaj.

Në anën tjetër, avokati Kujtim Kërveshi, mbrojtës i Zenun Elezajt, tha se pas shqyrtimit të provave në gjykatë i akuzuari duhet liruar nga akuza që e ngarkon atë.

Sipas avokatit, i mbrotjuri i tij kur ka nënshkruar vendimin për themelimin e komisionit, s’ ka qenë në njohuri se vajza e tij ka aplikuar në atë konkurs.

“I mbrojturi im s’ e ka ditur se vajza e tij ka aplikuar dhe pasi që e ka kuptuar që vajza e tij ka aplikuar në atë konkurs s’ ka marrë asnjë veprim zyrtar”, u deklarua avokati.

Sot para gjykatës u dëgjua edhe nënkryetari i Klinës, Besim Hoti, i cili ka nënshkruar raportin final të rekrutimit, ku është përzgjedhur vajza e kryetarit Elezaj.

Dëshmitari tha se në këtë rast janë formuar dy komisione, një lidhur me zhvillimin e procedurave për marrëdhënien e punës, vendim që e ka nënshkruar vetë kryetari Elezaj, ndërsa raportin final e ka nënshkruar ai pa autorizim të kryetarit.

Hoti deklaroi se ligji e autorizon atë që në mungesë të kryetarit ti ushtroj kompetencat e kryetarit.

Nënkryetari duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores deklaroi se vendimin për punësimin e vajzës se kryetarit e ka nënshkruar pa autorizim të kryetarit, por në përputhshmëri më ligjin.

“s’ kam pasë autorizim. Me sa e di kryetari ka qenë jashtë shtetit dhe unë i kam zbatuar kërkesat e ligjit”, deklaroi nënkryetari para gjykatës.

Dëshmitari deklaroi se pas një kohe e ka njoftuar kryetarin e Klinës për kontratën e nënshkruar nga ai.

Hoti tha se kryetari s’ e ka njoftuar se vajza e tij ka aplikuar në këtë konkurs.

ndërsa avokati e ballafaqoj dëshmitarin më deklaratën e tij të dhënë në prokurori ku ka deklaruar se “Një gjë dua të shtoj se mua personalisht kryetari më ka thënë së unë në këtë rast s’ dëshiroj të përzihem”.

Dëshmitari tha se e saktë është ajo çka ka deklaruar në prokurori.

Me vendim te kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Violeta Husaj Rugova, seanca e radhës u shty për datën 9 tetor.

Prokuroria e Pejës po pretendon se kryetari Zenun Elezaj edhe pse e kishte ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në konkursin e datës 2 shkurt 2018, ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies se punës lidhur me po të njëjtin konkurs.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar, kishte përzgjedhur vajzën e kryetarit si më të suksesshmen, duke e punësuar atë në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Në dosja e Prokurorisë thuhet se kallëzimi penal kundër kryetarit Elezaj është ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Kosovë.

Në një opinion ligjor të AKK-së dhënë për Prokurorinë e Pejës thuhet se Kryetari i Komunës përjashtohet nga ecuritë vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë çështje në të cilën ai apo ndonjë anëtar i familjes se tij ka interes personal apo financiar.

Kryetari i Klinës në dëshminë e tij të dhënë para organit ndjekës ka deklaruar se në momentin kur ka kuptuar se vajza e tij ka aplikuar për mjeke në atë konkurs, vullnetarisht e ka përjashtuar veten nga vendimmarrja dhe ecuritë administrative.

Kryetari i Klinës nesër para gjyqit për punësimin e vajzës së tij

 



loading...