Wed. Dec 1st, 2021
Ese , Ese shqip, Ese të ndryshme , Ese dhe Hartime

Ese për korrupsionin

Korrupsioni… Edukimi si mënyra më efikase për luftimin e tij

 

Sot, shoqëritë bashkëkohore përballen me një larmishmëri formash të kundraligjshme dhe unë duke reflektuar mbi to vendosa me shumë dëshirë të punoj këtë temë shumë delikate dhe aktuale që është “Korrupsioni”. Por, është gjithashtu i pamohueshëm fakti se korrupsioni është fenomeni i të gjitha kohërave, i pranishëm në të gjitha mjediset e sistemet e ndryshme duke qëndruar në fokus të rrezikimit të demokracisë për ato vende në zhvillim dhe ato vende që kanë hedhur pas të shkuarën autoritare.

 

Pikë së pari do doja të përkufizoja termin korrupsion në aspektin ligjor në sistemin tonë juridik shqiptar: “Kuptojmë shpërdorim i pushtetit të besuar ose i funksionit publik për përfitim privat”. Gjithashtu, ky kuptim i korrupsionit gjendet në konventat dhe në standartet ndërkombëtare për korrupsionin si p.sh. Konventa e Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit. Do të kthehem në retrospektiv për te cituar një nder filozofët e antikitetit dhe pse shumë prej filozofëve te kësaj periudhe flisnin për një shtet të së drejtës.

 

Sipas Platonit: Nuk duhet ti jepet një pushtet i madh një individi të vetëm apo një elite sepse pushteti ka tendencë të korruptojë dhe pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute. E gjitha kjo shpjegon qartë problemet që qëndrojnë ne themel të drejtësisë, politikave, strategjive, institucioneve, kuadrit ligjor dhe përpjekjeve për ta luftuar atë.

 

Kurse duke iu referuar fjalorit të gjuhës shqipe, me korrupsion kuptojmë: ”E prish dikë nga ana morale dhe e bën të marrë rrugë të keqe për qëllime të caktuara, e shtyn dikë me anë dhuratash, rryshfetësh etj. që të veprojë në kundërshtim me detyrën që ka, të shkelë ligjet etj., për të bërë shërbime”. Pra siç shikohet korrupsioni është një dukuri shumë e gjërë duke rrëmbyer përpara kohësinë e shekujve deri në ditët tona, e duke qëndruar në themel të të gjitha brezave. Kjo më bën të përballem me një pyejtje: Mos vallë korrupsioni qëndron në edukimin tonë e në mënyrën se si sillemi në familje dhe në shoqërinë tonë?

 

Fatkeqësisht është e vertetë se janë bazat e edukimit tonë, formimit tonë që duhen luftuar për ndryshim. Duke nisur nga arsimi ku kemi të bëjme me një sistem të korruptuar që nga themelet, e ku njeriu nuk vlerësohet në bazë të dijes por në bazë të portofolit. Realisht shumë e dhimbshme, por shumë aktuale, sepse dijen nuk mund ta blesh me para edhe pse mund të blesh me to shkollën, kolegjin, fakultetin. Kjo është dëshmi e krizës së vlerave të mirëfillta të shoqërisë sonë. Prandaj është i domosdoshëm edukimi kundër korrupsionit e për të krijuar disa kode të etikës, rregullore dhe ligje që do të ishin obligative për të gjitha palët e përfshira në procesin edukativ – arsimor, në mënyrë që të shmangen të gjitha konfliktet e interesit në mësimëdhënie, si e vetmja mënyrë për të luftuar dhe parandaluar korrupsionin.

 

Realisht çfarë mund të pritet nga brezat e së ardhmes kur ata edukohen në prani të kësaj fryme? Prandaj duhet t’u themi ndal kurseve private, ndal diskriminimit (për shak të fesë, gjinisë, prejardhjes, perkatësisë prindërore), ndal aleancave partiake, ndal favoreve seksuale! Pra duhet të revoltohemi e të thërrasim stop korrupsionit, sepse e gjitha kjo është një rrugë që shoqërinë tonë të së ardhmes e çon drejt degradimit. Luftimi i korrupsionit nuk është një rrugë e lehtë por një proces i ngadaltë që kërkon kohën e vet, por besoj se me hapa të vegjël dhe me logjikën e pastër të mosjustifikimit të asnjë akti korruptiv fillon ndryshimi.

 

Njohja e nxënësve me të drejtat edhe interesat e tyre u jep atyre pushtet edhe aftësi për të përballuar me sukses trysninë e dhënies dhe marrjes së ryshfetëve, dhe pse shpesh herë kjo në pamje të parë është në interes të tyre. Është pikërisht kjo ide e formimit të qytetarëve që shërben si pengesë për zyrtarët e institucioneve të ndryshme që të mos kërkojnë rryshfete, dhe nëse këta si rrjedhojë e arsimimit apo edukimit të tyre e shikojnë korrupsionin si të papajtueshëm me funksionin e tyre publik, përfundimisht janë mënyra më efektive e luftimit të korrupsionit. Integrimi i edukimit antikorrupsion do të ishte i suksesshëm nëse përfshin një kontekst edhe më real, historik, social, ekonomik, kulturor dhe psikologjik. Gjithashtu një rol me rendësi paraqet njohja me legjislacionin shqiptar për çështjet që i referohet korrupsionit me llojet dhe format e tij në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore.

Si përfundim do doja ta mbyllja këtë temë delikate me sens pozitivizmi duke u mbështetur në shpresën për hapat që do marrim ne, nxënesit dhe studentët për luftimin e tij, masat e marra nga shteti për shkollën qe ajo të jetë një objekt i përhershëm për strategjitë dhe vendimet konkrekte, si dhe gatishmërinë e shoqërise, mbështetjen që gjen qytetari në këtë luftë, për parandalimin e epidemisë së korrupsionit.

 

Disantila RRUSTEMAJ
Studente e Fakultetit të Drejtësisë Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

 

Ese për korrupsionin , Ese shqip, Ese të ndryshme , Ese dhe Hartime