Hën. Jan 24th, 2022
© Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
Ese , Ese shqip, Ese të ndryshme , Ese dhe Hartime

Ese për Xhelozinë – shkruar nga Kimete Berisha

 

 

Boll kishe u luta gjithë natën, deri pas orës tre, kurrë pa fjet, e thelluar në misteriozitetet e jetës, pa qenë hiç katolike, kno Kimetja në një nakam me Dodë Gjergjin, tuj ia mbajt ipeshkvit zërin e dytë, pendohu, ndez qirinj, pi verë të kuqe, veç thi çka s’kam hëngër, hallakat deri q’atë pikë ma, por kot.

Atyre që nuk ishin me mua, kur erdh momentumi t’ua bëjë përhajr ‘paqen’, nuk iu shkrova sms, se vonë, por e çela Whats-App-in, ua kqyra fotot dhe ua çova copën e paqes që u takon.

E penduar, e ‘renovuar’ shpirtërisht, me besim dhe trup të pastër, plotësisht në paqe me të tjerët rashë në gjumë, për t’i parë (si shpërblim) ëndrrat më të trishtueshme që mund të shihen nga një sy i lirë, jo po, që mund të ndjehen me zemër, me shpirt, me tru apo me cilindo organ që ndjejmë.

Xhelozoj’sha, diqysh.
Ndjenjën që nuk e kam përjetuar në realitet, kurrë ama, në asnjë moment, e
ndjeva në ëndërr, si të vërtetën e vetme, absolute.
Dikush ma kish marrë të dashurin, a s’di çka ish kanë puna, ama, katastrofë, shkojke e përzime.
Unë nuk flisja, as nuk qaja, as nuk kacafytesha me njëri, ama, digjesha nga brenda, dhe, për fatin tim të keq, nuk më hetonte kush. Se, nuk e shprehja.

As vargjet e John Lennonit, as ‘Just a Jealous Guy’ nuk mund të krahasoheshin me ndjenjën time të dhimbshme.

Njeriu sheh ëndërr fytyra që nuk i ka takuar kurrë, dhe njerëz që nuk ekzistojnë.
Ndjen në ëndërr ato ndjenja që në realitet nuk i njeh, as s’i ka ndjerë kurrë.

Kam qenë aq e dashuruar në veten dhe kaq arrogante në atë autodashuri, sa xhelozia për mua ka qenë ndjenja më neveritëse, më primitive dhe më e papranueshme që mund të ndjehet.

Xhelozia e konsideron subjektin e dashurisë së saj si pronë, prandaj, a ka diçka më të sëmurë se sa të kujtosh se një njeri mund të jetë ‘i yti, i joti, i juaji dhe vetëm i juaji’!

Kafja turke m’i ka avit mendtë e më ka kthjell në luftën e Kosovës, e s’po më kfjell nga një ndjenjë që tani, do ta shtrijë përtoke ose ta ‘shti’ n’dhe…

Unë prita të çohet Krishti, e u çua e u lind ndjenja më primitive që e ka shkatërruar dhe e shkatërron njerëzimin.

E di përmendësh ‘Këngën e Solomonit’, ose që thoni ju ‘Këngë mbi këngët’ dhe sidomos vargun 8:6 që thotë: ‘dashuria është e fortë si vdekja, xhelozia është e ashpër si varri’.

Unë që moshën 15-të vjeçare e kam lexuar formulën e Khalil Gibranit për ‘lirinë e dashurisë’ dhe Gramatikën e Aristotelit që tregon se shprehja ‘gruaja ime’, ‘burri im’, janë pronorë të gabueshëm sepse subjekti s’mund të bëhet pronë e askujt…
më plas barku dhe s’i duroj dot kur i dëgjoj njerëzit të shprehin xhelozi patologjike dhe të marrin qëndrim pronor mbi dashurinë dhe mbi mendjen njerëzore, e cila, pa dashur, në ëndërr mund t’i ‘tradhtoj’ me tjetrin.

E vret djali-vajzën, si kur nga inati ia shti flakën plaçkës së tij.
E vret plaku-plaken, nga xhelozia.
Trupi plaket, e gërrxhos nuk i plaket xhelozia.

Zot, i urrej këta njerëz, e urrej atë ndjenjë.
Të xhelozohem, të xhelozoj dhe të më xhelozojnë.

Se, më dëgjo ti mua.
Plaku e vrau plaken atje larg në fund të lagjes sime. Dhe, ia plagosi vëllain.
Plaket gruaja shqiptare, dhe kur prishet me burrin, nuk di dhe nuk ka ku të mbështetet, por si qyqe kthehet te shtëpia e vëllait dhe ia rrezikon jetën edhe vëllait të saj.

Nuk është fer që vëllai i ri të vritet për motrën e tij plakë, e cila nuk di t’i fshijë hundtë e saj, dhe në vend se si ktyneherë siç kanë bërë nanat tona (i kanë heshtur problemet e tyre për t’i ruajtur vëllezërit e tyre nga belaja), ato, e fusin një familje në problemet e tyre të shëmtuara!

Motra e mirë, vëllait të saj i tregon vetëm gjëra të bukura…nuk e përfshinë në dramat e saj personale.

Shqiptarët duhet ta rishkruajnë dashurinë. Definitivisht.
Të edukohen derisa ta kuptojnë se ‘askush nuk është pronë e askujt’.

Njani, tha, kish pas thënë: Unë jam xheloz, edhe babën e kam pas xheloz!

Gratë nënshtrohen, ose pse janë dembelica, ose të mundura, ose pse vegjetojnë dhe përtojnë të dalin nga drama, se mos kujtoni ju se ato nuk e dinë që nuk janë pronat tuaja.
Ato janë robëresha, sepse pritojnë të luftojnë për lirinë e tyre.
Dembelia dhe kotësia i ka lënë gratë të bëjnë sikur ‘po tutën’ prej burrave.

P.S. A e keni lexuar ndonjëherë atë të trentin Marquis de Sade, ekspertin e sadizmit njerëzor, se çka thotë ai për xhelozinë?
‘Asnjë i dashur, nëse bëhet i sinqertë dhe është besimtar i mirë, nuk do ta mohonte se më parë do të donte ta shihte të dashurën e tij ‘të vdekur’, sesa me tjetrin!’

 

Fjalët kype: Ese, Ese për Xhelozinë, Xhelozia

Ese për Xhelozinë , Ese shqip, Ese të ndryshme , Ese dhe Hartime