Festa shpirtërore e shqiptarëve, pa festë zyrtare në Kosovë

loading...


Për Betim Sopin nga Prishtina, 28 Nëntori përfaqëson historinë e vuajtjeve dhe sakrificave të popullit shqiptar. Si e tillë, kjo festë për të do të mbetet gjithmonë simbol i identitetit kombëtar.

“Është festë më vete 17 Shkurti, por 28 Nëntori është festë gjithëkombëtare. Kjo festë e ka vendin e vet dhe s’ zbehet nga festat e tjera”, tha Sopi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Hysen Fazliu, qytetar nga Prishtina, ndihet shumë i lidhur emocionalisht me festën kombëtare të 28 Nëntorit.

“Për ne është mirë që e kemi edhe 17 Shkurtin, pasi simbolizon ndarjen nga Serbia, edhe është mirë që jemi 2 shtete. Por, ne e kemi një festë gjithëkombëtare, Festën e Flamurit”, tha Fazliu.

Sheshet, dyqanet, madje edhe shumë objekte banimi në Kosovë janë stolisur me flamurin kuq e zi, për të shënuar festën kombëtare të 28 Nëntorit.

Në kalendarin e festave zyrtare, kjo datë në Kosovë vazhdon të jetë ditë pune. Në Ligjin për festat zyrtare, 28 Nëntori është i përfshirë te Ditët Memoriale, nën emërtimin “Dita e Shqiptarëve”.

Sidoqoftë, shumë institucione, duke përfshirë edhe vetë qeverinë, çdo vit, nxjerrin vendime të veçanta duke e shpallur ditë pushimi, datën 28 nëntor.

A po zbehen festat kombëtare?

Profesori i Sociologjisë, Artan Krasniqi, thotë se 28 Nëntori mbetet festë kryesore, pasi ka rrënjë të thella në gjurmët dhe identitetin kombëtar.

“Kjo festë kombëtare vazhdon të mbetet e fuqishme, pikërisht për shkak të kujtesës dhe traditës që e ka te shqiptarët e Kosovës”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

“Krijimi i shtetit të Kosovës dhe rrjedhimisht edhe festat shtetërore, mund të kenë pasur një ndikim krejt të lehtë në zbehjen e entuziazmit për festën kombëtare. Megjithatë, mendoj se 28 Nëntori, do të vazhdojë të mbesë festë e rëndësishme për shqiptarët e Kosovës, meqenëqë shqiptarët këtej kufirit, s’ e përjetojnë 28 Nëntorin thjesht si një datë të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, por si një festë që ka konotacion të përbashkimit të të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, vlerëson Krasniqi.

Shkrimtarja Majlinda Bregasi, e cila është edhe profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, mendon se 17 Shkurti, data kur Kosova e ka shpallur pavarësinë, vetëm sa e ka përforcuar identitetin kombëtar dhe lidhjen me 28 Nëntorin.

“Kosova sot ka fizionominë e vet, ka shtetin e vet, por 28 Nëntori, pavarësia e Shqipërisë, s’ ka qenë vetëm pavarësi e Shqipërisë në aspektin shpirtëror të shqiptarëve, por ka qenë shumë më tepër. Ka qenë njohje e identitetit të tyre kombëtar. Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trevat shqiptare çliroheshin nga perandoria osmane, pas 500 vjet pushtimi, pasi shqiptarët ishin komplet të harruar për botën në atë kohë”, konsideron Bregasi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.

Identiteti kombëtar te të rinjtë

Profesori Artan Krasniqi vlerëson se te të rinjtë kosovarë ekziston një lloj i sforcimit të identitetit shtetëror, porse ai konsideron se në përgjithësi në Kosovë, mbizotëron identiteti kombëtar.

“Identiteti nganjëherë është i përbashkët, ai kombëtar dhe shtetëror, siç është në rastin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, por ka raste të tjera, kur shteti ka arritur ta krijojë identitetin e vet, po ashtu kombëtar, siç është rasti Zvicra deri diku, ose Austria ose shtete të tjera kombe”, thekson Krasniqi.

Profesoresha Majlinda Bregasi e sheh të natyrshme që njeriu të ketë disa identitete, të cilat megjithatë ajo i cilëson si shtresëzime të identitetit bazë.

“Ne shqiptarët e kemi lidhur shumë identitetin tonë etnik me gjuhën, meqenëqë kushtet e tona të mbijetesës kanë qenë të tilla. Ne kemi qenë i vetmi popull që s’ e kemi lidhur identitetin tonë etnik, po flas për periudhën e Rilindjes, me religjionin për shembull, jemi një popull që i kemi katër religjione të mëdha, plus këto të tjerat, por jemi lidhur me gjuhën”, shprehet Bregasi.

“Lidhja e gjuhës me identitetin e njeriut, s’ është sipërfaqësore, s’ është diçka që mund të tejkalohet aq lehtë, meqenëqë vetëm me anë të gjuhës t’i arrin të mendosh, të formulosh mendimet”, konstaton ajo.

Profesorët Krasniqi dhe Bregasi pajtohen se mirëqenia ekonomike e shteteve shqiptare, s’ ndikon në sforcimin e një identiteti të ri. Profesor Krasniqi thotë se ‘emocioni , shpirti është nganjëherë shumë më i rëndësishëm sesa ajo që është materiale”.

Kosova, shtet multi-etnik

Kosova është e definuar si shtet shumetnik në Kushtetutën e saj, ku të gjitha komunitetet janë të barabarta. Në flamurin e saj shtetëror, janë gjashtë yje që përfaqësojnë komunitetet më të mëdha që e përbëjnë atë.

Festat kombëtare të komuniteteve, janë të përfshira vetëm te “Ditët Memoriale”, në këtë kohë festat e saj shtetërore janë 17 Shkurti dhe 9 Prilli (Dita e Kushtetutës)./REL



Related posts