Fushata presidenciale mes pandemisë së coronavirusit

loading...


Shefi i stafit të Nënpresidentit, Mike Pence ka rezultuar pozitiv me coronavirus. ndërsa, kanë mbetur vetëm pak ditë nga zgjedhjet e 3 nëntorit për Shtëpinë e Bardhë, zoti Pence ka vendosur të vazhdojë me fushatën tejet intensive.

Kandidatët për president po zhvillojnë tubime elektorale për të tërhequr votuesit në shtetet e pavendosura.

Ndërkohë të dhënat më të fundit flasin për një shpërthim tjetër të mundshëm të coronavirusit në Shtëpinë e Bardhë. Mësohet se Marc Short, shefi i stafit të Nënpresidentit Mike Pence dhe të paktën një punonjës tjetër në zyrën e tij janë prekur nga COVID-19.

“E mora vesh lajmin. Ai ndodhet në karantinë. Do të bëhet mirë”, tha Presidenti Trump për median pas një tubimi të zhvilluar të shtunën.

Njoftimet bëjnë të ditur se Nënpresidenti Pence dhe bashkëshortja e tij kanë rezultuar negativë. Zoti Pence do të vazhdojnë me planet e fushatës, duke bërë tubime të dielën në Karolinën e Veriut, pavarësisht se ishte në kontakt të ngushtë me zotin Short.

Gjatë një tubimi të shtunën në Uiskonsin, Presidenti Trump përsëriti mesazhin se vendi po e kapërcen situatën.

“Kemi testimet më të mira në botë. Media e rreme e përdor këtë si mjet. Ka rënë vdekshmëria pasi është bërë një punë e madhe. Ajo që kanë bërë mjekët tanë është e pabesueshme”, tha Presidenti Trump.

Në Pensilvani, kandidati demokrat Joe Biden kritikoi kundështarin Trump mbi reagimin e tij ndaj pandemisë.

“Sipas regjistrimeve, ai e dinte se koronavirusi ishte 7 herë më i rrezikshëm se gripi. Por çfarë bëri ai? A i tregoi popullit amerikan? A e paralajmëroi ai popullin amerikan? Jo s’ e bëri”.

ndërsa në Shtetet e Bashkuara vazhdon votimi i hershmëm, në qytetin e Nju Jorkut u vunë re radhë të gjata. Tashmë banorët në të 50 shtetet amerikane dhe kryeqytetin e vendit Uashington mund të hedhin votën e tyre. Të dhënat tregojnë për një pjesmarrje rekord në mbarë vendin. Gjashtë shtete kanë tejkaluar shifrën prej 1 milion votash të hedhura fizikisht në qendrat e votimit./VoA



Related posts