Prof. dr. Gazmend I. Shaqiri, dr. sc.med.,u lind në Shkodër në vitin 1936. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Prishtinë, fakultetin e mjekësisë në Beograd, specializimin e kirurgjisë së përgjithshme në Akademinë Ushtarake të Mjekësisë në Beograd (1969), kurse specializimin e kirurgjisë kardio-vaskulare në UKECH të Pragës (1970-1972) dhe Texas Heart Institute, Houston SHBA (1986-1987).
Është themelues i kirurgjisë vaskulare në Kosovë. Para hapjes së Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, është angazhuar në shkollimin e kuadrit të mesëm mjekësor. Me hapjen e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë zgjidhet ligjërues (1969), prodekan (1973-1975) dhe dekan i këtij fakulteti (1976-1979). Pas mbrojtjes së doktoratës nga lëmi i kirurgjisë së enëve të gjakut (1974), merr thirrjen docent, më vonë profesor inordinar (1977) dhe profesor ordinar (1983) për lëndën e kirurgjisë së përgjithshme. Udhëheq Klinikën e Kirurgjisë dhe tëOrtopedisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, prej vitit 1987 deri në shtator të vitit 1990, kur, si pasojë e represionit serb, dëbohet nga puna. Dëbimi i tij nga puna e ka ndërprerë realizimin e projektit për themelimin e kirurgjisë kardiake në Prishtinë. Pas kësaj vazhdon të punojë në kirurgjinë kardiotorakale në Klagenfurt, Austri.
Autori, ka pasur nderin të shkollojë, të edukojë dhe të avancojë një plejadë të tërë mjekësh dhe kirurgësh kosovarë. Ka botuar mbi 210 punime shkencore. Ka marrë pjesë në tubime të shumta shkencore në vend dhe jashtë tij. Në vitin 1989 ka botuar librin “Sëmundjet e arterieve”, në vitin 1994 librin “Kirurgjia e zemrës dhe aortës”, në vitin 1996 “Doracakët medicinalë në praktikën ditore” dhe në vitin 1999 librin “Kirurgjia urgjente, Lëndimet“, për të vazhduar më 2001 “Kirurgjia urgjente, Pjesa e përgjithshme” dhe poatë vit “Kirurgjia, Sëmundjet akute, Pjesa speciale”. Më vonë, më 2005, boton librin “Ndërhyrjet kirurgjike“, më 2006 librin “Ditari i kirurgut” dhe në vitin 2010 “Patokirurgjia“. Në vitin 2016 ka botuar librin “Pagjakësia e anësive trupore – Sëmundjet e arterieve periferike“, ndlrsa në vitin 2019 në bashkëpunim me Dr.sc. Luan Jaha librin “Kirurgjia e enëve viscerale të gjakut”