Gjakovë, shtyhet seanca ndaj Pjetër Ndrecajt, prokurori i rastit pritet t’i bëjë analizat për COVID-19

loading...

Seanca e planifikuar të mbahej sot në rastin e Pjetër Ndrecajt, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij, Valbona Ndrecaj, dhe vajzës së tij 9-vjeçare, është shtyrë për shkak të gjendjes shëndetësore të prokurorit Ali Uka.

Gjykatësi i rastit, Gëzim Pozhegu, tregoi se prokurori Ali Uka po dyshon të ketë simptoma të coronavirusit.

“Seanca e sotme është anuluar për gjendjen shëndetësore të prokurorit Ali Uka, i cili dyshon të ketë simptoma të COVID-19 dhe i njëjti pritet t’i bëjë analizat”, tha për KALLXO.com gjykatësi Gëzim Pozhegu.

Gjykatësi tregoi se seanca për këtë rast është caktuar të mbahet më 1 dhe 2 shtator, Me kusht që eventualisht s’ do të ketë ndonjë ndryshim.

Seanca e fundit në këtë rast është mbajtur me 11 mars.

Në këtë rast pritet që të sillet shkresa e ekzaminimit psikiatrik, e më pas i akuzuari do ta japë mbrojtjen.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Në këtë rast gjyqësor kanë dëshmuar edhe dy vëllezërit e Valbonës, Shkelzen dhe Kujtim Marku.

Një seancë s’ ishte mbajtur me kërkesë të Prokurorisë.

Në një seancë të mbajtur në muajin tetor ishte kërkuar raport psikiatrik për të akuzuarin.

Në seancën fillestare, Pjetër Ndrecaj s’ e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij.

Ai ishte sjellë në Gjykatë i lidhur me zinxhirë.

Për këtë rast ishte kërkuar përjashtimi i Gjykatës dhe Prokurorisë.

Pjetër Ndrecaj ishte gjykuar e dënuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Ai gjendet në paraburgim nga data 7 gusht 2018.

Nga Gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt, iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, kurse Gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Kolegji i Gjykatës Supreme kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të ecurisë penale, e më pas gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.

Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit të kaluar ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, kurse dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij Valbona Ndrecaj.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e 7 gushtit 2018.



loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *