Gjykata Speciale duhet të ofrojnë drejtësi të gjitha viktimat e luftës në Kosovë

loading...


Më 30 prill të vitit 2019, gati 1 vit para dorëzimit të aktakuzës para të Dhomave të Specializuara ndaj liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Paul R. Williams profesor amerikan i të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare prezantoi para Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve raportin e tij për ndjekjen, hetimin dhe vënien para përgjegjësisë të kryerësve të krimeve të luftës – në veçanti krimeve seksuale në Kosovë.

Raporti i titulluar “Përmbushja e boshllëkut të përgjegjësisë për krimet e luftës të kryera në Kosovë”, i prezantuar para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve i dedikohet në plotëni dështimit të tribunale dhe gjykatave vendore dhe ndërkombëtare për të ofruar drejtësi për krimet e kryera në luftën e Kosovës, me theks të veçantë për krimet seksuale gjatë luftës.

Paul R.  Williams është jurist ndërkombëtar me përvojë në hartimin e mekanizmave të përgjegjësisë dhe njohës i rrethanave që çuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe luftërat që pasuan.

Raporti konstaton dështimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krime në Ish-Jugosllavi, UNMIK-ut e EULEX-it, mungesën e vullnetit të drejtësisë në Serbi dhe mungesën e kapaciteteve të sistemit të drejtësisë në Kosovë për t’i zbuluar dhe hetuar mijëra raste të krimeve të kryera në Kosovë dhe për t’i vënë kryerësit para drejtësisë.

Në raportin e Williams, Dhomat e Specializuara vlerësohen si në mundësi e çmuar për t’ju ofruar drejtësi mijëra viktimave të luftës në Kosovë – në veçanti viktimave të dhunës seksuale.

Mirëpo, për të përmbushur këtë mision, duhet të qartësohet juridiksioni i Dhomave të Specializuara. Sipas raportit të Williams, kjo gjykatë assesi s’ bën të shihet si e drejtuar për të ndjekur kryerësit e një etnie por si një mundësi për të ofruar drejtësi për të gjithë pa dallim.

Për të arritur këtë, Raporti i Williams, e konsideron të nevojshme edhe ndërhyrjen e Parlamentit të Kosovës për të qartësuar mandatin e Dhomave të Specializuara si një produkt që i përket Kosovës dhe buron nga Kushtetuta e saj.

Qartësimi i mandatit të Dhomave të Specializuara nga Kuvendi i Kosovës do të forconte legjitimitetin e gjykatës dhe njëkohësisht Kosova do të përmbushte obligimet e saj për të ofruar drejtësi pa dallim për të gjitha krimet e kryera në luftë.

Po ashtu, Kuvendi i Kosovës mund të udhëzojë Dhomat e Specializua që të kenë prioritet zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të krimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë, si një nga kategoritë e veprave ku kanë dështuar pothuajse plotësisht të gjithë mekanizmat e drejtësisë deri më tani.

Raporti i Williams konstaton se bashkësia ndërkombëtare s’ duhet të lejohet të shtrembërojë juridiksionin e Dhomave të Specializuara vetëm në ndjekjen e shqiptarëve porse duhet të shërbejë si një mundësi e çmuar për t’ju ofruar mundësi gjitha viktimave të luftës në Kosovë – me theks të veçantë për viktimat e dhunimit dhe formave tjera të dhunës seksuale gjatë luftës.

Raporti konstaton dështimin pothuajse të plotë të Tribunalit të Hagës, Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), prokurorive vendore në Kosovë e në Serbi, për vënien para përgjegjësisë  të mijëra kryerësve të krimeve të luftës – në veçanti krimeve seksuale të luftës dhe për vendosjen e drejtësisë.

Profesori Williams paraqet një analizë të historikut të krimeve të luftës në Kosovë dhe ofron një analizë të mekanizmave pararendës të Dhomave të Specializuara që kanë pasur juridiksion në hetimin e krimeve të luftës në Kosovë dhe rezultateve të këtyre mekanizmave si dhe ofron një analizë të thellë të asaj që duhet të jetë juridiksion i Dhomave të Specializuara dhe përshkruan hapat që duhet të ndjekë kjo Gjykatë për t’ju ofruar drejtësi viktimave të këtyre krimeve.

me anë të fakteve, provave dhe praktikave të deritanishme, raporti i Paul R. Williams, konstaton se qindra mijëra shqiptarë të Kosovës u ishin nënshtruar krimeve të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë dhe se pavarësisht mekanizmave ndërkombëtarë dhe vendorë të krijuar për të vënë para përgjegjësisë kryesit, ekziston ‘një hendek dramatik i përgjegjësisë’, dhe se vetëm një numër aspak i vogël i kryesve të këtyre krimeve janë ndëshkuar ndërsa qindra-mijëra viktima kanë mbetur pa drejtësi.

Për këtë qëllim, Raporti konstaton se Dhomat e Specializuara janë një mundësi për t’ju ofruar viktimave të luftës në Kosovë dhe se është e domosdoshme që ‘bashkësia ndërkombëtare të mos lejohet të shtrembërojë juridiksionin e Dhomave të Specializuara dhe ta ngushtojë fushën e veprimit vetëm mbi ish-luftëtarët e UÇK-së derisa kështu do të binte ndesh me parimet themelore të drejtësisë dhe barabarësisë’.

Për më tepër, Dhomat e Specializuara dhe mekanizmat që ofrojnë këto dhoma, siç është lehtësimi i dhënies së dëshmisë dhe mbrojtjes së dëshmitarëve, përfaqësojnë një mundësi të rrallë për ndjekjen e krimeve të luftës në Kosovë – në veçanti krimeve seksuale, për të cilat kanë shumë pak raste të hetuara dhe të dënuar.

Për të arritur këto qëllime, raporti konstaton se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet dhe të bashkëpunojë me SHBA-të që në rast nevoje të qartësojë mandatin e Dhomave të Specializuara ashtu që të ndiqen të gjitha krimet e kryera në Kosovë.

Po ashtu, raporti evidenton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të inkurajojnë Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të prioritizojë hetimin e raste të dhunimit dhe formave tjera të dhunës seksuale që ndërlidhet me luftën.

Dështimi për të ofruar drejtësi deri më tani

Paul Williams

Raporti i Williams fillon me përshkrimin e kontekstit historik të luftës në  Kosovë duke përshkruar situatën nga fillimi i persekutimit të shqiptarëve dhe fillimi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë e që kulmon me luftërat në Slloveni, Kroaci e Bosnje ku u kryen krime të tmerrshme.

Përshkrimi vazhdon me rastin e Kosovës, ku përshkruhet roli  i Slobodan Millosheviq në shtypjen e të drejtave të shqiptarëve dhe persekutimi i vazhdueshëm serb ndaj  shqiptarëve të Kosovës, fillimi i rezistencës nga Lëvizja Popullore e Kosovës e deri te rezistenca e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në raport përshkruhet edhe fillimi i luftës në vitin 1998 ku përshkruhet sesi forcat serbe shkatërruan shtëpitë e xhamitë e shqiptarëve, kryen plaçkitje masive, kryen mijëra vrasje e përdhunime.

Shumica dërrmuese krimeve në Kosovë raporti konstaton se u kryen nga ushtria e policia serbe dhe forcat paramilitare që zhvilluan një fushatë sistematike të terrorit kundër shqiptarëve.

Raporti konstaton se shumica e krimeve serbe në Kosovë u kryen për tri qëllime: për të përshpejtuar procesin e pastrimit etnik, kërcënimit dhe frikësimit, për të shënjestruar personat që dyshohet se bashkëpunonin ose ishin pjesë e UÇK-së dhe qëllimi i tretë – për t’u hakmarrë.

“Në veçanti, përdhunimi dhe dhuna seksuale u përdorën si metoda të spastrimit etnik me kërcënimin sistematik dhe nxitjen e dhunës që terrorizon fshatarët shqiptarë të Kosovës për t’u larguar nga shtëpitë e tyre”, konstatohet në raport.

Më tej, raporti evidenton se si mbi 2/3 e shqiptarëve të Kosovës u zhvendosën nga shtëpitë e tyre teksa i kushton vëmendje të veçantë masakrës së Reçakut ku u masakruan 45 civilë shqiptarë.

Masakra e Reçakut dhe negociatat e Rambujesë përshkruhen si ndodhi që ndikuan në fillimin e fushatës së bombardimeve të NATO-së mbi Serbinë për 78 ditë me radhë e që përfunduam me nënshkrimin e marrëveshjes për tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e një misionit të Kombeve të Bashkuara, njohur si UNIMIK dhe forcave të sigurisë së NATO-së që u njohën si KFOR e deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Tribunali i Hagës

Raporti i Williams vazhdon me përshkrimin e mekanizmave ndërkombëtarë dhe vendorë të thirrur për hetimin dhe gjykimin e kryerësve të krimeve të luftës.

Mekanizmi i parë i krijuar ishte Tribunali i Hagës për Krime në Jugosllavi që u krijua më 25 maj 1993 me Rezolutën 827 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Tribunali i Hagës kishte si qëllim “ndjekjen penale të personave përgjegjës për shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë që nga 1 janari 1991”.

Ky Tribunal s’ kishte juridiksion për të kërkuar përgjegjësi prej shteteve, qeverive apo partive politike por vetëm nga individët.

Gjatë 24 viteve të ekzistencës, në këtë Tribunal u akuzuan 161 persona, u dënuan 90 persona, u liruan 19 persona ndërsa pjesa tjetër e rasteve u delegua në gjykatat e treta.

Nga 161 të akuzuar 68% (109 persona) u akuzuan lidhur me krimet e kryera nga forcat serbe, 21% (33 persona) lidhur me krimet e ndërlidhura me forcat kroate, 4% ( 6 persona) lidhur me forcat boshnjake, 4% (7 persona) nga shqiptarët.

Lidhur me krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë, u akuzuan vetëm 7 pjesëtarë të forcave serbe dhe asnjëra nga këto raste s’ përmbante akuzën e përdhunimit si krim kundër njerëzimit.

Njeriu kryesor i akuzuar lidhur me krimet në Kosovë ishte Slobodan Millosheviq. Ai akuzohej për vrasje dhe përndjekje të popullsisë civile mbi baza etnike, racore dhe fetare.

Aktakuza ndaj Millosheviq s’ përfshinte pikën e krimeve seksuale ndërsa procedura ndaj tij pushoi pa një vendim përfundimtar të gjykatës për shkak të vdekjes.

I akuzuar ky Tribunal ishte edhe Nikola Shainoviq si zëvendës kryeministër i Ish-Jugosllavisë. Tribunali e shpalli Shainoviqin fajtor për posedimin e qëllimit për të zhvendos popullatën shqiptare të Kosovës dhe e dënoi atë për përgjegjësi penale individuale për dëbim, transferim me forcë, vrasje dhe persekutim me anë të sulmeve seksuale me 22 vjet burg.

Me burgim nga Tribunali i dënuan edhe Gjenerali Vlastimit Gjorgjeviq (18 vjet), Shefi i Shtabit të Trupave të Prishtinës, Vladimir Lazareviq (15 vjet), Shefi i Shtabit të Forcave të Ish-Jugosllavisë – Nevojsha Pavkoviq (22 vjet) dhe Shefi i Policisë në serbe në Kosovë Sreten Lukiq (22 vjet).

Në këtë Tribunal u akuzuan edhe 7 shqiptarë – pjesëtarë të UÇK-së, 5 prej të cilëve u liruan ndërsa 2 u dënuan.

Misioni i UNMIK në Kosovë

me anë të “Rregullores 64”, të Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, – UNMIK, u krijuan panele të gjyqtarëve me shumicë të gjyqtarëve ndërkombëtare, ku po ashtu prokurorët ishin ndërkombëtarë për hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës.

Kështu, UNMIK edhe pse hapi mbi 1000 raste të krimeve të luftës, inicio hetimin për një numër shumë të vogël të rasteve – në veçanti UNMIK trajtoi vetëm dy raste të apeleve të krimeve seksuale të luftës dhe që të dyja përfunduan me lirim ndërsa në 8 vjet mandat përfunduan vetëm 37 raste të krimeve të luftës.

Misioni i sundimit të ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë – EULEX

Mandati fillestar i EULEX-it përfshinte autoritetin për të ndihmuar institucionet kosovare në ndjekjen penale të krimeve, përfshirë edhe  krimet e luftës.

Nga viti 2008 në 2018, panelet e përziera të EULEX-it dhe gjykatësve vendorë nxorën 46 verdikte, vetëm katër prej të cilave përfshinin krime  lufte.

Raporti evidenton se EULEX pranoi 1200 dosje të krimeve të luftës të hartuara nga UNMIK dhe secili nga këto raste kishte disa viktima dhe disa kryerës të veprave penale duke e vënë kështu EULEX-in para mijëra viktimave që kërkojnë drejtësi dhe mijëra kryerësve që s’ ishin vënë para drejtësisë për krimet e tyre.

Në raport evidentohet se në fund të mandatit të EULEX në vitin 2018, rreth 900 dosje të krimeve të luftën u transferuan tek prokurorët vendorë ndërsa Prokuroria vendore për hetimin e krimeve të luftës ka vetëm 2 prokurorë të krimeve të luftës dhe mjete juridike shumë të kufizuara në dispozicion për të vënë para drejtësisë të dyshuarit për krime të luftës.

Dhomat për hetimin e krimeve të luftës në Serbi

Raporti konstaton se Serbia ka bërë përpjekje minimale për të ndjekur, hetuar dhe gjykuar kryerësit serbë të krimeve të luftës në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.

Në raport evidencohet se hetimi i këtyre krimeve u la në mandat të gjykatave vendore që s’ kishin mjetet dhe aftësinë e duhur për të gjykuar këto krime.

“Sidoqoftë, këto njësi janë rrënuar nga “mungesa e vullnetit politik, burimeve të përshtatshme dhe mekanizmave të dobët të mbështetjes së dëshmitarëve”, konstaton raporti duke ju referuar mekanizmave lokal të krijuar në Serbi për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës.

Ky mekanizëm deri në vitin 2018 ka dënuar 50 persona për krime të luftës në Kroaci e Bosnje, shumë pak prej të cilëve ishin zyrtarë të lartë dhe për më tepër vetëm disa prej këtyre kishin të bënin me krime të kryera në Kosovë e aq më pak lidhur me krimet seksuale të kryera në luftën e Kosovës.

Dhomat e Specializuara

Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës amandamentoi Kushtetutën e vendit për t’i hapur rrugë krijimit të Dhomave të Specializuara ndërsa Qeveria e Kosovës dhe ajo e Holandës u pajtuan që këto institucione të drejtësisë të vendosen në Hagë, Holandë.

Juridiksioni i Dhomave të Specializuara përfshin krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet tjera sipas ligjeve të Kosovës. Juridiksioni kohor i Dhomave të Specializuara shtrihet nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000, ndërsa juridiksioni territorial përfshin krimet e kryera apo të nisura në Kosovë.

Raporti, alarmon se disa komentues publik po e shtrembërojnë duke e ngushtuar juridiksionin e Dhomave të Specializuara vetëm në ndjekjen e kryerësve me etni shqiptare dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Ky interpretim duket se orientohet më shumë nga historia e gjykatës sesa nga analizimi i saktë ligjor i dokumenteve themeluese të gjykatës”, konstaton raporti.

Dhomat e Specializuara u krijuan në rrjedhën e një hetimi të autorizuar nga Këshilli i Evropës dhe të udhëhequr nga diplomati zviceran Dick Marty lidhur me pretendimet për krime serioze të kryera në menjëherë pas çlirimit në Kosovë.

“Siç shpjegohet më poshtë, një lexim i afërt i thellë i Ligjit themelues të Dhomave zbulon një mandat edhe më të gjerë që përfshin autoritetin për të hetuar dhe ndjekur penalisht autorët e çdo etnie. Aktualisht, Dhomat janë akoma të angazhuara në fazat fillestare të hetimit dhe akoma s’ kanë paditur asnjë të dyshuar. Kjo ofron një mundësi të rëndësishme për të sqaruar aftësinë dhe angazhimin e Dhomave për të mbyllur hendekun e përgjegjësisë”, konstaton raporti.

Rëndësia e llogaridhënies

Raporti konstaton se dhënia e përgjegjësie së atyre që kanë kryer krime masive, është një domosdoshmëri dhe se në shoqëritë e dala nga konflikti ofron përfitime në 5 dimensione.

Së pari, ndihmon në evidentimin e përgjegjësisë individuale dhe mohimin e fajit kolektiv.

Së dyti, arritja deri te drejtësia ndihmon në diskreditimin e liderëve dhe institucioneve që kanë kryer krime.

Së treti, në procese gjyqësore ndihmohet në mbledhjen dhe prezantimin e dëshmive dhe kështu ndihmohet në përshkrimin e saktë të historisë.

Së katërti,  Së katërti, drejtësia luan një rol të madh në sigurimin e katarzës së viktimave. Pa drejtësi, autorët e krimit ndjejnë se  “po shpëtojnë pa therë në këmbë”, një ndjenjë që mund të shkaktojë pakënaqësi dhe mëri individuale dhe kolektive.

Së fundmi, përpjekjet për të arritur përgjegjësi dhe llogaridhënie  luajnë një rol në parandalimin e krimeve të mizorisë në të ardhmen.

Raporti konstaton se “në kontekst të seriozitetit dhe shtrirjes së dhunës të të përjetuara nga viktimat gjatë konfliktit në Kosovë, llogaridhënia akoma s’ është përmbushur”.

Më tej, konstatohet se deri në pikën ku jemi, vënia para përgjegjësisë e kryerësve të krimeve të luftës në Kosovë mbetet e paplotë. Tribunali për Ish-Jugosllavi, UN, BE dhe drejtësia vendore kanë bërë përparime, mirëpo mbetet një hendek i përgjegjësisë – veçanërisht në lidhje me ndjekjen penale të dhunës seksuale gjatë luftës.

Çështja më kritike – krimet seksuale të luftës

Raporti vlerëson se shembulli më eklatant i dështimit të mekanizmave të deritanishëm të drejtësisë për trajtimin e krimeve të luftës në Kosovës, është tretmani i rasteve të krimeve seksuale gjatë luftës dhe vënien para përgjegjësie të atyre që kryen këto krime.

Raporti përmend se rreth 20,000 persona ju nënshtruan krimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë ndërsa citon hulumtimin e Human Rights Watch që ka konkluduar se “përdhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale u përdorën në Kosovë në 1999 si armë lufte dhe instrumente të pastrimit sistematik ‘etnik. “Dhunimet s’ ishin akte të rralla dhe të izoluara të kryera nga individët serbë apo forcat jugosllave, por përkundrazi janë përdorur qëllimisht si një instrument për të terrorizuar popullatën civile, për të zhvatur para nga familjet dhe për t’i shtyrë njerëzit të largohen nga shtëpitë e tyre”, konstatohet në raport.

Përkundër këtyre konstatimeve, raporti evidenton se një numër tepër i vogël i personave kanë dhënë përgjegjësi për këto veprime.

Në raport evidentohet edhe faktorët e një dështimi të tillë ku si faktor përmendet fakti se shkatërrimi pothuajse i tërësishëm i institucioneve dhe infrastrukturës çon deri te pothuajse një dështim i plotë në mbledhjen e dëshmive për krime të luftës.

Sidoqoftë, përtej kësaj, Raporti evidenton gjetje alarmante lidhur me trajtimin e krimeve seksuale të luftës në Kosovë nga UNMIK.

Misioni i Kombeve të Bashkuara akuzohet se përkundër se kishte qindra deklarata lidhur me krimet seksuale të kryera në Kosovë dhe të mbledhura nga KFOR por edhe të dorëzuara direkt të UNMIK-u, këta të fundit mezi se hapën ndonjë rast lidhur me krimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Në përgjithësi, UNMIK tregoi “një shpërfillje përqethëse për të drejtat e viktimave”, me  oficerë të UNMIK-ut që dështojnë në një numër të madh të rasteve të regjistrojnë deklaratat, të dërgojnë dosjet për personelin e duhur, dokumentimin e shpejtë të provave, ose zbatimin e duhur të masave mbrojtëse për t’u mbrojtur dëshmitarët”, thuhet në Raport.

Këtë qasje të UNMIK ndaj rasteve të krimeve seksuale gjatë luftës e dokumentojnë edhe shifrat që dëshmojnë se UNMIK u përfshi vetëm në dy raste të rigjykimeve të krimeve seksuale gjatë luftës dhe në të dyja këto raste përfunduan me aktgjykim lirues.

Transkriptet e këtyre dy rasteve evidentojnë se  ‘qëllimshëm apo mungesa e trajnimit lidhur me standardet specifike të dhënies së dëshmisë që duhet të aplikohen gjatë dhënies së dëshmisë.

Përmirësim në trajtimin e krimeve seksuale gjatë luftës s’ pati as pas ardhjes së një misioni tjetër ndërkombëtarë – këtë herë nga Bashkimi Evropian. UNMIK transferoi rreth 1,200 raste te EULEX, prej të cilave EULEX hetoi 38, e vetëm 2 prej tyre kishin lidhje me krime seksuale gjatë luftës.

Si faktor tjetër që përmendet për dështimin e ndjekjes së krimeve seksuale gjatë luftës përmendet edhe stigmatizimi shoqëror dhe rreziku i ri-viktimizimit të palëve ndërsa përmendet paaftësia e gjykatave vendore për të siguruar anonimitet, masa mbrojtëse dhe mbështetje psikologjike për viktimat që dëshmojnë për këto krime.

“Hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët shpesh s’ dinin çfarë prova të kërkojnë, si t’i mbledhin ato,  ose mënyrat e përshtatshme të menaxhimit të procesit të dëshmisë”, përmend raporti.

SI faktor tjetër, përmendet edhe pamundësia e sistemit të drejtësisë në Kosovë për t’i ndjekur këto krime, mungesa pothuajse e plotë e bashkëpunimit të autoriteteve të Serbisë me sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe kultura e vazhdueshme mos e mos ndëshkimit të komandantëve të policisë dhe ushtrisë serbe që dyshohet se kanë kryer krime.

Si të kalohet hendeku?

Raporti pasqyron se leximi me kujdes i Ligjit për Dhomat e Specializuara është më i gjerë sesa vetëm ndjekja e shqiptarëve etnikë dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Ky mekanizëm i drejtësisë nxitet nga “krimet që lidhen” me Raportin e Këshillit të Evropës, megjithatë, Raporti i Williams gjen se për të analizuar juridiksionin e Dhomave të Specializuara “është e rëndësishme të bëhet ndarja në mes të asaj që e ka nxitur raportin dhe çka përmban raporti”.

Raporti i Williams vlerëson se përveç abuzimeve të pretenduara se janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së, raporti trajton edhe kryes të tjerë siç është rasti i mijëra të zhdukurve që s’ janë gjetur akoma dhe akteve të dhunës seksuale gjatë konfliktit.

Këto zbulime sugjerojnë që juridiksioni i çështjes gjyqësore të gjykatës përfshin autoritetin për të hetuar akte kriminale që shtrihen përtej pretendimeve të abuzimeve  që nxitën raportin. Kjo do të përfshinte autoritetin për të hetuar dhe ndjekur penalisht autorët e të gjitha krimeve që janë kryer gjatë konfliktit në Kosovë.

Përveç identifikimit të krimeve që mund të lidhen me kryerës nga shumë etni, përmbajtja e raportit, e cila s’ ka për qëllim të jetë përfundimtare, përfshin përfundime të përgjithshme.

“Raporti shpjegon se qëllimi i hetimit të tij “s’ ishte kryerja e një hetimi penal”,  dhe në vend të kësaj thekson kërkesën për të dhënë përgjegjësi për të gjitha krimet e lidhura me konfliktin”, konstatohet në Raportin e Williams për raportin e Këshillit të Evropës.

Raporti i Williams potencon se nevoja për të adresuar mungesën e ndëshkimit për kryerësit e krimeve  pasqyrohet në thelb të raportit të Këshillit të Evropës.

Raporti i Williams konstaton se Raporti i Këshillit të Evropës thekson boshllëqet e gjera në llogaridhënie dhe kërkon që mosndëshkimi për krimet duhet të përfundojë në mënyrë gjithëpërfshirëse. Në këtë formë, juridiksioni i gjykatës përfshin domosdoshmërisht autoritetin për të hetuar krimet e zbuluara nga raporti – përfshirë zhdukjet dhe dhunën seksuale të lidhur me konfliktin – si dhe krimet që s’ janë përfshirë.

Lidhur me juridiksioni, Raporti i Williams konstaton se “Përkundër disa perceptimeve, gjykata është e pajisur me një mandat të gjerë dhe etnikisht neutral”.

Raporti i Williams konstaton se një interpretim i ngushtë i juridiksionit të Dhomave të Specializuara do të ishte në kundërshtim me praktikën ndërkombëtare dhe do të shikohej si i paligjshëm.

“Për më tepër, një interpretim i ngushtë do të ishte në kundërshtim me praktikën e zakonshme ndërkombëtare në krijimin e mekanizmave të ngjashëm të përgjegjësisë. Në epokën moderne të ligjit penal ndërkombëtar, gjykatat dhe tribunalet janë themeluar për të parë situatat dhe kontekstet, jo etnitë specifike ose grupet e paracaktuara. Në këtë kontekst, një gjykatë etno-specifike do gjerësisht të shikohet si e paligjshme”, konstatohet në raportin e Williams.

Si shembuj të këtij konstatimi, Williams përmend juridiksionin e tribunale të deritanishme si ai i Hagës për Ish-Jugosllavi, Tribunali për Ruandën, Gjykata Speciale për Siera Leonen, Dhomat e Jashtëzakonshme të Gjykatës për Kamboxhan dhe Tribunali Special për Libanin.

Sidoqoftë, Raporti i Williams thekson se mund të jetë e rëndësishme që Kosova të qartësojë mandatin e gjerë të Dhomave të Specializuara. Dhomat e Specializuara janë një produkt i Kushtetutës së Kosovës dhe Kosova e ka fuqinë që të afirmojë juridiksionin e gjykatës dhe zotimin për t’i dhënë fund mos ndëshkimi për të gjitha krimet e luftës.

“Me kusht që është e nevojshme, Parlamenti i Kosovës mund të udhëzojë Dhomat e Specializuara t’ju japin prioritet krimeve të injoruara nga mekanizmat tjerë si për shembull – dhunës seksuale. Qartësimi eksplicit i mandatit të Gjykatës do ta forconte legjitimitetin e Gjykatës dhe do të ndihmonte përpjekjet për pajtim”, konstaton raporti i Williams.

Raporti i Williams, vazhdon duke theksuar se duke vepruar kështu, Kosova është në koherencë me obligimet ndërkombëtare të cilat kërkojnë nga Kosova që të sigurohet përgjegjësia për të gjitha shkeljet serioze të Ligjit ndërkombëtar.

Si avantazhe të shtesë të Dhomave të Specializuara Raporti i Williams rendit pjesëmarrjen e viktimave në procedurë.

Përderisa në ecuritë tradicionale penale, viktimat vetëm mund të marrin pjesë si dëshmitarë – ata s’ mund të bëjnë parashtrime, të vlerësojnë prova ose të japin deklarata, e drejta për pjesëmarrje të viktimave është kodifikuar në statutin dhe rregullat e procedurave të Dhomave të Specializuara, të cilat gjerësisht lejojnë viktimat të përfshihen në të gjitha fazat e procedurave dhe përfshijnë masa për të siguruar sigurinë e viktimave.

Gjithashtu, sipas parimit të juridiksionit universal, shtetet janë të autorizuara të hetojnë dhe ndjekin penalisht disa krime të urryera ndërkombëtare pavarësisht nga kombësia, vendi ose vendbanimi i të akuzuarit, ose lidhja me shtetin ndjekës.

Arsyeja prapa juridiksionit universal është se disa nga krimet ndërkombëtare janë të një madhësie të tillë sa që të gjitha shtetet kanë interes në parandalimin dhe ndjekjen penale të këtyre krimeve.

Krimet që aktivizojnë juridiksionin universal janë të kufizuara në përputhje me rrethanat dhe kanë të bëjnë me shkeljet më serioze të ligjit ndërkombëtar, përfshirë: gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës , spastrimi etnik dhe torturat.

Një qasje e ngjashme mund të merret për Kosovën, ku shtetet mund të fusin çështje nën parimin e juridiksionit universal për të mbushur boshllëqet e përgjegjësisë në lidhje me krimet e luftës.

Sidoqoftë, vetëm kjo, sipas Raporti të Williams, s’ mund ta zgjidhë çështjen e  pandëshkueshmërisë; thjesht mund të plotësojë përpjekjet plotësuese.

Sidoqoftë, shtetet s’ janë të ndaluara të marrin masa më vete dhe mund të përdorin juridiksionin universal për të ndjekur penalisht kriminelët e luftës të Kosovës që hyjnë në territorin e tyre.

Një çështje tjetër që trajton Raporti i Williams është ‘Komisioni i të Vërtetës i bazuar në jo-amnisti”.

Në mungesë të ndjekjes penale të plotë dhe të të gjithë autorëve, ekzistenca e një mekanizmi të pavarur për dokumentimin e krimeve do të ishte një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë  dhe pajtimit.

Raporti i Williams vlerëson se krijimi i një regjistri të tillë nga një Mekanizëm i Pavarur ose Komisioni i së Vërtetës i bazuar në jo-amnisti mund të jetë i dobishëm në sigurimin e një baze nga e cila bazohen format e tjera të drejtësisë tranzicionale.

deri më tani, opinioni publik në Kosovë mandatin e Dhomave të Specializuara e ka përceptuar vetëm në ndjekjen e të dyshuarve me etni shqiptare të Kosovës dhe krerëve të UÇK-së, ndërsa Dhomat e Specializuara s’ kanë ofruar një qartësim të plotë për mandatin e këtij mekanizmi.

deri më tani, të paktën nga të dhënat e bërë publike, Dhoma e Specializuara kanë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve vetëm krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar  ka  ngritur 2 aktakuza ndaj 5 personave duke e çuar numrin e të arrestuarve në 7 persona.

Fillimisht, më 24 qershor të këtij viti, Dhomat e Specializuara njoftuan se është ngritur aktakuzë ndaj ish-Presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli.

Në njoftimin për ngritjen e aktakuzës pretendohej se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e pretenduara të paraqitura  në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Thaçi më 5 nëntor të këtij viti njoftoi se aktakuza ndaj tij është konfirmuar duke dhënë dorëheqje edhe nga pozita e Presidentit të vendit, ndërsa bashkë me Thaçin, aktakuza u konfirmuar edhe ndaj Kadri Veselit e Rexhep Selimit të cilët udhëtuan drejt Hagës.

ndonjë ditë para kësaj, ishte arrestuar dhe transferuar drejt Hagës edhe ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Të gjithë këta janë vetëdeklaruar të pafajshëm në paraqitjen e tyre për Gjykatës Speciale.

Më herët, më datë 24 shtator 2020, ishte arrestuar dhe transferuar në Hagë edhe Salih Mustafa ndaj të cilit po ashtu është konfirmuar aktakuza.

Sipas pretendimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar këta pjesëtarë të UÇK-së, gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Të arrestuar nga Dhomat e Specializuara kanë përfunduar edhe krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj që dyshohen për orvatje të kryerjes së veprës penale të frikësimit gjatë procedimit penal, mirëpo aktakuza ndaj tyre s’ është konfirmuar akoma.



Related posts