Gjyqtari nga Peja i akuzuar për ryshfet del para Gjykatës


loading...

Gjykatësi Sali Berisha që po akuzohet  për marrje ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje është deklaruar i pafajshëm sot në Gjykatën e Prishtinës.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e Prokurorit Dren Paca, Berisha është deklaruar i pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohet.

“Aktakuza është e  montuar, ka shumë kundërthënie me vetveten dhe me gjitha pjesët e saj, ngaqë ajo s’ përmban elemente inkriminuse në diapozitiv,  ngaqë askund dëshmitari s’ e ka cek që gjyqtari Berisha ka kërkuar para në vlerë prej 6 mijë euro” ishin disa nga fjalët e të akuzuarit Berisha.

Pas deklarimit të tij, gjyqtari Arben Hoti, e  ka njoftuar të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij që në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të shfaqin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2019, i pandehuri Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F. Z., me të cilin ka kanë shkuar tek vetura e dëshmitarit dhe pasi që kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë eurove.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, pasi i pandehuri ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar ishte vëllai i dëshmitarit F. Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç’rast i pandehuri ka marrë aktgjykimin me të cilin ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg tre vjet, me kusht prej dy vjet për dy vepra penale të kontrabandimit me migrantë.

Po ashtu, Prokuroria akuzon gjykatësin Sali Berisha se deri më 19.09 2019 ka mbajtur armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit ‘Zaza Mini’, kalibri 8mm, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë.

Gjykatësi Sali Berisha, në dhjetor të vitit 2019, pas 3 muajve të qëndrimit në paraburgim, ishte liruar për të qëndruar në arrest shtëpiak. Berisha është i dyshuar edhe për keqpërdorim të detyrës.

 

Caktohet seanca ndaj gjykatësit të akuzuar për ryshfet, Sali Berisha



loading...