Hoti: Do të kërkoj hetim se si ka rrjedhur raporti në media për vjedhjen e çantës në Bruksel

loading...


Kryeministri Avdullah Hoti do të kërkojë hetim se si ka rrjedhur raporti në media, në lidhje me vjedhjen e çantës së Muhamet Mustafës në Bruksel. Sipas tij, është paradoksale se si është raportuar për të, derisa hetimet akoma po vazhdojnë. Ai ka theksuar se në këtë çantë s’ ka pasur dokumente sekrete, publikimi i të cilave do të dëmtonte punën e delegacionit në Bruksel.

Gjatë pyetjeve parlamentare në organin më të lartë legjislativ, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi nga kryeministri Hoti ka kërkuar të di se çfarë po ndodhë me këtë rast, dhe a kanë pranuar ndonjë informatë lidhur me këtë proces.

“Jemi njoftuar se profesorit Muhamet Mustafa në cilësinë e specialistit në bisedime me Serbinë, gjatë drekës në një restorant i është vjedhur çanta në të cilën kishte dokumentacion zytar të natyrës sensitive, që kryesisht janë përdorur ose do të përdoreshin në bisedimet me Serbinë. Duke marrë parasysh natyrën e materialeve të humbura, Policia Belge ka angazhuar njësi të specializuara të hetimit dhe është caktuar një prokuror i prokurores së Mbretit që të menaxhojë me këtë rast. Bazuar në këtë raport, dyshimet janë që çanta mund të ketë qenë cak i grupit të organizuar për të futur në dorë materiale apo dokumente që gjendeshin në çantë. Zoti kryeministër çfarë veprime keni marrë ju me këtë rast? Dhe a keni pranuar ndonjë informatë lidhur me procesin dhe motivin e vjedhjes së profesorit Muhamet Mustafa?”, ka pyetur deputetja Musliu-Shoshi.

Për këtë kryeministri Avdullah Hoti tha se çdo aludim apo pretendim se ka pasur përpjekje të mbajtjes në fshehtësi nga ana e delegacionit, është spekulim. Ai u zotua se në mënyrën më transparente është raportuar ky rast në autoritet belge.

“Zyrtarët përkatës të ambasadës tonë në Bruksel kanë qenë dhe janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet belge për ndriçimin e gjitha rrethanave lidhur me këtë çështje. Zyrtarët e ambasadës për këtë çështje, e kanë raportuar edhe tek autoritet përkatëse policore në Kosovë, siç edhe e dëshmon raporti i publikuar në media. Madje në këtë pikë shqetësim shumë i madh edhe për juve edhe për mua, do të duhej të ishte bërja publike e një raporti policor konfidencial pa u përmbyllur hetimet deri në fund. Unë do të kërkoj hetim për rrethanat se si ka rrjedhur ky raport në media, ndërkohë që hetimi akoma po vazhdon”, ka deklaruar Hoti.

Në këtë çante sipas tij, s’ ka qenë asnjë dokument zyrtar, publikimi i të cilave do të mund të dëmtonte punën e delegacionit. Sipas tij, është paradoksale bërja e kësaj çështje temë në media, derisa po vazhdojnë hetimet nga autoritetet përkatëse.



Related posts