I vdekuri me koronavirus u la 6 orë në dhomë më të gjallët, MSH kërkon llogari nga Spitali i Mitrovicës

loading...


Ministria e Shëndetësisë ka qortuar spitalin e Mitrovicës lidhur me raportimet e djeshme se një kufomë e një pacienti me koronavirus ka qëndruar 6 orë në dhomën e njëjtë të spitalit ku ishin të shtrirë pacientë të tjerë.

MSH në reagimin e tyre thuhet se Qendra Operative Emergjente s’ e bën transportin e kufomave me koronavirus, por sipas tyre SHSKUK me spitalet e veta janë të obliguara deri në kryerjen e procedurave të varrimit, ta dërgojnë kufomën në morg.

I tërë procesi sipas MSH-së, inspektohet nga Inspektorati Sanitar dhe Policia e Kosovës.

E sa i përket rastit në Mitrovicë, Qendra Operative e MSH-së është informuar e fundit.

MSH me këtë rast, e ka adresuar rastin dhe ka dënuar neglizhencat në menaxhim.

Ky është reagimi i MSH-së:

Ministria e Shëndetësisë dëshiron të informojë publikun se Qendra Operative Emergjente e MSh-së (QOE) lidhur me COVID -19 s’ bën transportin e kufomave nga Covid-19, por e bën ndërlidhjen e shërbimeve të ndryshme të përfshira në menaxhimin e situatës rreth Covid-19.

Qendra Operative Emergjente e MSh-së, në çdo rast të vdekjeve të konfirmuara nga Covid-19 dhe të dyshuara në Covid-19, duhet të informohet nga SHSKUK (QKUK dhe spitalet e përgjithshme), të cilat janë të obliguara që deri në kryerjen e procedurave të varrimit, kufomën ta dërgojnë në morg.

I tërë procesi monitorohet nga Inspektorati Sanitar dhe Policia e Kosovës.

Kjo është procedura për rastet e vdekjeve të konfirmuara me Covid-19, derisa për rastet e vdekjeve të dyshuara në Covid-19, dhe për të cilat duhet pritur rezultati nga IKSHPK, kufomat dërgohen në morg deri në konfirmim të rezultatit laboratorik.

andaj, MSh kërkon nga të gjitha institucionet që të jenë në nivel të detyrës dhe të zbatojnë me përpikëri përgjegjësitë e tyre të ndërlidhura me Covid-19, përfshirë këtu edhe menaxhimin e kufomave në mënyrë korrekte dhe me dinjitet.

Sa i përket rastit të kufomës në spitalin e Mitrovicës (të datës 17. 11. 2020), Qendra Operative e MSh-së është informuar e fundit, ndërsa është dashur të informohet e para nga spitali ku pacienti ka ndërruar jetë.

Megjithatë, QOE, pas marrjes së informatës nga Qendra Operative e MPB-së menjëherë e ka adresuar rastin.

QOE ka përgjegjësinë për koordinimin e procedurave të varrimit, por jo për menaxhimin e kufomave brenda institucioneve shëndetësore, sikur i është adresuar në media.

Neglizhencat në menaxhim, MSh i ka adresuar në SHSKUK nga e cila është kërkuar që të ndërmerren masa për moszbatim të procedurave dhe rregullave.



Related posts