Skip to toolbar

Inspektorati nis hetimet ndaj policëve për arrestimin e mbrëmshëm të një qytetari në shesh në Prishtinë


loading...

Inspektorati Policor i Kosovës njofton se ka filluar hetimet për rastin e mbrëmshëm në sheshin ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë.

Në një komunikatë për media, IPK ka njoftuar se qytetarët kanë raportuar për tejkalimin e autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga zyrtarë policorë.

“Mbrëmë pas orës 22:00 me anë të “Linjës së Kaltër” (numri i telefonit pa pagesë 080003333)  kishte pranuar një ankesë lidhur me pretendimet  e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në një incident që kishte ndodhur më rreth orës 21 e 30 në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit qytetari i arrestuar mbrëmë s’ ka pasur maskë dhe dyshohet se ka penguar policinë gjatë kryerjes së detyrës.

“Incidenti ishte raportuar të ketë ndodhur mbrëmë kur njësia policore gjatë realizimit të detyrave konkretisht gjatë patrullimit në sheshin “Nënë Tereza” ka hasur në qytetarin  i cili ka qenë pa maskë mbrojtëse dhe është arrestuar nga policia me dyshimin për pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, thuhet tutje aty.

Sipas njoftimit hetuesit e Inspektoratit Policor kanë dalë menjëherë në vendin e dukurisë si dhe prokurori kujdestar dhe kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me këtë rast.

Tutje IPK njofton se ankuesi (i arrestuar nga policia) është dërguar për trajtim mjekësor përderisa raportohet se edhe një zyrtar policor ka pësuar lëndime trupore gjatë arrestimit.

IPK ka bërë të ditur se hetuesit janë duke hetuar këtë rast lidhur me pretendimet e ankuesit për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës me rastin e arrestimit si dhe pas tij.

“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në njoftim.

Dje në media janë publikuar disa video në të cilat shihet zyrtarët policorë duke përdorur forcën për të arrestuar një qytetarët në sheshin ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë.



loading...