Skip to toolbar

Intervista/ Mjeku specialist Erges Eskiu: Në shtet ka shumë pak logopedë, nuk arrihet të plotësohen kërkesat e pacientëve për këtë shërbim mjekësor

Manjola Dervishi
Në një intervistë për tirananews.al, mjeku logoped Erges Eskiu teksa shpjegon se kur është e nevojshme që një fëmijë ose i rritur t’i drejtohet mjekut logoped, ngre dhe një shqetësim.  
Sipas tij numri i mjekëve logoped që punojnë në shtet është shumë i ulët, krahasuar kjo edhe me sistemin privat. 
“Përllogaritet që pacientët që kanë nevojë e rehabilitimit në tërësi janë rreth 220 mijë në vit. Kuptohet që jo të gjithë kanë nevojë për logoped, por edhe fizioterapetët që janë rreth 200 të punësuar në institucionet publike janë shumë pak, para kësaj nevoje të madhe për shërbim shëndetësor shteti nuk ka arritur dhe duket se do edhe shumë kohë t’i përgjigjet!”, shpjegon, Eskiu. 
Sipas tij, në spitalet tona nuk është parë si prioritare hapja e vendeve të punës për mjekë logoped. Kështu shumica e personave që kanë nevojë për të marrë një trajtim të specializuar në shumë raste janë të detyruar t’i drejtohen privatit. Ky shërbim ofrohet në sektorin privat në më shumë se 95% të rasteve. 
Nëse fëmija nuk flet, cila është mosha kur prindi duhet të shqetësohet dhe të çoj fëmijën për kontroll të specializuar? 
Atëherë, fjala e parë vjen në moshën 12-muajs e nëse kjo nuk ndodh ka një tolerancë deri në 18-muaj ku prindërit mund të presin për të folurën e fëmijës së tyre pa u shqetësuar sepse shqetësimi i tyre nuk bënë mirë as vetë prindit të fëmijës. Pra është mirë që logopedi të vij në moshën 18 muaj nëse ende nuk ka ardhur fjala e parë.
Përse disa fëmije flasin më herët dhe disa më vonë, me çfarë lidhet kjo?
Shiko, dy fëmijë edhe binjak momozigotë qofshin, nuk zhvillohen njëlloj. Fëmijët kanë ecuri të ndryshme, ndaj edhe prindërit nëse vërejnë se fëmija i tyre nuk ka zhvilluar aq mirë të folurën si fëmijët e tjerë, nuk duhet te bëjnë krahasime. 
Vonesa gjuhësore mund të jetë multifaktoriale. 
Dy pika ku doja të vija theksin, nisur nga praktika ime e përditshme, janë: Një predispozitë e caktuar e fëmijëve për të paraqitur vonesa gjuhësore në nivele të ndryshme dhe tjetra ka të bëj edhe stimulimi gjuhësor, qoftë ai familjar qoftë ai social, të cilat e bëjnë fëmijën të shpejtojë ose ngadalësojë zhvillimin e të folurit. 
Ka të bëj vonesa ne të folur, me mënyrën e rritjes së fëmijëve, për shembull, a duhet t‘i  lëmë fëmijët para moshës 2 -vjeçare shumë para televizorit, dhe smartfonëve?
Sigurisht që mënyra e rritjes së fëmijës ka ndikim në zhvillimin gjuhësor. Nëse marrim një shembull nga antikiteti, një mbret grek donte të vërtetonte se greqishtja ishte gjuhë universale ose jo? A ishte greqishtja gjuha e parë dhe pas saj fëmija mund të mësonte gjuhë të tjera, ndaj vendosi të kryente një eksperiment. Vendosi 10 fëmijë të moshës rreth 1 vjeç në një stallë me dele dhe urdhëroi që atyre t’u jepej për të ngrënë nga shërbëtorët, në oraret e percaktuara, por askush të mos u fliste atyre e jepte afeksion, përkëdhelje, dashuri. 
Çfarë ndodhi? Pas një viti, 3 prej tyre nuk mundën të mbijetonin dhe nderuan jetë, 7 të tjerët blegërinin si delet me të cilat kishin bashkëjetuar. 
Pra, çfarë mësojmë nga kjo? Të gjithë fëmijët e zhvillojnë gjuhën në saj të imitimit, kryesisht të imitimit të prindërve të tyre, pasi me ta kalojnë më shumë kohë ose ndërveprojnë me shumë, por edhe të mjedisit social në çerdhe, kopsht e natyrë. 
Në këtë mënyre fëmijët njëkohësisht zhvillojnë komunikimin social dhe rrisin afeksionin duke pasur kontaktin e përditshëm dhe kjo është shumë e shëndetshme për fëmijën. 
Por, ekspozimi ndaj teknologjisë para moshës dy vjeç mund të sjell efekte negative në zhvillimin konjitiv të fëmijës. 
Pra, është e vërtetuar se ekspozimi ndaj teknologjisë i bën fëmijët të varuar prej saj, i ul aftësitë akademike, i ul aftësinë e vetrregullimit (tantrum-tundja e krahëve kur janë të emocionuar) pra, menaxhim emocional i ulët, ul përqendrimin sepse fëmija e merr gjithçka në mënyrë pasive, pa bashkëveprim, pa zhvillim motorik, nuk shpenzon energji dhe kjo rrit rrezikun për stres dhe obezitet. 
Pra, para moshës dy vjeç është mirë që fëmijët të shkojnë në çerdhe, të luajnë në natyrë me prindërit e tyre, por jo të qëndrojnë para televizorit apo tablateve e kompjuter të cilët do sillnin ndër të tjera edhe dëmtimin e syve të fëmijës.
Sa ndihmon një mjek logoped në diagnostikimin e fëmijëve me autizëm? 
Diagnostikimin e fëmijës me autizëm e bën neuropsikiatri infantil ose neuropediatri, mirëpo si pjesë e ekipit multidisiplinar që do duhej të ishte logopedi do ndihmonte në saj të vlerësimit të nivelit gjuhësor të fëmijës.
Në klinikën tuaj vijnë edhe të rritur që kanë probleme me të të artikuluarin e qartë? 
Po, vijnë pacient të të gjitha grupmoshave të cilët kanë vështirësi në artikulim dhe ne bëjmë vlerësimin e nevojshëm gjuhësor, ndërtojmë planin e punës dhe bëjmë trajtimin e pacientit nga ana logopedike.
Ku ofrohet ky shërbim në përgjithësi, e ofrojnë atë institucionet publike në vend?
Ky shërbim ofrohet në sektorin privat në më shumë se 95% të rasteve.
Në dijeni time, pasi ne punojmë prej 9 vitesh ne sektorin privat, ky shërbim ofrohet në shumë pak institucione publike. Gjithsej në rang vendi duhet të jenë më pak se 20 logoped, ç’ka do të thotë se janë shumë pak, në sektorin publik, është e papërfillshme.
Ju thatë se keni 9 vjet që punoni në sektorin privat. Kur ka filluar logopedia në Shqipëri dhe sa është numri i profesionistëve të diplomuar në logopedi?
Logopedia ka filluar si degë në 2003 dhe ishte së bashku me fizioterapinë dhe ka qenë vetëm një grup i vogël studentësh. Më pas janë rreth 8 student në vitin 2007 dhe nga 2009 e në vazhdim ka patur student për logopedi, pra dega ka qenë e hapur.
Dua të them, se për ne brezat e parë ka qenë pak e vështirë pasi ishin shumë pak pedagog të cilët punonin praktikisht si logoped edhe pse nuk kishin diplomë logopedi, ndaj neve na duhej shumë që të shihnim në qendra private ose të punonim shumë vullnetarisht për të mësuar profesionin dhe realisht unë së bashku me kolegen, sot bashkëshorte Gentjana Sinaj kemi filluar që prej shkurtit 2011 të lëvizim në gjithë Tiranën, ku kishte qendra, që punohej me fëmijë me aftësi ndryshe, për t’u integruar dhe për të mësuar dhe sot modestisht jemi dy logopedët më të suksesshëm në trevat shqipfolëse dhe kemi arritur shumë shpejt të realizojmë ëndrrën tonë. 
Aktualisht numri i studentëve që diplomohen në logopedi janë 20-30 student dhe janë shumë pak. 
Mirëpo studentët e logopedisë kanë më shumë mundësi sot. Ata kanë më shumë informacion rreth logopedisë, kanë eksperiencën tonë dhe kanë pedagog të fushës, pra na kanë ne.
Përllogaritet që pacientët që kanë nevojë e rehabilitimit në tërësi janë rreth 220 mijë në vit. Kuptohet që jo të gjithë kanë nevojë për logoped, por edhe fizioterapetët që janë rreth 200 të punësuar në institucionet publike janë shumë pak, para kësaj nevoje të madhe për shërbim shëndetësor shteti nuk ka arritur dhe duket se do edhe shumë kohë t’i përgjigjet!
Duke qenë se ju jeni edhe pedagog i  angazhuar mjaftueshëm dhe shumë aktiv në rrjete sociale. Çfarë do i këshillonit studentëve ose të rinjve shqiptar nga kaq vite eksperince sa keni, të cilët gjënë e parë që mendojnë është të largohen?!
Po është e vërtetë që jam i angazhuar dhe ngarkuar, por kjo për faktin se këtu në vendin tonë të ardhurat nuk mjaftojnë ndaj detyrohemi të bëjmë më shumë se një punë. Pra, punojmë nga halli. Njerëzit e thjeshtë kur shohin profesionist që bëjnë edhe profesionistin mjekësor edhe pedagogun thonë këta s’kanë të ngopur, por realisht nuk është kështu. Detyrohemi të punojmë se të ardhurat janë të ulëta në raport me koston e jetesës.
Nga eksperica ime e deritanishme do u thoja se ëndrrat realizohen kur punon për to. Shumica e njerëzve kanë pothuaj të njëjtin nivel inteligjence e cila varion në 100 pikë, ç’ka do të thotë se të gjithë kanë mundësi të jenë të suksesshëm. Çelësi i suksesit është besimi te vetja dhe përkushtimi në punë. 
Për ata që duan të emigrojnë do shtoja se, jeta është e vështirë gjithandej. Në emigrim nuk do e gjeni jetën fusha me lule, për më tepër që do jeni të huaj. Guri rëndë në vend të vetë thotë populli ynë. Përpiquni të ndryshoni vendin duke besuar te vetja dhe të jetoni e të punoni pranë familjes, pranë njerëzve tuaj të dashur dhe kështu do jeni më të lumtur./Tirananews.al
loading...