Ja çka thotë Kryeministri italian rreth përhapjes së koronavirusit

loading...
Italia ka nisur një tjetër ditë të ethshme, në pritje edhe të përditësimeve të reja nga autoritetet spitalore për situatën e koronavirusit. Numri i të vdekurve nga virusi mbetet 7.
Viktimat janë kryesisht të moshuar. Një grua nga Bergamo në Palermo, si dhe një mjek italian në Tenerife, dolën pozitivë. Turistja nga Bergamo me pushime në Palermo ishte pozitive për koronavirusin dhe të hënën në mbrëmje ajo u pranua në spitalin Cervello për kontrolle pasi tregoi simptoma të gripit. Kjo u konfirmua nga Rajoni i Siçilisë i cili thotë: “Ne kemi një rast të dyshuar pozitiv që rezultoi nga ekzaminimi i tamponit “. Në karantinë janë futur grupi i miqve të gruas dhe njerëzit që kanë qenë në kontakt të ngushtë me turisten. Ky është rasti i parë i koronavirusit i gjetur në Italinë Jugore. Po kontrollohet një tjetër italian në Kili. Ndërkohë 40 italianët që nuk donin të zbrisnin në Mauritius, të cilëve iu imponua karantina, u kthyen.
Pas një mbledhje për koordinimin e emergjencës, kryeministri Giussepe Conte tha se mos ndjekja e protokollit në spital në zonat e rrezikuara, ka ndikuar në daljen e situatës jashtë kontrollit dhe përhapjen e virusit.
“Nuk mund të parashikojmë se si do të përhapet virusi. U krijua një vatër dhe që prej atje u përhap, për shkak të moszbatimit të protokolleve në një strukturë spitalore”, u shpreh kryeministri Conte, citojnë mediat e huaja.
Ndërkaq, Mbrojtja Civile konfirmoi se nuk ka vatra të reja, vec atyre ekzistuese. Një sërë kufizimesh që prekin rreth 100 mijë njerëz janë njoftuar në pjesë të Lombardisë dhe Venetos, përfshirë kryeqendrat e këtyre rajoneve Milano dhe Venecia. Ndërsa autoritetet kanë mbyllur shkollat, universitetet, muzetë dhe kanë ndaluar grumbullimet publike rreth veriut të Italisë.
Analistët paralajmërojnë se epidemia, e përqendruar në zemrën financiare dhe industriale të vendit , mund të dëmtojnë rëndë ekonominë e brishtë të vendit, aktualisht në recesion. Italia shënoi një rënie prej gati 5 për qind në tregjet elektronike, ndërsa shumë biznese janë goditur rëndë. Një grup ekspertësh nga OBSH dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve mbërriti të hënën në Itali për t’i ardhur në ndihmë autoriteteve lokale.

Related posts