Klinika Infektive mbushet me pacientë të COVID-19

loading...


Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është e ngarkuar nga pacientët të cilët po kërkojnë trajtim mjekësor, dhomat janë të mbushura me pacientët e infektuar me coronavirus dhe klinika s’ ka më shtretër për pacientë të tjerë.

Infektologu Salih Ahmeti, në një intervistë për KALLXO.com tregoi se Infektiva s’ ka më vend për të shtrirë pacientë të tjerë pasi që klinika tashmë ka të shfrytëzuar të gjitha kapacitetet.

“Unë tash momentalisht s’ e di për këto dy apo tre orët e fundit por unë mendoj se s’ është asnjë shtrat i lirë, ose kemi pacientë të cilët veç janë shtrirë tashmë ose kemi pacientë të cilët presin me u transferu qoftë në Klinikën e Pulmologjisë ose pacientët të cilët janë në pritje dhe të cilët pritën të spitalizohen”, tregoi Ahmeti.

Ahmeti thotë se vazhdimisht ka pacientë të cilët i lirojnë për në shtëpi por në anën tjetër ka edhe pacientë të cilët kanë nevojë për spitalizim dhe si rrjedhojë e kësaj klinika është duke shfrytëzuar të gjitha kapacitetet.

Përveç Klinikës Infektive pacientët e infektuar me coronavirus janë duke u pritur edhe në Klinikën Interne, të Pulmologjisë, Mjekësisë Sportive dhe Mjekimit Intensiv qendror.

Tutje Ahmeti thotë se kanë bërë kërkesë që të plotësohen nevojat e tyre tash e tre javë, ndërsa javën e fundit ai thotë se kanë edhe presion nga pacientët dhe në këto raste Ahmeti thotë se i spitalizojnë vetëm pacientët ne gjendje të rëndë.

“Ne kemi kërkesa për plotësimin  e nevojave tona prej tre javësh ndërsa edhe javën e fundit kemi kërkesa shumë presione prej pacientëve dhe natyrisht në rastet e tilla bëjmë triazhimin e këtyre pacientëve spitalizojmë rastet më të rënda”, u shpreh ai.

 

Sa i përket gjendjes së pacientëve, infektologu thotë se katër pacientë janë në gjendje kritike përderisa gjysma e pacientëve të tjerë janë në gjendje të rëndë.

“Mbi gjysmën e pacientëve i kemi në gjendje të rëndë, katër prej tyre janë në gjendje kritike, janë në ventilim mekanik kanë përkujdesje intensive ndërsa gjendja e pacientëve të tjerë qëndron me qenë e menaxhueshme”, thotë Ahmeti.

Për trajtimin e pacientëve me COVID-19 shumica e vendeve në botë kanë përdorur ilaçin Remdesivirë i cili ka treguar efekt të mirë te pacientet e infektuar, por javë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar që të mos përdoret ky ilaç posaqë sipas OBSh-së s’ ka ndonjë efekt të pacientët e infektuar.

Ahmeti thotë së agjensia e barnave FDA  Remdesivirin e ka listuar si të vetmin bari për pacientët me SARS-CoV-2.

Salih Ahmeti – Foto: KALLXO.com

“FDA e cila është një agjension shumë kredibil për protokollet dhe aplikimet e barnave si të vetmin bari e ka të futur (Remdesivirin) në trajtimin e pacientëve me COVID, ky është rekomandim i OBSH-së ne megjithatë duhet të mbështetemi në përvojat tona”, tregon ai.

Tutje ai thotë se janë në pritje për furnizim me këtë ilaç pasi që Ministria e Shëndetësisë ka premtuar se do të furnizohet me këtë bari por një gjë e tillë akoma s’ është bërë.

Ahmeti, gjithashtu foli edhe për vaksinën për COVID-19, ai tha se edhe Kosova është duke i ndërmerre hapat e duhur për sigurimin e këtij ilaçi.

“Unë mendoj së sikurse edhe vendet tjera edhe Kosova duhet të ketë vaksinën (për COVID-19) Unë mendoj se edhe Kosova është ka i ndërmerr hapat e nevojshëm që kjo vaksinë të jetë sa më shpejtë në mesin tonë dhe ardhja e vaksinës në mesin tonë kish me qenë lajmi më i mirë që mund ta dëgjojmë”, tregoi tutje ai.

Deri më sot, në Kosovë virusi ka prekur 37,028 qytetarë nga të cilët 22,690 janë shëruar ndërsa 963 kanë ndërruar jetë.



Related posts