Komuna ku LDK-ja qeveris tenderët, punësimet dhe opozitën

loading...


Në zgjedhjet e fundit Haki Rugovës iu desh shumë mund për të arritur fitoren në Istog.  Me vetëm 14 vota më shumë Rugova mundi Gani Dreshajn e AAK-së për të marrë qeverisjen e Istogut edhe për katër vite.

Midis shumë problemeve në ambient, infrastrukturë dhe shërbime publike, mandati i ri tregon se komuna është fokusuar në ndarjen e tenderëve, heshtjen e opozitës dhe punësin e militantëve partiakë në shkolla e shëndetësi.

Një hulumtim i KALLXO.com, ka zbuluar se prapa tenderëve në Istog qëndrojnë zyrtarë të LDK-së me pozita të larta drejtuese në Komunë, simpatizantë të kësaj partie dhe familjarë të tyre.

Kampion i tenderëve në komunën e Istogut është kompania “Shkëmbi Sh.P.K”, e cila vetëm gjatë këtij mandati ka fituar plotë 33 tenderë

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, pronari i kësaj kompanie i ishte përkrahës i madh i LDK-së.
Kjo dëshmohet edhe me këtë fotografi në të cilën Muhamet Metaj shihet duke iu gëzuar fitorës së LDK-së.

Muhamet Metaj

KALLXO.com, ka kontaktuar me pronarin e kompanisë për ta pyetur në lidhje me relaicionin e tij me LDK-së. Në përgjigjen e tij Metaj ka thënë se është vetëm simpatizant i LDK-së dhe s’ ka ndonjë rol në parti.

“Prej 2017 ka mundësi që janë 33 tenderë, unë jam vetëm simpatizant i LDK-së, s’ jam ndihmo aspak se për tenderë marrin edhe ata që janë kanë shumë kundër, në 90% të rasteve e kemi marrë veç kur kemi qenë me çmimin ma të lirë se përndryshe kurrë”, ka thënë Metaj. 

Mirëpo përpos faktit se është simpatizant i LDK-së, KALLXO.com, ka gjetur edhe një detaj tjetër interesant. Valmir Loxha shefi i kabinetit të Kryetarit Haki Rugova ka punuar tek kompania “Shkembi Sh.P.K”, pak para se të emërohej si shef kabineti.

Faktin se Valmir Loxha ka qenë punëtor i kompanisë “Shkëmbi”, e ka pranuar pronari i kompanisë Muhamet Metaj. 

 “Valmiri ka qenë në zyre kryesisht ka mbajte shënime, s’ punon më prej ati momenti, atë e kemi shok që 15 vite dhe veç ka qenë pa punë e kemi punësu ku ka punu 1 vit e gjys dhe në momentin që e ka gjet një punë është terhek”, ka thënë Metaj. 

Përveç tjerash, hulumtimi i KALLXO.com, tregon se kompania “Shkembi shpk”, ka përfituar tenderë edhe në rastet kur kishte dalur më e shtrenjtë se sa kompanitë e tjera.

Kompania e simpatizantit të LDK-së, mori tenderët “Ndërtimi i udhës Hul Huli- Istog i Poshtëm” dhe “Asfaltimi i udhës në lagjen Dekaj-Istog i Poshtëm”, për të cilat në fund rezultoi se ishte më e shtrenjtë se sa ofertat e kompanive të tjera. 

Ky fakt ishte gjetur nga Zyra Kombëtare e Auditimit e cila përpos faktit se kishte konstatuar se komuna ka dhënë tender për kompaninë më të shtrenjtë ia ka bërë me dije komunës se shpërblimi i kompanive më të shtrenjta është në kundërshtim me ligjin për prokurim publik.

Kompani tjetër me shumë tenderë në Istog është edhe “Menti Sh.P.K”. Kjo kompani gjatë këtij mandati qeverisës ka marrë 11 tenderë.

Edhe kjo kompani ka lidhje me zyrtaër të lartë të LDK-së, në Istog. 

Pronari i kompanisë është Islam Shoshi i cili shihet në një fotografi bashkë Besart Dreshajn, nënkryetarin e LDK-së në Istog tani zëvendës ministër në ministrinë e punës dhe mirëqenies sociale. 

Islam Shoshi

Shoshi ka thënë për KALLXO.com, se nënkryetarin Dreshaj e ka familjar dhe se ai s’ ka ndikuar në dhënien e tenderëve. 

“Apsolutisht s’ ka pas ndikim, nënkryetarin e kam tezak, ai ka qenë shumë shkurt në pozitë në Istog edhe se ka veët kërrkush për ato punë se o kanë i ri”, ka thënë Shoshi.

Tenderë kanë marrë edhe kompanitë të cilat kanë lidhje me drejtorët e komunës së Istogut. 

Kompania e vëllait të Hajrush Shoshit i cili është drejtor i arsimit, ka përfituar tender në Komunën e Istogut. 

Intering Construction është përfituese e tenderit për furnizim me material ndërtimor për rastet emergjente. Vlera e kësaj kontrate është 55 mijë euro.

Kontrata është fituar në fund të vitit 2017 dhe ka zgjatur deri në fund të vitit 2019. 

Përpos faktit se është drejtor në Istog, Hajush Shoshi punon edhe në kompaninë e vëllait të tij, ai mban kontabilitetin e kësaj kompanie.

I kontaktuar nga KALLXO.com, drejtori Shoshi thotë se s’ ka ndikuar që kompania ku punon të jetë përfituese e tenderit.

“Unë s’ kam asnjë kompani, unë punoj në kompaninë e vllaut, ai është i ndarë, prej që unë jam drejtor ai s’ ka fitu tender, pozita ime s’ ka pasur ndikim që ai të përfitoj këtë tender”, ka thënë Shoshi. 

Tenderë ka përfituar edhe kompania në të cilën punon drejtori i Urbanizmit në Komunën e Istogut. 

Jashar Blakaj përpos funksionit të drejtorit të urbanizmit është i angazhuar edhe në kompaninë private “Granit Sh.P.K”, si inxhinier i ndërtimtarisë.

Kompania “Granit Sh.P.K”, ka fituar tenderin për asfaltimin e udhës në Dubravë, tenderin për asfaltimin e udhës Istogë – Cerrcë, tenderin për mirëmbajtjen e verore dhe dimërore të udhëve dhe tenderin për asfaltimin e udhës “Jakup ferri”. Vlera e këtyre katër projekteve është rreth 400 mijë euro.

Përpos këtyre tenderëve “Granit Sh.P.K”, në fund të vitit 2019 është fitues i tenderit për ndërtimin e qëndres së Istogut. Vlera e këtij projekti është 933 mijë euro.

Në lidhje me këto tenderë ka folur drejtori i Urbanizmit Jashar Blakaj i cili ka thënë se s’ ka ndikuar që kompania në të cilën punon të marrë tenderë.  

“Unë prej 1 janar e kam një marrëveshje si inxhinier me kompaninë pas orës katër ose vikendeve konsultohem si konsulent, jam konsultu me Agjencionin Anti Korrupsion, e kam lajmëruar s’ ka kurrfarë konflikti, kompania ka tenderë po s’ mundet me pas ndikim nga un”, ka thënë Blakaj.  

Përpos vërejtjes për dhënie tenderësh me çmime më të larta gjatë këtij viti Komuna e Istogut ka marrë vërejtje edhe nga Agjencioni Kundër Korrupsion. 

Kjo agjenci ka konstatuar se Komuna e Istogut ka vendosur kritere diskriminuese në tenderin “Ndërtimi i infrastrukturës në zonën industriale në Istog”.

Sipas AKK-së kriteri ku kërkohej që operatoret ekonomik për të aplikuar në tender duhet të dëshmonin numrin minimal prej 15  punëtoreve në tre muajt e fundit ishte diskriminues për faktin se shumë kompani s’ do të mund të aplikonin.

Heshtja e zërave kundërshtar

Qeverisja në Istog përpos që rehaton pozitën siç duket po rehaton edhe opozitën. 

Dikur njeriu më i zëshëm kundër Haki Rugovës në Istog ishte ish kandidati për kryetar të komunës Arif Elshani.

Debatet komunale bëheshin interesante kur fillonte përballja në mes tij dhe Haki Rugovës. 

Arif Elshani i cili gjatë debateve zgjedhore akuzonte Haki Rugovën për nepotizëm e konflikt interesi sot ka vendosur të mos flas. 

Heshtjen e arsyeton me zhgënjimin nga rezultati i zgjedhjeve por të dhënat tregojnë edhe një detaj tjetër. 

Kompania e Arif Elshanit  “Mercom Sh.p.k” gjatë këtij mandati të Haki Rugovës ka arritur që të fitojë dy tenderë në Istog. 

Tenderi për punët brenda palestrës së sporteve dhe tenderi për ndërtimin e tribunave në stadiumin e futbollit janë projekte të cilat po kryhen nga kompania e Elshanit.

Arif Elshani

Elshani ka thënë për KALLXO.com, se s’ është duke u marrë me politikë dhe se kompania e tij është e madhe dhe për atë arsye ka fituar tender

“Arif Elshani është pronar i kompanisë “Mercom”, e vërtet që na e kemi marrë një tender në Komunën e Istogut po kompania jonë është e madhe na marrim tenderë gjethka, e kemi marrë një në Istog, atë tender e kemi fitu në OSHP, unë s’ jam tu u marrë ma me politikë”, tha Elshani. 

I pyetur se s’ ka dhënë akoma dorëheqje nga pozita e asamblistit, Arif Elshani tha se ka vendosur të jap dorëheqje. 

Të dhëna të tjerata tregjojnë se edhe një anëtar tjetër i opozitës,  asamblisti i AAK-së, Muhamet Ukaj ka arritur që gjatë këtij mandati të LDK-së, të bëhet drejtor në shkollën “Zymer Zeka”, në Kaliqan. 

Pas zgjedhjes drejtor, Ukaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e asamblistit.

Ukaj ka thënë se ka qenë kërkesë e përfaqësuesit të LDK-së i cili është kryetar i fshatit dhe kërkesë e bashkëfshatareve që ai të bëhet drejtor. 

“Pozita e asamblistit s’ ka pasur ndikim në punësimin tim, interesimi me qen unë drejtor ka qenë i fshatit, s’ kom pas pengesa prej LDK-së pasi bash përfaqësuesi i LDK-së, kryetrari i fshatit ka kërku që un të jem drejtor kështu qe ata s’ e kanë kundërshtu kërkesën e fshatareve “, ka thënë Ukaj. 

Politizimi i administratës

Për të siguruar një vend pune në Komunën e Istogut po del se duhet të jesh pjesë e një partie të caktuar politike.

Një hulumtim i KALLXO.com, zbuloj se partia e cila udhëheq me komunën e Istogut rehatoj një numër të madh të anëtareve në pozita publike. 

Anëtaret dhe simpatizantët e LDK-së, janë shpërblyer me tenderë dhe vende pune në Administratë, Arsim, Shëndetësi dhe sektor të tjerë.

Ka asamblist dhe ish kandidat për asamble komunale që kanë arritur që gjatë këtij mandati të sigurojnë nga një vend pune në këtë komunë.

Të tillë janë kryetari i rinisë së LDK-së, Hekuran Rugova, asamblistja Edona Lubeniqi dhe ish asambleistja Luljeta Zeqiraj.

I pari i rinisë së LDK-së në Istog, arriti që të bëhet zyrtar për hartimin dhe përcjelljen e projekteve kapitale.

Në lidhje me punësimin e tij, Rugova ka mohuar të jetë ndihmuar nga partia.

“Çka ka pas me pas ndikim, aty kanë qenë kriteret unë i kam plotësu jam hi në test dhe ska pas e as që mundet me pas ndikim në procedurë të hapur”, ka thënë Rugova.

Asamblistja Edona Lubeniqi është rehatuar si teknike e radiologjisë në qendrën e mjekësisë familjare në Istog, ndërsa për punësimin e saj thekson se s’ është ndihmuar nga partia. 

“Apsolut ska pas ndikim partia, unë paraprakisht kam qenë me një projekt, në krejt Istogun ka qenë problem me gjet me drejtim temin, unë e kam pas këtë fat, jam asambliste dhe s’ kam dhanë dorëheqje nga pozita ngase ligji ma lejon”, ka thënë Lubeniqi. 

ndërsa ish asmableistja e LDK-së, në mandatin e kaluar, Luljeta Zeqiraj ka arritur të punësohet si zyrtare për biblotek në shkollën fillore në Banjë.

Luljeta Zeqiraj

Edhe Zeqiraj thotë se s’ është ndihmuar nga partia për tu punësuar.

“Ka qenë konkurs i hapur kam apliku s’ jam ndihmu nga partija dhe vazhdoj të jem anëtare e LDK-së”, ka thënë ish asamblistja. 

E vende punë kanë siguruar edhe fëmijët e zyrtarëve të lartë të LDK-së, në Istog, si dhe zyrtarëve të lartë komunal.

Vajza e drejtorit të Inspektoratit në Istog, Valesa Çeta është punësuar mësimdhënëse në shkollën “Ismail Qemajli”, në Saradran.  

Drejtori i inspektoratit Demë Çeta ka deklaruar se s’ e ka ndihmuar vajzën e tij që të punësohet.

“Pozita jeme në punësimin e saj s’ ka pas asnjë ndikim, unë i kam edhe pesë fëmijë më të medhënjë se ajo me fakultet dhe asnjë s’ i kam të punësum, po të kisha ndiku i kisha punësu ata ma përpara, po qashtu i ka ardh fati është punësu pa anjë ndikim”, ka thënë drejtori Çeta.

Madje një konkurs ishte bërë mollë sherri për anëtaret e LDK-së pasi eskaloi edhe në fjalosje në mes të drejtorit të DKA-së dhe zyrtarit të prokurimit në komunë. 

Punësimi i djalit të drejtorit të kadastrit në arsim kishte bëre që  një anëtar i strukturave të LDK-së ta denoncoj publikisht Kryetarin e Komunës, Haki Rugovën për ndikim në punësim.

Ky punësim u bë shkas për përleshje verbale mes zyrtarit të prokurimit në komunë dhe Drejtorit të Arsimit.

Arsyeja e përplasjes verbale mes tyre ishte punësimi i Arton Bajrës, djalit të Drejtorit të Kadastrit, Hazbi Bajra.
Deri tek kjo përplasje ka ardhur pasi në atë pozitë s’ ishte përzgjedhur Fatmir Ademaj, familjari i zyrtarit të prokurimit Gëzim Ademaj. 

Në lidhje me pretendimet për ndikim në këtë konkurs foli edhe kryetari i Komunës Haki Rugova. Ai ka thënë se s’ ka ndikuar në punësimin e djalit të drejtorit dhe se e respekton vendimin e komisionit.

“Konkursi ka qenë i hapur, komisionet kanë qenë e kanë marrë vendimin e vet, unë e respektoj vendimin e komisionit mua më intereson procedura ligjore Po qe se dikush ka ankesa le të ankohet edhe a s’ka të drejtë djali i drejtorit me hi në punë kurrë a?”, tha Rugova.

Mësimdhënese u bë edhe vajza e shefes së Prokurimit në Istog Valejta Bujupaj. Për punësimin e saj shefja e prokurimit Zize Bujupaj deklaron se s’ ka ndikuar.

“As që e kam dit kush është anëtar komisioni, o kon ba e madhe kur o punësu qika jeme, mirëpo ka qenë e vetmja konkurrente për atë pozitë qaty, unë s’ jam anëtare e partisë dhe s’ merrem me politikë”, ka thënë Bujupaj. 

Petrit Shatri djali i asamblistit të LDK-së, Zenel Shatri gjatë këtij viti u punësua si mjek i përgjithshëm në QKMF-në e Istogut. 

Interesante është deklarata e asamblistit Zenel Shatri i cili thekson se punësimet në shëndetësi bëhen me rend, kush diplomon i pari punësohet.

“Petriti që dy vjet është tu prit, ka punu në firma farmaceutike e tash puna e COVID komuna i ka marrë tre vet, janë me kontratë mbi vepër, unë kisha pas qejf me ndiku po skom mujt me ndiku hiq, ne e kemi pru si qëndrim ai që diplomon ni dit të përpara hyn në punë ai që diplomon në të ardhmen mbrapa hin tjetrën ditë, shkon me rënë”, ka thënë Shatri. 

Ai shtoj se kryetari Haki Rugova është duke e përcjell shkëlqyeshëm rendin për punësim. 

“Kryetari është duke e përcjell shkëlqyeshëm, ai që diplomon në të ardhmen përpara në mjekësi ka me u punësu, dhe s’ ka huq reni kurrë, e kanë pas renin me data po s’ ka pas mundësi ma herët”, shtoj Shatri. 

Gjatë këtij mandati të LDK-së, në Istog një vend pune siguroj edhe anëtari i kësaj partie Arlind Balaj. 

Balaj u punësua si zyrtar për gjendje civile në komunën e Istogut. 

Për punësimin e tij në këtë pozitë, anëtari i LDK-së, deklaron se s’ është ndihmuar.

“s’ ma merr menja që ka pas ndikim partia, çka ka lidhje kjo me parti edhe tjetër kush me pa kan në pushtet këtu s’ ka ndikim”, ka thënë Balaj. 

Arsimi i politizuar 

Arsimi në Komunën e Istogut është skajshmërisht i politizuar ku pothuajse secili drejtor i emëruar në shkolla është ose ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

KALLXO.com, ka provuar të kontaktojë me të gjithë drejtoret e shkollave të kësaj Komune dhe ka arritur të konstatoj se shumica prej tyre janë pjesë e LDK-së. 

Deklaratat e tyre janë interesante, disa theksojnë se janë krenar që janë pjesë e LDK-së, e disa të tjerë se do të jenë deri në frymën e fundit në këtë parti. 

Dikush pranon se mund të jetë ndihmuar nga partia për tu përzgjedhë drejtor e të tjerët e mohojnë një gjë të tillë. 

Drejtori i Gjimnazit “Haxhi Zeka”, në Istog Ibrahim Bytyqi është drejtori i cili s’ e ka mohuar përkrahjen e partisë me rastin e përzgjedhjes si drejtor në Gjimnaz. 

“Unë jam që dy vite drejtor, zëvendës drejtor jam që 1 mandat e gjysë, ndihmës ndoshta kom pas prej partisë po unë nisna edhe prej asaj që nashta e kam meritu pasi punoj që 33 vite i kam me të njëjtin kolektiv kështu qe problematiken e shkollës e njoh mirë po s’ muj me e mohu edhe pak përkrahjen e partisë”, ka thënë drejtori Bytyqi. 

Ndryshe nga Bytyqi, drejtori i shkollës fillore, “Tre Dëshmoret” në Uçë, Beqir Ibrahimaj ndonëse pranoj se është anëtar i LDK-së, e mohoj të jetë ndihmuar nga partia. 

“Në atë parti jam po funksion s’ kam veç anëtar i thjesht i LDK-së, jam përzgjedh drejtor pasi unë kam qenë i vetmi me fakultet pesë vjeçar dhe s’ ka pas ndikim në këtë proces”, tha Ibrahimaj. 

E deklaratën më interesante e dha drejtori i shkollës fillore “Bajram Curri” në Istog, Hasan Blakaj.

Ai deklaroj se është anëtar i LDK-së dhe se do të jetë deri në frymën e fundit. 

“Unë në lidhjen demokratike kam hy në vitin 1990 edhe asnjë mos met kam me qenë deri në frymën e fundit në LDK, s’ ka pas ndikim në punsimin tim, jam zgjedhë në mënyrë shumë demokratike dhe të rregullt ku tre herë është anulu konkursi”, ka thënë Blakaj. 

Drejtoreshë shkolle është edhe Drita Ferati nëna e deputetit të LDK-së e Ilir Ferati. 

Drita Ferati është drejtoreshë në shkollën e mesme “Mithat Frasheri”, në Gurrakoc. 

Ajo ka dhënë për KALLXO.com, se s’ është ndihmuar nga partia për tu bëre drejtore. 

“Po jo bre ska pas kurrfarë ndikimi është hekë një drejtor unë kam qenë sekretare e shkollës kam apliku dhe jam zgjedh, s’ ka pas kurrgjë drejt met thanë”, ka thënë Ferati. 

Pozitën e drejtoreshës në shkollë e ka edhe Fatmire Rugova bashkëshortja e drejtorit të shërbimeve publike Enver Rugova. 

Ajo ka thënë se s’ është ndihmuar nga partia për tu bëre drejtoresh. 

“Na jemi familjar të Presidentit Ibrahim Rugova, politika s’ më ka ndihmu se kur kam apliku kam qenë e vetmja që i kam plotësuar kushtet edhe e kam pas trajtimin e udhëheqjes arsimore dhe se besoj që më kanë ndihmu”, deklaroj Rugova. 

Drejtor me prapavijë politike doli të jetë edhe Skender Berisha i cili udhëheq me shkollën “Ismail Qemali”, në Saradran.

I pyetur Po qe se është ndihmuar nga politika për të qenë drejtor, Berisha tha se ka dhënë dorëheqje nga partia. 

“s’ vazhdoj me kanë anëtar i LDK-së, kam dhanë dorëheqje me atë dit që jam zgjedh drejtor shkolle, s’ e besoj që ka ndiku partia, unë katër vjet kam qenë ushtrues detyre dhe kam qenë aktivist edhe me pa ndiku s’ më kishin lënë ushtrues detyre po më kishin bo drejtor, s’ jam ndihmu hiq jam vlersu nga komisioni”, ka thënë drejtori Berisha.

Shëndetësia  

Sikurse sektorët e tjerë në Istog edhe shëndetësia është e politizuar.

Drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare është zgjedhur Ymer Vuthi i cili shihet në fotografi duke marrë pjesë në një tubim të LDK-së. 

Në lidhje me prezencën e tij në tubim, Ymer Vuthi ka deklaruar se s’ është pjesë e LDK-së dhe se në tubim ka qenë për të parë programin politik.

“s’ jam partiak Po qe se e ki fjalën për tubimin në fshatin Cerrcë, çdo parti politike që ka ardh aty unë kam shku ja u kom kqyr programin e tyne”, ka thënë Vuthaj. 

I pyetur Po qe se ka pasur ndikim politika në emërimin e tij, Vuthaj ka deklaruar se po të kishte ndikim politika drejtor do të mbetej Shefqet Mehmetaj. 

“Jo ka qenë një konkurs jam tregu më i miri dhe me pas ndiku politika kish nejt qaj qe o kon përpara”, ka thënë Vuthaj.

Para zgjedhjës së Ymer Vuthit, drejtor në QKMF ishte Shefqet Mehmetaj.

Pasi u largua nga pozita e drejtorit Shefqet Mehmetaj kishte mbetur pa punë mirëpo jo për një kohë të gjatë pasi s’ vonoj shumë dhe ish drejtori zuri një vend në karrigen e stomatologut. 

Në një proces i cili u përserit tre herë, Shefqet Mehmeti arriti që të siguroj një vend pune në institucionin ku kishte shërbyer si drejtor për më shumë se 9 vite. 

I pyetur Po qe se partia kishte ndikim në punësimin e tij, Dr. Shefqeti tha se s’ mund ta përcaktoj Po qe se ka pasur ndikim dhe se s’ mbanë ndonjë pozitë në LDK përpos faktit që është anëtar i thjeshtë.

“Për besë s’ është që muj me përcaktu a ka pas ndikim politika, un stomatolog jam që mbi 20 vjet dhe kur e kam mbaru mandatin e drejtorit normal që kam pas dëshire që me vazhdu akoma, kam qenë dy mandate drejtor i QKMF, nj mandat kam qenë drejtor komunal i shëndetësisë, po në asnjë konkurs kurrë s’ kemi pas diçka problem vetëm unë kur u përzgjodha dolën probleme s’ e di pse, kam qenë aktivist i LDK-së, anëtar i thjesht jam po s’ kam ndonjë pozitë në parti”, ka thënë Mehmetaj.

Sistemi i shëndetësisë në Istog ka në përbërje një Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare, katër Qendra të mjekësisë Familjare dhe shtatë Ambulanca.

Në Istog materniteti është funksional mirëpo problem del të jetë mungesa e gjinekologëve. 

Ndonëse 40 mijë banorë Istogu po vazhdon të ketë vetëm një gjinekolog, madje me kontratë mbi vepër i cili është i angazhuar vetëm me një gjysmë orari. 

Sporti në Istog 

Po bëhen 17 vite prej momentit kur në Istog kishte filluar të ndërtohet palestra e sporteve.
Kjo palestër në Istog njihet si projekti milionësh i cili s’ u finalizua për më shumë se një dekadë.
Punimet në këtë objekt sportiv ka pasur në vazhdimësi mirëpo akoma s’ dihet se kur do të përdoret nga sportistet e Istogut. 
akoma pa filluar përdorimi i kësaj palestre një pjesë e madhe e saj shihet e dëmtuar.
Dyer dhe gjama të thyer, parket të prishur dhe kulm që pikon janë pamjet të cilat mund ti shikojmë sot brenda dhe për rreth palestrës.

Palestra

Ndonëse pësoj dëmtime të vazhdueshme punët në palestër s’ u ndalën.
Vetëm në kulmin e palestrës pati dy herë ndërhyrje, ndërhyrja e parë i kishte kushtuar komunës mbi 40 mijë euro ndërsa ndërhyrja e dytë e cila është duke u bëre tani i ka kushtuar buxhetit plotë 67 mijë euro.
Ndërhyrje po bëhen edhe në parketin e palestrës i cili ndonëse s’ ka shumë kohë që është vendosur është dashur që të ndërrohet.

Një tjetër investim i Komunës pësoj dëmtime pak pasi u inaugurua.
Është fjala për fushën e tenisit e cila është ndërtuar gjatë vitit 2020 në Gjimnazin “Haxhi Zeka”.
Vetëm pak javë pasi u inaugurua, fusha e tenisit u mbulua nga shiu.

Fusha e Tenist

Për gjendjen e saj kishte reaguar edhe asamblisti i PDK-së, Labinot Aliaj i cili kritikoj drejtorinë e Sportit me të cilën udhëheq partia e tij. 

“Pasi u inaugurua shkova me vullnet ta shof atë pune, te cilën e vlerësoja shume, mirëpo u zhgënjeva kur pash një “pusetë” me uji, e gjithë kjo fal mos nivelizimit te mire nga kompania e cila i kryejti punimet, dhe për dike si unë, është e pa mundur te mos reagoi, pasi Istogun e dua po aq sa veten, dhe punës se keqe s’ mundem ti them me hajr”, ka thënë Alijaj. 

Përpos mbulimit nga uji, fusha e re e tenisit “mbeti” edhe pa rrjetë pasi njëra shtyllë u dëmtua në masë të madhe. 

Investime në sport Komuna e Istogut bëri edhe në stadiumin e qytetit. Kjo komunë ndërtoje tribunat e stadiumit një pjesë e të cilës u ndërtua edhe në tokat private. 

Sipas drejtorit të sportit ndërtimi i tribunës u bë edhe në tokë private pasi komuna morri leje nga pronari i tokës.

“Tribunat janë ndërtuar ne vitin 2020 , një pjese e tribunave ne sipërfaqe te vogël toke, janë ne toke private. Pronari i tokës na ka lejuar edhe me marrëveshje që të ndërtohet në atë hapësirë.

Kallxo.com, ka shkuar edhe më larg për të parë se kush është pronari i tokës në të cilën janë ndërtuar tribunat e stadiumit. 

Hulumtimi zbulon se pronar i parcelës në të cilën është ndërtuar tribuna është Fazli Bytyçi, aksionari më i madh i klubit KF Istogu.

KF Istogu që nga viti 2019 është bëre shoqëri aksionare në të cilën kanë hise biznesmenët e Istogut e bashkë më ta edhe Ismet Rugova, vëllai i kryetarit Haki Rugova. 

Komuna e Istogut në vitin 2019 i ka dhënë KF-Istogut subvencione në vlerë 14.000 euro, ndërsa ka paguar ushqim për futbollistet para çdo ndeshje deri në vitin 2018 në restorantin “Trofta”.

Deponit ilegale 

Komuna e Istogut po vazhdon të ketë probleme me deponite ilegale.
Aktualisht deponi ilegale ka në hyrje të Istogut, në fshatin Kaliqan si dhe në afërsi të fshatit Rakosh.
Ndonëse nganjëherë po pastrohet nga iniciativat qytetare, deponia ilegale në Kaliqan s’ po zbrazet kurrë.

Deponia Kaliqan

Komuna me një inspektor të ambientit s’ po arrin që ti zhdukë deponitë ilegale tani e disa vite ndonëse ka qenë premtim i vazhdueshëm i kryetarit. 

Istogu edhe pse gati 40 mijë banorë po vazhdon që të ketë vetëm një inspektor të ambientit i cili duhet të kujdeset që ti ndëshkojë personat që degradojnë mjedisin

Me vetëm një inspektor të ambientit Istogu ka shqiptuar gjoba për degradimin e ambientit në vetëm 18 raste gjatë vitit 2019. 

Ky numër i vogël i gjobave të shqiptuara brenda një viti ka bëre që personat që hudhin mbeturina në këto deponi të mos vetëdijesohen. 

 

Dëmet nga Era

Komuna e Istogut është e njohur si zonë në të cilën fryn erë e madhe e cila shpesh herë shkakton dëme të mëdha si për objektet publike ashtu edhe për shtëpitë private, serat bujqësore dhe objekte e tjera. 

Era e fundit e cila fryu në komunën e Istogut gjatë vitit 2020 la pas shumë dëme të mëdha.
Vetëm gjatë këtij viti vlera e dëmeve nga era në Istog vlerësohet të jetë mbi 1.5 milion euro.

Një numër i madh i shkollave dhe objekteve publike kanë pësuar dëmtime ndërsa më rëndë gjëndjen e kanë rreth 2000 familje të cilat era i ka lënë me pasoja.  

Shtëpi pa kulme, shtylla elektrike të rrëzuara, xhama të thyer e lastra në tokë ishin pamjet të cilat ishin shfaqur në KALLXO.com, dy ditë pas erës së madhe në Istog. 

Objekteve publike qeveria dhe komuna i doli në ndihmë ndërsa rreth 2000 qytetarë të Istogut u desh të bëjn hall vet pasi pushteti s’ ua zgjati dorën. 

Në lidhje me sanimin e dëmeve Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti kishte ndarë 126 mijë euro për ndërhyrjet në shkolla ndërsa 45 mijë ishin ndarë nga Komuna.

ndërsa numri i qytetarëve të cilëve komuna u ka dalë  në ndihmë mund të numërohet në gishta.
Sipas drejtorisë së shërbimeve publike në Istog vetëm 7 nga rreth 2000 familje morën ndihmë nga Komuna.

Dëme të mëdha nga era ishin shkaktuar edhe në vitin 2012 dhe 2017.  Dëmet e vitit 2012  kanë qenë mbi 1 milion ndërsa në vitin 2017 dëmet e shkaktuara kapin shifrën e mija eurove.

tretmani i Ujërave të Zeza

Ujërat e zeza po vazhdojnë të jenë problem për qytetarët e Istogut. Disa fshatra vazhdojnë të mbeten pa rrjet të kanalizimit ndërsa në ato ku ka ujërat e zeza ose po derdhen në lum ose në toka bujqësore.

Pa rrjet të kanalizimit janë disa banor të fshatit Tomoc. Muharrem Shatri banor i këtij fshati ka treguar se shumë peshq kanë ngordhur në lumin Shushicë si pasojë e ujërave të zeza që po derdhen në lum. 

“Hall tash për tash është kanalizimi, na krejt ujërat e zeza i derdhim në lum, kur po i ujitim livadhet po na shkojnë dëm, na kanë premtu disa herë po ska kurrgjë, ujërat po derdhen në lumin Shushicë e pastaj në lum të Istogut, këtu ka pas plot peshq tash ska kurrgjë”, ka thënë Shatri. 

Të dhënat nga komuna tregojnë se vetëm 50% e saj është e mbuluar me rrjetin e kanalizimit. 

Probleme me ujëra të zeza kanë edhe banoret e fshatit Uçë. Sejdi Fekaj banor i këtij fshati ka thënë se s’ mund ta shijjoj një kafe në oborrin e tij për shkak të erës së ujërave të zeza.

“Problemi kryesor është uji dhe kanalizimi, qetu e kem një kru, burim të bjeshkës që kanë marrë mbi 30 familje tash ket ujë po e marrim me rrezik shkaku i ujëra të zeza të cilat po kalojnë mbi tokë, po i vjen era smundet njeri me marr ujë të, a ka gjë ma vështire mos me mujt njeri me pi ni kafe në oborr t’vetin prej erës, uji vjen me ndërprerje”, ka thënë Fekaj. 

Përpos ujërave të zeza problem për banorët e Uçës mbetet uji i pijshëm. 

Banorët e kësaj zone duhet të marrin rrugë me kilometra që të furnizohen me ujë të pijshëm. 

Çdo vit po premtojnë që kanë me e rregullu, jam plakë s’ po kam as shume forcë edhe pa ujë po është edhe më e vështirë pleqnia, vjet kam pak që me la edhe me bunar. Si të ka ujë i marr bidonat, kofet i mbushi që kur të ndalet me pas çka me pi e me çka me u pastru”, tha Tahire Ferataj.

Tahire Ferataj banore e këtij fshati ka thënë se përkundër vjetëve që ka shpeshherë po i duhet të lahet me bunar. 

“Çdo vit po premtojnë që kanë me e rregullu, jam plakë s’ po kam as shume forcë edhe pa ujë po është edhe më e vështirë pleqnia, vjet kam pak që mu la edhe me bunar. Si të ka ujë i marr bidonat, kofet i mbushi që kur të ndalet me pas çka me pi e me çka me u pastru”, tha Tahire Ferataj.

Për zgjidhjen e këtyre problemeve me ujë në fshatrat e “mbi vadës”, Komuna e Istogut  ka nënshkruar një marrëveshje me Qeverinë e Austrisë në të cilën përfshihet projekti në vlerë mbi 5 milionë euro. 

Premtimet e Kryetarit

Kryetari Haki Rugova s’ është se premtoj shumë gjatë debateve komunale. Ndonëse pati pak premtime pati shumë më pak realizime. 

Dy nga premtimet kryesore të Kryetarit Haki Rugova gjatë debateve komunale ishin përfundimi i palestrës sportive dhe përfundimi i memorialit Ibrahim Rugova

Për palestrën sportive kryetari Rugova kishte dhënë premtim se do të përfundonte gjatë vitit 2018 mirëpo janë bëre gati tre vite nga zgjedhjet komunale dhe në palestër punët s’ kanë të ndalur. 

akoma s’ dihet se kur do të jetë e gatshme palestra e sporteve e cila ka 17 vite që ka filluar të ndërtohet. 

Një projekt tjetër madhor ishte memoriali Ibrahim Rugova për të cilin i pari i Istogut kishte deklaruar se do të përfundojë gjatë 2018-tës, mirëpo edhe ky projekt s’ është inauguruar akoma dhe është në pritje të punimit të shtatores së ish Presidentit. 

Kryetari gjatë debateve kishte premtuar se menjëherë pas zgjedhjeve do t’i publikonte listat e uzurpatoreve të komunës si dhe listat e borxhlinjve ndërsa as njëra dhe as tjetra s’ janë publike në portalin e Komunës. 

Komuna s’ ka dhënë ndonjë arsye për mos publikimin e listës së borxhelinjëve  vetëm se e ka konfirmuar se ato s’ është publike ndërsa për listën e uzurpatorëve kanë deklaruar se janë në përpilim të listës. 

Fjalën e mbajti për ndërtimin e qerdhës së re në Istog. Çerdhja e financuar nga Ministria e Arsimit është duke u ndërtuar në Istog.

Për projekte të reja s’ është se premtoj shumë mirëpo gjatë debateve premtoj se do ti përfundoje disa rrugë të cilat i kishte filluar. 

udha në Cerrcë, Dubravvë dhe si Shushicë-Uçë kanë përfunduar gjatë këtij mandati dhe edhe për këto projekte kryetari e mbajti fjalën. 

Mirëpo si pasojë e mos investimit në projekte kapitale qeverisja e Istogut në vitin 2018 s’ ti fitoj mbi 100 mijë euro nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal. 

Sipas MAPL-së, Komuna e Istogut s’ është kualifikuar për grantin e performancës komunale pasi s’ e ka shpenzuar të paktën 75 % të buxhetit për investime kapitale.

Përformancë e mirë s’ është treguar as në menaxhimin e Komunës. MAPL e ka vlerësuar nën 50% menaxhimin komunal në Istog. Menaxhimi komunal ka marrë 10 pikë nga gjithsej 21 pikë të mundshme.

Pa Barazia gjinore në pushtet

Ndonëse kishte premtuar se do të respektonte barazinë gjinore në kabinetin e tij kjo s’ ndodhi. 

Komuna e Istogut ka 10 drejtori ku në nëntë prej tyre udhëheqin burrat ndërsa vetem një drejtori udhëhiqet nga një femër. 

Edona Bujupi Loxha është e vetmja  grua e cila udhëheq me drejtori në Istog. Ajo udhëheq drejtorinë e Administratës. 

Shpenzimet e Komunës 

Mbi 44 mijë euro të buxhetit të Komunës së Istogut kanë shkuar në dreka dhe darka zyrtare vetëm gjatë vitit 2018.

Kjo shumë e shpenzimeve nëpër restorante tregon lluksin e madh që bëjnë zyrtarët e Istogut. Dosja sa han shefi e publikuar në KALLXO.com, kishte treguar se zyrtarët komunal të Istogut janë merkali të birrës dhe rakisë. 

Në këtë dosje tregohet se zyrtarët e komunës së Istogut me para të buxhetit komunal kishin pirë rreth 200 birra e mbi 40 gota raki.

Vetëm zyra e kryetarit Haki Rugova ka shpenzuar 22.719 euro në dreka dhe darka gjatë një viti kurese gjysma tjeter e shpenzimeve është bëre nga drejtoritë komunale. 

Shumica e kësaj shume ka shkuar në arkën e restorantit “Trofta”. Vetëm zyra e kryetarit ka paguar rreth 18 mijë euro në këtë restorant ndërsa 2 mijë euro tek restorant “Freskia” dhe 2500 në “Restorant Merkuri”.

Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është drejtoria e cila prinë me shpenzime për dreka dhe darka. Kjo drejtori gjatë 2018-tës ka shpenzuar 7664 euro në reprezentacion. 

Pas saj vinë drejtoria e shëndetësisë me 3982 euro, ajo e administratës me 3047 euro, drejtoria për buxhet dhe financa 1356 euro, drejtoria e bujqësisë 1138 euro, inspektorati 789 euro, kadastri 811 euro, emergjenca 535 euro, urbanizmi 696 euro ndërsa drejtoria e zhvillimit ekonomik 380 euro.
Të larta janë edhe shpenzimet në karburante dhe telefon.
Për dy vite qeverisje komuna e Istogut ka shpenzuar 18.939 euro në karburante, prej tyre 3726 janë shpenzime të kryetarit.

Më të larta janë shpenzimet në karburant të kryetarit se sa të drejtorisë së inspektoratit e cila ka për detyrë inspektimet dhe daljen në terren. 

E më shumë se të gjitha drejtoritë e tjera në karburant ka shpenzuar drejtoria për buxhet dhe financa. Kjo drejtori ka shpenzuar plotë 4305 euro në karburante gjatë dy viteve. 

Shpenzime më të larta se karburanti ka telefoni i zyrtarëve të Istogut. Kjo komunë për dy vite ka paguar mbi 35 mijë euro për thirrjet telefonike .

6089 euro janë shpenzuar në telefon vetëm nga zyra e kryetarit Haki Rugova.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura s’ përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).



Related posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *