Hën. Jan 24th, 2022
© Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
Analiza letrare, Analizë , Analiza të veprave letrare

Kronikë në Gur – Ismail Kadare Analiza Letrare

romaninKronikë në gur” (1971), tema e Luftës Nacional – çirimtare është parë nga I. Kadareja në një aspekt tjetër. Vepra në thelb nuk është një roman për luftën, edhe pse ngjarjet që përfshihen nga pikëpamja kohore i përkasin asaj periudhe dhe janë parë në dritën e atyre proceseve e përmbysjeve që solli revolucioni popullor në jetën e shoqerise shqiptare.

Brendinë ideore të romanit Kronikë në gur e formon mohimi i botës së vjetër me gjithë amullinë dhe mentalitetin e saj të ndryshkur, i provincializmit në shfaqjet e tij më tipike.

Imtësitë që krijojnë sfondin historik dhe japin atmosferën e jetës mendore e politike të kohës kur kishte nisur lëvizja çlirimtare antifashiste e masave popullore, e udhëhequr prej komunistëve, çastet dhe episodet e shkëputura nga lufta, pamja e pertëritjes që sjell revolucioni në kontrast me tërë atë botë të mykur dhe të fosilizuar, ndihmojnë të zbulohet në mënyrë me të mprehtë vlera artistike e veprës.

Romani Kronikë në gur është ndërtuar si një këmbim pamjesh e skenash nga jeta e një qyteti, në dukje të palidhura midis tyre.

Nga ana e jashtme ato i lidh figura e rrëfimtarit të ngjarjeve, të cilat në përceptimin e heroit, marrin trajta të gjithfarshme dhe shfaqen herë në forma e përpjesëtime hiperbolike, here groteske e herë simbolike.

Për ngjarjet rrëfehet në mënyrë naive, por pas këtij naiviteti prej fëmije fshihet një ironi therrëse, cka ka përcaktuar edhe disa nga veçorite e stilit të kësaj vepre.

Dukurite tipike të një mjedisi provincial e të prapambetur, të një jete që vërtitet në një qark thashethemash, paragjykimesh, bestytnish e zakonesh prapanike, janë zmadhuar në lentën e shkrimtarit dhe kanë dalë ne pah me tërë shëmtinë dhe karakterin e tyre regresiv.

Këtë botë që po jepte shpirt, megjithëse përpëlitej me deshpërim për t’i shpëtuar dënimit të historisë, shkrimtari e ka pasqyruar me ngjyra të gjalla, me anë imtësish që, edhe pse janë marrë nga një realitet konkret, humbasin konkretësinë e tyre të drejtpërdlrejtë dhe fitojnë një kuptim simbolik.
Vetë jeta e qytetit ku shkrimtari ka vendosur ngjarjet simbolizon në një kuptim me të gjerë jetën e varfër ne çdo pikëpamje të shoqerisë shqiptare e që u vu në lëvizje dhe e çau guaskën brenda së cilës gjëllinte, vetëm kur komunistët zgjuan masat e përgjumura dhe të drobitura nga zgjedhja shekuuore ekonomike e shpirtërore dhe i drejtuan energjitë e tyre në hullinë e luftës kundër fashizmit dhe kundër gjithë botës së vjetër.

Dinamizmi i brendshëm i vepres buron prej kësaj ndeshjeje të ashpër midis forcave të errësirës dhe filizave të reja që sapo kanë buluar në jetën e shoqerisë dhe që përfaqësojnë progresin dhe të ardhmen e saj.

I. Kadareja nuk pershkruan skena dhe pamje konkrete nga lëvizja antifashiste e masave popullore; ai jep vetëm disa çaste që transmetojnë parandjenjën e përmbysjes së madhe që po afrohej dhe reaksionin e botës së vjetër ndaj kësaj ngjarjeje.

Nga kjo pikëpamje është kuptimplotë gjesti makabër i shehut, i ciii, kur pa se partizanët po hynin në qytet, nxjerr sytë me gozhdë, duke bërtitur: ,,Nuk dua të shoh komunizmin”.

Në kontrast me tërbimin e forcave të errësirës, shkrimtari ka dhënë përmes imtësish shprehëse entuziazmin me të cilin i pret populli çlirimtaret.

Përqasja e diellit dhe e horizonteve të hapura me komunizmin i jep romanit një tingull optimist dhe forcon idenë e rolit të madh të revolucionit popullor që e nxori vendin nga errësira mesjetare në udhën e gjerë të socializmit, të progresit dhe të emancipimit të vërtetë.

Romani ,,Kronikë në gur” ka një kompozicion origjinal.

Ai i ngjan një poliedri, çdo faqe e të cilit, si pjesë organike e së tërës, plotëson idenë dhe kuadrin e përgjithshëm të veprës.

Forca e fjalës artistike e Ismail Kadaresë, figuracioni i gjallë dhe lakonizmi i shprehjes, spikat dhe në romanin Kronikë në gur si tipar i prozës së tij./Rapitful

 

Analizë tjetër

“Kronikë në gur” afirmohet menjëherë si vepër thelbësore në kuadrin e krejt krijimtarisë së Kadaresë. Është roman i hyrjes në jetë dhe në letërsi. Tregimtari është autori, që përpiqet të rishohë me sytë e fëmijës tetë vitet e para të jetës së tij. Që nga kjo fëmijëri e kanë zanafillën elementet që përbëjnë “universin Kadare”. Ai fiton sensin e tij të mprehtë të fantastikes, apo të “realizmit magjik”.

Pjerrësia marramendëse e rrugëve, prania kudo e gurit, banesat e çuditshme, të mëdha e të fortifikuara, kështjellaburg, që zotëron mbi disa lagje, pamja spektakolare mbi fushën e Drinos dhe malet, e gjithë kjo do të formojë e stërhollojë pak nga pak vështrimin e shkrimtarit të ardhshëm. Gjirokastra të fton në magji dhe, siç shkruan Kadare, “duket sikur qyteti është ngritur për të zgjuar ide të mëdha”.

Ai e quan një fat të madh që e nisi jetën e tij në një mjedis të tillë: “Sa më shumë unë mësoja sekretet e artit të të shkruarit, aq më shumë bindesha që kisha patur fat të rritesha në këtë qytet më se të veçantë, që kisha dëgjuar shpjegimet e para për botën nga goja e këtyre plakave të vjetra e të mençura, veshur me të zeza, që mbanin kupën e kafesë në njërën dorë dhe tejqyrën në tjetrën”.

Kronikë në gur nuk është vetëm një kuriozitet, por një roman magjepsës, i sofistikuar dhe i realizuar në prozë poetike. Gjerësia e përshkrimit krijon rezonancë, që nga rrënjët e saj, me një nga shoqëritë më primitive të Europës.

 

Proza e Ismail Kadaresë është krahasuar me atë të Gabriel Garcia Marquez – it. Sigurisht, që ai indukton të njëjtën ironi tek lexuesit me anë të këndvështrimit magjik të jetës së një fëmije që ëshë shumë më i madh sesa i të rriturve. Triumfi i Kronikë në gur është se nuk ka nevojë të ndahet nga kënaqësitë estetike unike të kohës, hapësirës dhe veprimit me qëllim që të arrijë tek lidhja argëtuese e realizmit dhe fantazisë.

Kjo kronikë nuk është vetëm kronikë e një “qytetit prej guri”. Duke tejkaluar caqet e një qyteti, ajo përfshin në faqet e saj dramën e qyteteve, të vendeve, të popujve, madje edhe të kontinenteve të tëra, duke krijuar një atmosferë epike, të rëndë si gurët që përshkruan. Kjo është autopsia e një qyteti shqiptar.

Kaotik në të parë, por i nënshtruar një arkitekture të brendshme të rreptë, ky roman, krejtësisht i ri në krahasim me çdo libër tjetër mbi fëmijërinë, do të ndihmojë që të kuptohet shkrimtari dhe njeriu Ismail Kadare, si dhe një pjesë e enigmës së vendit të tij, njëherit të çuditshëm, epik dhe fantazmagorik mbi të cilin bota pyetet gjithnjë e më shumë.

Ky roman shënon një nga veprat më të rëndësishme të autorit; sepse rrok raportin që fëmija krijon me botën, përmes një projeksioni autobiografik, ku qyteti i Gjirokastrës ka ngjyra magjike, të cilat vijnë mjeshtrisht në romanin e Kadaresë.

Kronikë në Gur, Analiza letrare, Analizë , Analiza të veprave letrare