Kur duhet ta lani beben? Si duhet ta lani? A keni frikë ta lani?
Larja e bebes bëhet për ta mbajtur beben pastër, por jo vetëm kaq.
Kur e lani beben, kënaqëni ju dhe të gjithë anëtarët e familjes.
Disa bebeve iu pëlqen që të rrinë në ujë të ngrohtë që nga fillimi, kurse disa bebe tjera kanë nevojë për pak kohë që të mësohen me këto ndiesi të reja për lëkurën e tyre shkruan Poliklinika Dr. Memli raporton Gazeta Shëndeti.
Javën e parë beben mund ta pastroni me kompresa të pambukta të lagura me ujë të ngrohtë.
Para se të filloni, sigurohuni se dhoma është e ngrohtë.
Merrni një enë me ujë të ngrohtë afër vetes dhe beben e zhveshur vendosni mbi një peshqir të pastër me të cilin do ta fshini më pas.
Merrni një kompresë të pambuktë, lagni me ujë të ngrohtë dhe shtrydheni.
Filloni me sytë, pastroni sytë e bebes me kujdes duke filluar nga këndi i syrit afër hundës dhe vazhdoni anash.
Ndërroni kompresën, pra mos ia pastroni bebes të dy sytë me një kompresë.
Pastaj, ia pastroni veshët dhe pjesët pas veshit. Pjesa pas veshit djersitet shumë dhe bëhet sikurse e lagur me qumësht.
Mos ia pastroni brendinë e veshit, sepse mund t’ia dëmtoni timpanin.
Pastaj me nga një kompresë të veçantë lani fytyrën, qafën dhe duart e bebes.
Nëse në lëkurën e bebes ka akoma verniks, mos ia hiqni; verniksi është një masë e bardhë si yndyrë e cila e mbulon lëkurën e bebes. Verniksi është pastrues natyral i bebes dhe është shumë i mirë për lëkurën e saj. Nuk ka nevojë të hiqet, sepse pas pak kohësh bie vetvetiu.
Pastaj, pastroni organet gjenitale dhe prapanicën e bebes me kompresa të veçanta.
Mund të përdorni pastrues që janë të prodhuar enkas për bebe dhe të cilët nuk ia dëmtojnë lëkurën, por paraprakisht testoni në një pjesë të lëkurës së bebes për të parë mos po zhvillohet ndonjë alergji.
Pasi ta keni pastruar beben, terni mirë me peshqir dhe mbështetni për trupin tuaj. Kur e mbani beben ngjitur për trupin tuaj krijoni lidhje emocionale me të si dhe e mbani ngrohtë.
Nëse bebja ka lindur në termin mund ta lani kur të doni, por herën e parë mos e mbani në ujë më gjatë se 5-10 minuta.
Beben mund ta lani edhe nëse akoma nuk i ka rënë kërthiza ose edhe nëse i ka rënë kërthiza, por vendi nuk është shëruar. Larja as nuk e favorizon infeksionin dhe as nuk e ngadalëson shërimin.
Patjetër duhet që pas larjes ta terni vendin e kërthizës me kujdes.
Herën e parë mund të keni pasiguri ose edhe frikë për ta larë beben. Ju ndihmon nëse fillimisht dikush më i vjetër ju qëndron pranë dhe ju ndihmon.
Bebet zakonisht kënaqen kur lahen dhe uji i ngrohtë i relakson.
Mjafton nëse e lani beben 2-3 herë në javë.
Ato ditë kur nuk e lani beben, pastrojani fytyrën rregullisht dhe organet gjenitale e prapanicën sa herë që ia ndërroni pelenën.
Nëse keni qejf ta lani beben çdo ditë kjo s’paraqet asnjë problem!
Në javët e para beben lani gjatë ditës, kurse pas disa muajsh mund të filloni ta lani në mbrëmje si pjesë e rutinës para gjumit.
Beben mund ta lani në vaskë plastike, por vendosni diku që të mos keni nevojë që të rrini kërrusur ose në gjunj.
Gjatë minutave kur e lani beben mos lejoni që askush t’ju shqetësojë.
Është mirë që bebja të lahet midis dy pirjeve ashtu që të mos jetë e lodhur dhe as e uritur ose me stomakun plot.
Dhoma ku e lani beben duhet të jetë e ngrohtë dhe pa rrymime të ajrit.
Lani duart dhe afroni rreth vetes gjithçka që do t’ju duhet (shampon, ujë, peshqir, pelena, rrobat e bebes etj).
Bebja mund të urinojë ose defekojë papritur, prandaj jini e përgatitur që mund kjo të ndodhë fill pas larjes.
Kurrë mos e leni beben vetëm, as edhe një sekondë!
Fillimisht në vaskë qitni ujin e ftohtë dhe pastaj gradualisht shtoni ujin e nxehtë.
Thellësia e ujit duhet të jetë rreth 15 cm, domethënë afërsisht aq sa gjatë larjes uji t’ia lagë bebes shpatullat.
Nëse keni termometër të ujit mbani ujin me temperaturë 37°C, por nëse nuk keni termometër të ujit, vlerësoni temperaturën e ujit duke e zhytur brrylin tuaj në ujë (jo dorën!).
Uji nuk duhet të jetë as i nxehtë e as i ftohtë.
Zhvishni beben, hiqjani pelenën dhe para se ta fusni në vaskë ia lani gjenitalet dhe prapanicën. Pastaj, zhytni beben gradualisht në ujë dhe ia fërkoni ne kujdes trupin. Mbani kokën dhe qafën e bebes me njërën dorë, kurse me dorën tjetër ia fërkoni kokën me kujdes.
Uji duhet t’ia mbulojë shpatullat, ashtu që të mos ketë të ftohtë. Në ujë mund të qitni shampo për bebe.
Pastroni beben me dorë ose me shpuzë në krejt trupin, por mos e fërkoni. Mos ia hiqni verniksin nga lëkura, sepse ai e ndihmon formimin e barrierës së lëkurës së bebes.
Pasi ta keni larë beben, mbështilleni me peshqir dhe e terni.
Pastaj ia veni pelenën, e vishni, e mbështillni me batanie dhe e mbani mbështetur për trupin tuaj për 10 minuta në mënyrë që ta mvani sa më ngrohtë.
Nëse lëkura e bebes është e thatë, mund ta lyni me pomadë ose vaj për lëkurën e bebeve.
Keni parasysh se bebet e humbin temperaturën trupore shumë lehtë dhe shumë shpejt, prandaj mbani afër vetes që ta ketë ngrohtë.
Derisa e mbani ne krahun tuaj puthni një herë, dy herë, shumë herë…dhe kënaquni me erën e trupit të bebes suaj.
Pastë fat, shëndet e jetë të gjatë!🙂/Poliklinika “Dr.Memli”/Gazeta Shëndeti